Investimet e huaja direkte kanë shënuar një tendencë të lehtë rënëse në vitin 2017, sipas statistikave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Stoku i investimeve të huaja arriti në 908 milionë euro, me një tkurrje të lehtë prej 3.7% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Në tremujorin e katërt, investimet e huaja ranë në 232 milionë euro, nga 300 milionë euro që kishin arritur në tremujorin e mëparshëm, ndërkohë që në tremujorin e parë dhe të dytë kishin qenë më të ulëta, përkatësisht në 175 dhe 201 milionë euro.
Në tremujorin e katërt, transaksionet në formën e zgjerimit të kapitalit shënuan 227 milionë euro dhe ishin kryesisht të përqendruara në sektorin e hidrokarbureve (në masën 33%), në sektorin e energjetikës (me rreth 25%) dhe atë të ndërmjetësimit financiar (në masën 13%). Ndërkohë, marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura derivuan një fluks prej 6 milionë euro.
Në vitin 2016, investimet e huaja kanë shënuar nivelin historik maksimal prej 943 milionë eurosh, si rrjedhojë e projekteve të mëdha të energjisë, sidomos gazsjellësit TAP, i cili ka kryer investime prej 400-500 milionë eurosh në dy vitet e fundit.
Ulrike Andreas – Drejtoreshë për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, në një intervistë të mëparshme për Monitor ka pohuar se punimet për gazsjellësin TAP, projektin më të madh të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë totale 1.5 miliardë euro. Ajo ka pohuar se punimet do të vazhdojnë edhe këtë vit me intensitetin e 2017-ës. Këtë vit, punimet për ndërtimin e gazsjellësit do të zhvendosen nga pika më e lartë në Skrapar, 1,800 m mbi nivelin e detit, në thellësinë e Detit Adriatik.
Ndërsa gazsjellësi pritet të përfundojë në 2019-ën, duke shteruar burimin kryesor të investimeve të huaja. Një tjetër investim në mbarim është dhe ai i ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Devoll, një investim deri tani prej rreth 500 milionë eurosh, sipas FMN.
Çdo të ndodhë me investimet në të ardhmen?
Në periudhën 2015-2016, investimet e huaja shënuan rritje të djeshme, të ndikuara nga punimet për ndërtimin e projektit TAP dhe HEC-in e Devollit.
Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikim në afatin e mesëm. FMN uli së fundmi me 0.4 pikë përqindjeje pritshmërinë për rritjen ekonomik të vendit gjatë vitit të ardhshëm, pikërisht për këtë arsye.
Banka Botërore, FMN dhe Komisioni Europian kanë tërhequr vazhdimisht nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë.
Sipas tyre, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.
Vitin e ardhshëm priten investime të huaja më të ulëta dhe kjo ka qenë një nga arsyet që FMN parashikon që rritja do të ngadalësohet nga 3.7% këtë vit nga 3.9% që është pritshmëria për vitin 2017. Shefja e Misionit të FMN-së, Anita Tuludhar, pohoi se arsyeja kryesore e pritshmërisë më të ulët lidhet pikërisht me faktin që investimet e mëdha të energjisë po shkojnë drejt fundit.