Investimi kryesor lidhet me trajnerët

“Nëse diçka nuk blihet me para, atëherë mund të blihet me më shumë para”. Ky është slogani që po funksionon në futbollin kinez së fundmi. Gjigantët e futbollit europian, që kanë histori shekullore me yje të këtij sporti, po tremben jo pak për të ardhmen. Lojtarët e tyre më të rëndësishëm, por edhe objektivat që kanë në merkato, po bëhen misione të parealizueshme që t’i mbajnë apo t’i kenë në dispozicion. Po bëhet një luftë e madhe midis pasionit dhe financave. Të luash me klubin që ke ëndërruar në fëmijëri, apo të përfitosh brenda një viti aq para sa mund të marrësh përgjatë gjithë karrierës. Çdo ditë nga Kina vijnë lajme se një yll i futbollit po kërkohet dhe një tjetër ka firmosur ndërkohë. Shifrat e transferimeve dhe të rrogave janë të padëgjuara më parë.
Prej më shumë se një jave u thye rekordi disa herë. Në fillim Oskar, më pas Karlos Tevez, bënë që paraja të marrë një tjetër kuptim. Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo mund të cilësohen si diktatorët e dekadës së fundit, në një duel të zjarrtë, se cili është më i miri në botë. Por papritur, ata zbresin ndjeshëm në klasifikimin e më të paguarve, pikërisht prej klubeve kineze. Pyetja që lind është, kush po paguan kaq shumë dhe pse?!
Asgjë nuk është rastësore. Pas një periudhe të gjatë përgjumjeje dhe me një futboll në nivele tepër të ulëta, duket se qeveria kineze ka punuar për të akumuluar mjaftueshëm buxhet, që të shpërthejë në sport dhe të bëjë diferencën. Afro 5-6 vite më parë nisi me disa transferime të bujshme si Anelka dhe Drogba, por më tepër u krijua një imazh negativ. Akuza për mungesë korrektësie në pagesa dhe korrupsion bëri që shumë lojtarë të tjerë të refuzonin ofertat.
Duke ditur që aktualisht pozicionohen në vendin e 81-të të klasifikimit të FIFA-s, duket si një utopi. Por kur mëson detajet e planit që ka nisur të vihet në zbatim, atëherë beson se çdo gjë është e mundur. Deri në vitin 2020, pra për 4 vite, do të ndërtohen 20 mijë akademi futbolli dhe 70 mijë fusha. Deri në vitin 2030 është programuar që raporti të jetë prej 1 fushe për çdo 10 mijë banorë. Ndërkohë deri në 2020, duke nisur nga fëmijët dhe deri te mosha 30 vjeç, synohet që të arrihet një numër total prej 50 milionë njerëzish, që praktikojnë futbollin në mënyrë profesionale me akademitë, apo klubet sportive.
Ky numër do të jetë gjithnjë në rritje dhe prej të cilëve do të ketë selektime sa i përket cilësisë, në mënyrë që e ardhmja të garantojë një ekip kombëtar shumë të fortë. Gjithçka e detajuar në imtësi, në mënyrë që vullneti të bashkohet me investimin, për të sjellë produktin e shumëkërkuar.
Investimi kryesor lidhet me trajnerët. Emra si Luiz Felipe Skolari, Feliks Magat, Manuel Pelegrini apo Andre Vilas-Boas kanë refuzuar klube elitare në Europë, për të pranuar paratë në Kinë. Ata drejtojnë klubet e futbollit, duke pasur si ndihmës në stafin e tyre kinezë. Eksperienca drejtuese që kanë fituar, do të shërbejë që të përgatiten trajnerë të suksesshëm për të ardhmen, por edhe të ndryshojnë kulturën e punës në një klub futbolli, duke nisur nga akademia.
Janë dy arsye që u japin klubeve kineze mundësinë për të mos u kursyer në merkato. E para, lidhet me krijimin e një skuadre të fortë, e denjë për të pasur suksese jo vetëm në kampionat, por edhe në Championsin e Azisë. Por ata duhet të shërbejnë edhe si shembull për lojtarët e rinj të Kinës, që do të kenë luksin të mësojnë nga afër idhujve të tyre dhe jo duke i parë në televizion. Në stërvitje, futbollistët e dalluar të akademisë stërviten me ekipin e parë. Një sulmues 14-16 vjeç, që shkëlqen me grupmoshat e tij, Shangai Shenhua, tashmë mund të stërvitet së bashku me Karlos Tevez dhe pa diskutim që do të ketë shumë për të mësuar.
Elementi tjetër lidhet me të drejtat televizive. Vetëm në vitin 2016, kompania që i menaxhon ka shpërndarë plot 1.2 miliardë dollarë. Një shifër që ka ndihmuar jo pak buxhetet e klubeve, por që ka ardhur edhe si rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të shikueshmërisë. Mjafton të përmendësh faktin që vetëm Kina numëron një popullsi prej 1 miliard e 380 milionë banorësh. Nëse në 2016 u shpenzuan 470 milionë euro në transferime lojtarësh, ekonomistët kanë analizuar se ato do të shumëfishohen prej marketingut dhe potencialit që zotëron vendi…

Exit mobile version