Investimet e huaja, 1,1 miliardë euro deri në shtator, kryesojnë blerjet e apartamenteve

Me gjithë krizën për të gjetur punonjës, kostot e shtuara nga rritja e pagave dhe forcimi i lekut, sipërmarrësit e huaj po vijojnë të investojnë në Shqipëri. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e investimeve nga jashtë deri në shtator kapi shifrën e 1.1 miliardëve eurove, 104 milionë më tepër se një vit më parë.

“Është shifër e madhe për Shqipërinë, marrë parasysh se kjo e fundit është e vogël. Është një trend pozitiv. Kemi ecur mirë, por sërish është i vogël”, tha Mark Crawford, investitor amerikan.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se pjesa më e madhe parave u investuan nga të huajt në harkun e muajve korrik-shtator, 104 milionë euro. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë shifra është zgjeruar me gati 63 milionë euro apo 15.5 për qind.

“Ka shumë turistë të huaj që veçanërisht po investojnë te pasuritë e paluajtshme dhe jo vetëm”, tha Mark Crawford, investitor amerikan.

Rritja e vlerës së pronave në vend ka tërhequr edhe vëmendjen e të huajve duke renditur në krye të investimeve të huaja në 3-mujorin e tretë të vitit pikërisht pasuritë  patundshme. Lista pasohet nga investimet në sektorin e hidrokarbureve, energjia dhe ndërmjetësimi financiar.

“Janë sektor ku përgjithësish nuk kërkohet ndonjë fuqi punëtore e madhe. Gjithçka gjendet gati dhe investimi kryhet pa pengesa”.

Mungesa e fuqisë punëtore dhe niveli i lartë i korrupsionit ishin dy ndër shqetësimet kryesore të investitorëve të huaj në anketën e fundit të Dhomës Amerikane të Tregtisë. (Mario Brakaj)

Exit mobile version