Pas një rritjeje në dy tremujorët e parë të vitit 2015, investimet e huaja kanë shënuar rënie në gjysmën e dytë të vitit, duke reflektuar reduktimin e investimeve nga kompanitë e mëdha të naftës. Sipas të dhënave nga Bilanci i Pagesave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja në tremujorin e fundit ranë me 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke zbritur në shifrën e 169 milionë euro, niveli më i ulët që nga tremujori i dytë i vitit 2014.
Edhe në tremujorin e tretë investimet kishin rënë me 3.3%. Për gjithë vitin 2015, investimet e huaja arritën në 871 milionë euro duke u rritur me vetëm 7.1% në raport me 2014-n dhe duke qenë 5.7% më të ulëta në raport me 2013-n.
Ecuria e investimeve në vitin 2015 reflekton paqëndrueshmërinë e tyre dhe varësinë e lartë nga industria e naftës. Në gjashtëmujorin e parë, ato u rritën ndjeshëm me 30%, si rrjedhojë e investimeve në hapjen e puseve të naftës, por edhe rritjen e kapitalit të bankave. Në tremujorin e tretë stafeta i kaloi energjisë, me projektet e hidrocentraleve.
Tremujori i katërt ishte më negativi, teksa Bankers Petroleum, investitori më i madh në vend, pothuajse pezulloi prodhimin për shkak të konfikteve me qeverinë shqiptare dhe rënies së ndjeshme të çmimeve të naftës.
Sipas Bankës së Shqipërisë, “Prurjet në formën e investimeve direkte gjatë kësaj periudhe kanë ardhur kryesisht nga sektori i hidrokarbureve me rreth 44%, ai i energjetikës me rreth 10%, të ndjekur nga sektori i bankar dhe ai i telekomunikacionit, që kanë tërhequr përkatësisht 10% dhe 7% të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte”.
Sipas burimeve nga Bankers, në 2015-n investimet e kompanisë ishin rreth 130 milionë euro, ndërsa këtë vit ato pritet të përgjysmohen, teksa nuk parashikohen hapje pusesh të reja.
Me hyrjet e kompanive të reja që po mungojnë dhe pritshmëritë negative të kompanive të naftës, shpresa e vetme për investimet e huaja për këtë vit mbetet te energjia.