Qeveria shqiptare duket se ka pezulluar çdo projekt publik, teksa investimet publike shënuan në muajin maj një nga nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se në muajin e kaluar qeveria shpenzoi vetëm 1.8 miliardë lekë për investimet publike, nga 4.8 miliardë lekë që ishte plani i parashikuar në buxhet. Në total si 5 mujor qeveria ka investuar vetëm 13.93 miliardë lekë, çka përbën nivelin më të ulët që nga viti 2008 në vlerë nominale. Sipas të dhënave krahasuar me 5 mujorin e vitit të kaluar, investimet publike janë këtë vit 20.9 për qind më të ulëta. Prej 3 vitesh, investimet janë zëri me ecurinë më problematike të buxhetit. Në vitin 2014, qeveria realizoi 50 për qind të investimeve vetëm në 2 muajt e fundit të vitit duke përdorur letër kreditet, të cilat kaluan fonde publike tek kompanitë private pa kryer punë fizike, ndërkohë që e njëjta tendencë u vu re edhe vitin e kaluar. Këto manovra kanë shqetësuar jo pak Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka kërkuar disa herë qeverisë të ruajë disiplinën e buxhetit dhe të realizoi në mënyrë të njëtrajtshme investimet për të mos dëmtuar rritjen ekonomike. Edhe Banka e Shqipërisë ka artikuluar të njëjtin shqetësim publikisht duke i bërë thirrje qeverisë që të disiplinojë realizimin e investimeve.
Paqëndrueshmëria e investimeve
Investimet publike janë një funksion që ndjekin nga pas Arben Ahmetaj. Pasi i transferoi dy vjet më parë investimet publike nga Ministria e Financave tek ajo e Zhvillimit Ekonomik, këtë vit qeveria bëri të kundërtën. Pas emërimit të Arben Ahmetajt si ministër i Financave, ajo i ktheu sërish investimet nga Ministria e Ekonomisë tek ky dikaster. Qeveria nuk dha asnjë argument në vitin 2014 dhe nuk jep asnjë argument as këtë herë. Këto lëvizje tregojnë se sa serioze është qeveria në menaxhimin e një nga funksioneve më të rëndësishme jo vetëm të buxhetit, por edhe vetë shtetit, atë që ka të bëjë me planifikimin dhe ekzekutimin e projekteve publike. Dhe siç tregojnë shifrat, transferimi sa në një ministri në tjetrën duket se kanë dëmtuar jo pak ecurinë e investimeve dhe cilësinë e tyre.
Para për zyra
Në listën e detajuar të investimeve publike për këtë vit, pjesa dërrmuese e projekteve janë rikonstruksione zyrash. Thuajse çdo institucion publik, Ministri apo agjenci qeveritare ka parashikuar të rikonstruktojë godinën duke bërë që dhjetëra milionë dollarë nga paratë e qytetarëve në 2016-ën të shkojnë për këtë qëllim jo për rrugë, shkolla apo spitale. Në total, investimet e buxhetit për këtë vit janë parashikuar të jenë 60.5 miliardë lekë ose 4 për qind e Prodhimit Kombëtar. Sipas shifrave të vetë qeverisë, ky është niveli më i ulët i investimeve me para publike që nga viti 1997. Por krahas tkurrjes së fondeve, qeveria ka ndryshuar dhe filozofinë e investimeve duke i larguar ato nga qytetarët. Nga lista e detajuar e projekteve rezulton se vetëm 27 miliardë lekë, ose më pak se gjysma, do të shkojnë për punime civile në projekte publike në përfitim të qytetarëve si shkolla, rrugë, spitale apo ujësjellësa. Sipas listës, pjesa më e madhe fondeve janë destinuar për rikonstruksion zyrash, blerje kompjuterash, kancelari për institucionet apo shpenzime për blerje librash, studime dhe analiza të ndryshme që do të kontraktohen nga OJQ-të. Ndryshe nga vitet e kaluara kur investimet publike në pjesën dërrmuese, financonin rrugë, shkolla apo ujësjellësa në dobi të publikut këtë vit ato do të të jenë të padukshme për qytetarët dhe të dukshme për pushtetarët. Dëshmia më e qartë për këtë janë krahasimi i investimeve që shkojnë në ndërtim rrugësh apo ujësjellësish. Sipas të dhënave të vetë qeverisë, nëse vitin e kaluar investimet në rrugë dhe ujësjellësa ishin 35.5 miliardë lekë, në 2016-ën ato do të jenë vetëm 19.8 miliardë lekë ose gati dy herë më pak.