Investimet sot, më të ulëta se në vitin 2013

Investimet publike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2018 do të jenë më të ulëta se ato të vitit 1993, ku vendi sapo kishte rrëzuar komunizmin dhe ishte para një emergjence të furnizimit me ushqime.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në vitin 1993, fondet për investimet publike ishin sa 7.3% e PBB. Shuma në vlerë neto ishte 11 miliardë lekë, por duke marrë në konsideratë inflacionin e kohës, vlera konsiderohet e lartë.
Rekordi i investimeve publike është thyer vetëm në vitin 2001, ku vlera e tyre në raport me PBB arriti 7.4%. Në fillim të viteve 2000, pati një fokus të shtuar në investimet në rrugë. Në ato vite përfundoi autostrada Tiranë-Durrës dhe gjithashtu nisën punimet për autostradën Tiranë-Shkodër. Këto ishin dy projektet e para në infrastrukturën shqiptare, që vunë standardin e autostradës nga rrugët nacionale me dy kalime.
Pas vitit 2001, investimet publike në raport me PBB pësuan rënie sistematike, për t’iu rikthyer rritjes në vitet 2008-2009 me respektivisht 8.7 dhe 8.4% të PBB, për shkak se në këtë kohë u ndërmor investimi më i madh i njohur ndonjëherë në infrastrukturën rrugore, autostrada e Kombit që ka angazhuar që nga ajo periudhë mbi 1 miliard euro investime.
Pas vitit 2009 nisi rënia sistematike për të parë nivelin më të ulët në vitin 2016 që nga 1997 me vetëm 4.5% të PBB-së. Në presionin e krizës ekonomike dhe konsolidimit fiskal për shkak të saj, gjatë viteve 2012-2017 investimet publike performuan poshtë kufirit 5% të PBB-së, i cili është rekomanduar nga FMN si nivel dysheme për vendet në zhvillim. Por për herë të parë pas 5 vitesh, më 2018, investimet do të jenë mbi kufirin 5% e PBB më 2017.
Ministria e Financave ka pohuar se, investimet publike afatshkurtër dhe afatmesëm janë ruajtur në nivelin 5% të PBB-së dhe vlerësohen të rëndësishme për rritjen potenciale në afatmesëm dhe afatgjatë.
Banka Botërore lajmëron një ulje të konsiderueshme të Investimeve të Huaja në vendin tonë në vitet në vijim. Në një projeksion të fundit për Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019. Banka thotë se IHD këtë vit do të arrijnë në 8.3% të PBB nga 8.7% që ishin vitin e kaluar. Por vitin e ardhshëm, ato nuk pritet të jenë më shumë se 7% e PBB dhe më 2019 do të jenë 5.6% e PBB-së.
Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%. Banka thotë se vitet e fundit, Investimet e Huaja Direkte kanë qenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri ndaj dhe rënia e tyre do të gjenerojë një hendek. Ekonomia e Shqipërisë u rrit 3,4% më 2016 dhe kjo rritje u nxit më së shumti nga investimet private në dy projektet kryesore, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll. Banka thotë se remitancat dhe investimet e huaja financojnë pjesën dërrmuese të importeve. Sipas BB, tani, më shumë se kurrë thekson urgjencën e reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e saponisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet.

Exit mobile version