Nga Ola Xama
Gjetjet kryesore
Autoritet raportojnë se ndërtimi i autostradës Thumanë-Kashar, ka kushtuar mbi 330 milionë euro, 62 milionë euro më shumë se vlera e parashikuar në kontratën koncesionare. Në bazë të kësaj shifre, ndërtimi për 1 kilometër të kësaj rruge llogaritet të ketë kushtuar 15.8 milion euro.
Një tjetër shqetësim është ndryshimi i papritur i modelit financiar të projektit. Sipas studimit të ri të Fizibilitetit, norma e kthimit të investimit është rritur nga 7.6% në 8.11%, duke çuar vlerën totale të investimit nga 445 milionë euro në 1.3 miliardë euro për 35 vitet e ardhshme. Ky ndryshim i kushtuar koncesionarëve ka ngjallur dyshime për mundësinë e abuzimeve me fondet publike, pasi fitimet e palëve private janë rritur ndjeshëm, ndërsa qytetarët do të paguajnë tarifat për kalimin në këtë autostradë.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kompania koncesionare “G2 Infra” ka raportuar shpenzime të ulëta, përkundër vlerës së lartë të investimeve, duke ngritur dyshime të forta nga ekpertët për abuzime të mundshme me fondet dhe për manipulime me dokumentet financiare.
Projekti i 1 miliard eurove

Ende e papërfunduar tërësisht, autostrada Thumanë-Kashar, u hap për qarkullimin e automjeteve në fund të qershorit 2024. Prej datës 4 janar në këtë segment ka nisur aplikimi i tarifave të kalimit. Autoveturat të klasifikuara si kategoria 2 do të paguajnë 2.5 euro, kategoria 3 ku përfshihen kamionët e autobusët do të tarifohen me 6.25 euro dhe 1.75 euro është tarifa për mjetet e lehta të llojit motoçikleta.
Ideja për ndërtimin e një autostrade që do të dublonte një pjesë të rrugës së vjetër Fushë Krujë-Thumanë dhe atë të aeroportit të Tiranës lindi 7 vjet më parë, pas prezantimit të programit “One Billion Investment” nga kabineti i dytë i socialistëve që sapo kishte fituar zgjedhjet. Projekti parashikonte angazhimin 1 miliard eurove kapital të kompanive private për të investuar para të tyre në infrastrukturë rrugore dhe aeroporte, investime që pasi të kalonin 30% të vlerës të kostos së projektit, do të paguheshin nga shteti me këste për 13 vjet. Firmat në këtë rast do të kishin përgjegjësinë edhe të mirëmbajtjes së rrugës, bashkë me projektimin, zbatimin dhe dorëzimin në fund të veprës për palën shtetërore.
Pjesë e propozimeve të pakërkuara për programin “One Billion Project Financing” ishte dhe ndërtimi i një autostrade me gjatësi 20.8 kilometra që do të lidhte Thumanën me Kasharin, aks që më pas do të vijohej me rrugë të tjera pjesë të “Korridorit Blu” siç është segmenti Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier.
Pasi mori bonusin 8.5 pikë nga Këshilli i Ministrave në mars të vitit 2018 pas një oferte të pakërkuar që kishte dorëzuar më parë, kompania Gener 2 u shpall fituese në garën e hapur për ndërtimin e këtij segmenti, por kontrata përfundimtare nuk u nënshkrua dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) anulloi fondet në janar të vitit 2019. Firma më pas fitoi të drejtën në Gjykatën Administrative të Apelit për të detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që të përcillte propozimin për lidhjen e kontratës në qeveri.
Të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kontrata e re u nënshkrua duke dalë jashtë termave të referencës së tenderit pasi u zgjat në kohë dhe modeli i financimit u ndryshua në pagesa direkte për qytetarët nga kosto buxhetore.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha në një kërkesë për informacion se vlera e investimit e dorëzuar nga kompania koncesionare është 330 milion euro, por ky raportim nuk është bërë pranë ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve. MIE refuzoi të vendosë në dispozicion të Shteg situacionet e dorëzuara nga koncesionari dhe pas një vendimi detyrues të Komisionerit për të Drejtën e Informimit për të dhënë dokumentacionin. Në shkelje të kontratës ministria nuk ka përzgjedhur ende Inxhinierin e Pavarur, por vetëm supervizorë të përkohshëm, emrat e të cilëve sërish u refuzuan të jepeshin në mënyrë që të kontaktoheshin nga “shteg.org”.
Sipas vlerave që janë raportuar në bilancet e firmës koncesionare të ngritur për zbatimin e kontratës së koncesionit “G2 Infra”, shpenzimet totale për vitin 2022 janë 12 mijë euro, ndërsa për vitin 2023 nuk e kalojnë vlerën 20 mijë euro.
MIE nuk iu përgjigj as kërkesës së “shteg.org”, nëse vlera e deklaruar e investimeve për aksin Thumanë-Kashar është bërë nga kompania koncesionare “G2 Infra”, ndërsa vetë kompania nuk komentoi asnjë nga këto çështje.
Misteri i vlerës së investimit

Kontrata koncesionare e miratuar në maj të vitit 2022 nga Këshilli i Ministrave, specifikon se vlera e investimeve kapitale për punimet në segmentin Thumanë-Kashar duhet të jetë 224.3 milion euro pa tvsh, ç’ka do t’i takonte një shume totale me tvsh prej 268 milion euro, ndërsa në vitin e 16-të parashikohet një rinvestim sa 70% e kostos së punimeve.
Në miratimin e kontratës finale nga Këshilli i Ministrave mungon modeli financiar i koncesionit bashkë me Studimin e Fizibilitetit, aneks që dhe pse gjendet bashkëlidhur, rezulton vetëm një faqe e bardhë e firmosur dhe vulosur nga palët. Studimi i ri është ai që do të përcaktonte modelin financiar, vlerën e investimit, riinvestimin dhe interesin që përllogarit koncesionari për paratë e investuara në këtë vepër. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu përgjigj një kërkesë për informacion nga “shteg.org” për të vënë në dispozicion Studimin e ri të Fizibilitetit dhe pas një ankese te Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit u mjaftua duke thënë se “Studimi është miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me shkresën nr. 2391/3 prot., datë 10.03.2022”. Ministria e Financave po ashtu refuzoi të japë Studimin e ri të Fizibilitetit edhe pas vendimi të Komisionerit për të Drejtën e Informimit i cili i la afat deri më 30 janar 2025.
Azmi Stringa, pedagog në Universitetin e New York-ut në Tiranë.
“Shteg.org” arriti që të sigurojë një kopje të Studimit të ri të Fizibilitetit në rrugë konfidenciale, nga ku duket se norma e interesit për investimin e koncesionarit është rritur nga 5.1% në 6% dhe po ashtu dhe norma e kthimit të investimit është 8.11%, nga 7.6% që ishte në studimin e vjetër. Në modelin financiar të vjetër të koncesionit, buxheti i shtetit do të paguante në total 445 milion euro për investimin 244 milion euro pa tvsh, ndërsa sipas projeksioneve të modelit të ri, në fund të 35 viteve koncesionari do të arkëtojë 1 miliard e 307 milion euro pa tvsh, ose mesatarisht 37 milion euro në vit. Nëse llogaritet kosto e investimit, interesit, mirëmbajtjes rutinë dhe operative dhe rinvestimit në vitin e 16, kompania koncesionare do të fitojë nga kjo kontratë 575 milion euro në total, ose 16.5 milion euro në vit.
Romeo Nazarko, inxhinier gjeolog
“Shteg.org” iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të vënë në dispozicion vlerën e punimeve për rrugën Thumanë-Kashar në bazë të situacioneve që ka dorëzuar kompania koncesionare, por ministria nuk ktheu përgjigje as pas vendimit të Komisionierit për të Drejtën e Informimit i cili detyroi institucionin të vendosë në dispozicion informacionin brenda datës 25 nëntor 2024. Në datën 6 janar 2025 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha në një përgjigje se vlera e investimit e deklaruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në çertefikatën e përfundimit të punimeve është 330 milion euro me TVSH, 62 milion euro më shumë se detyrimi në kontratën koncesionare. Ministria e Infratrukturës dhe Energjisë refuzoi të verë në dispozicion investimin të ndarë në vite dhe kopjet e situacioneve të punimeve të deklaruara nga kompania.

Romeo Nazarko, inxhinier gjeolog
Pavarësisht se vlera e deklaruar e punimeve është 330 milion euro, bilancet e firmës koncesionare “G2 Infra” tregojnë se për 2 vite shpenzimet totale kanë qënë 32 mijë euro, ndërsa nga pasqyrat financiare të firmës zotëruese të koncesionit “Gener 2” fluksi i investimeve për kompani të lidhura del negativ duke nënkuptuar se asnjëra prej tyre nuk ka qënë financuesi i punimeve të rrugës. Bilanci i kompanisë për vitin 2024 ende nuk është depozituar në “Qendrën Kombëtare të Biznesit”, por punimet për Thumanë-Kashar sipas një deklarate publike të ministres Belinda Balluku në janar 2024 ishin kryer 65%, duke nënkuptuar se në bazë të vlerës së deklaruar, në pasqyrat financiare duhet të ishin deklaruar 214.5 milion euro.
“Bilanci i kompanisë mëmë të koncesionit nuk jep asnjë informacion për autoritetet për të monitoruar zbatimin e projektit, prandaj krijohet një shoqëri e dedikuar që kryen vetëm atë funksion dhe pasqyrat financiare të saj tregojnë në mënyrë të qartë të dhënat. Ky është një problem strukturor për të gjitha shoqëritë koncesionare në Shqipëri, të cilat e bëjnë të pamundur zbatimin dhe monitorimin e kontratave si nga autoriteti kontraktor ashtu dhe nga Ministria e Financave. Këto autoritete nuk duhet të bëjnë asnjë pagesë apo të lejojnë pagesat e qytetarëve ndaj koncesionit, por duhet ta dërgonin kontratën për ndjekje dhe monitorim për sa kohë nuk ka pasqyra financiare të hartuara në përputhje me ligjin dhe të audituara.” sqaron pedagogu Stringa.
Ministria nuk raporton koncesionin Thumanë-Kashar

Çdo vit Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) prodhon një raport vjetor mbi ecurinë e kontratave koncesionare, i cili tregon ecurinë e projekteve, implikimet buxhetore dhe ndarjen e risqeve mes shtetit dhe privatit. Detyrat për Atrako-n janë përcaktuar në vendimin e prillit të vitit 2020 të Këshillit të Ministrave pas rekomandimeve që dha Fondi Monetar Ndërkombëtar i shqetësuar mbi ekspozimet që merrte buxheti nga kontratat koncesionare.
Në raportin vjetor të vitit 2022 dhe 2023 të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve mungon ecuria e kontratës Thumanë-Kashar. Në një përgjigje për Shteg, zyrtarë të kësaj agjencie thanë se raportimi nuk është bërë pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka dorëzuar të dhënat për këtë kontratë.
Bashkë me raportin vjetor të ecurisë së kontratave koncesionare i cili i vihet në dispozicion Kuvendit gjatë miratimit të buxhetit faktik, Ministria e Financave përllogarit çdo vit shumën e implikimeve buxhetore dhe pagesat që duhen bërë për kontratat koncesionare që kanë këtë mbështetje buxhetore.
Koncesioni i aksit Thumanë-Kashar garanton fluksin e mjeteve që kalojnë në këtë rrugë për 8 vitet e para, ku nëse nuk arrihet një minimum prej 26.85 milion euro vitin e parë, buxheti i shtetit do të paguajë diferencën deri në vlerën 8 milion euro. Në total, nëse ka një trafik jo sipas parashikimit, Autoriteti Kontraktor garanton 22.8 milion euro për 8 vitet e para të operimit.
Të dhënat për fluksin e mjeteve dhe ecuria e investimit të veprës nuk është dorëzuar, duke bërë që dhe Ministria e Financave të mos e përfshijë koncesionin Thumanë-Kashar në raportin e buxhetit 2025 të dorëzuar në Kuvend, siç është detyrimi për raportimin e kontratave që kanë mbështetje buxhetore. Raportimi i pagesave të buxhetit bazohet mbi rregullin se shuma e përgjithshme e transfertave që kryhen nga qeveria për kontratat koncesionare apo partneritet publik privat, nuk duhet të kalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Në përgjigje të një kërkese për informacion të dërguar nga “shteg.org”, Minsitria e Financave tha se ecuria e kontratës Thumanë-Kashar “nuk është përfshirë në Raportin Vjetor të Përmbledhur për arsye se Autoriteti Kontraktues nuk ka raportuar në lidhje me këtë kontratë koncesionare.” Inxhinieri i pavarur mbahet “sekret”.

Në bazë të kontratës koncesionare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të merrte masa për të hapur garën në mënyrë që të të përzgjidhte një kompani që do të kryente rolin e Inxhinierit të Pavarur 30 ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe miratimit të saj në qeveri.
Detyrat e mbikëqyrësit të punimeve lidhen me miratimin e situacioneve që dorëzon kompania, cilësinë e punimeve dhe përmbajtjes nga pala e koncesionarit të detyrimeve që ka marrë përsipër në kontratë. Përpara se situacionet e punimeve për vlerën e investimit të dorëzohen pranë Autoritetit Kontraktor, ato duhet të miratohen nga superviziori.
“Në inxhinieri ka faza, faza e parë është projekt-ideja, faza e dytë është projekti bashkë me studimin nga gjeologët dhe gjeodetët dhe më pas bëhet projekti përfundimtar. Gjatë punimeve ka supervizor të jashtëm që i mbikëqyr ato, pastaj i fundit është kolauduesi që përcakton e merr ose jo në dorëzim veprën.” thotë inxhinieri gjeolog Romeo Nazarko.
Të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se gara për përzgjedhjen e një operatori që do të kryente rolin e Inxhinierit të Pavarur për kontratën koncesionare Thumanë-Kashar u hap në datën 9 janar 2023 por procedura u anullua. Ndërsa kur rruga u hap për qarkullim në qershor 2024 supervizori i punimeve nuk ishte përzgjedhur akoma. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shfrytëzuar një hapësirë në kontratë, ku nëse mungon përzgjedhja me tender e mbikëqyrësit, mund të caktohen disa persona përgjegjës me urdhër të ministrit.
Në një përgjigje për “shteg.org”, MIE tha se përmes “Urdhrit të Ministrit nr. 267, datë 11.11.2022 janë caktuar supervizorët e përkohshëm për këtë kontratë koncesioni.”
Azmi Stringa
Fitorja në gjykatë dhe ndryshimi i termave

Në janar të vitit 2019 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndërpreu dhënien e koncesionit të projektit Thumanë – Fushë Krujë – Vorë – Kashar duke argumentuar se fondet buxhetore për mbështetejen tij do të financonin Paktin për Universitetin. Në dimrin e vitit 2018 protestat studentore përfshinë Tiranën dhe në një lëvizje politike kryeministri Edi Rama shkarkon 7 ministra të rëndësishëm të kabintetit të tij bashkë me zv/kryeministren.
Paralelisht me protestat e studentëve një tjetër skandal implikon qeverinë, ku një kompani e prezantuar si amerikane me bazë në shtetin Delaware kishte falsifikuar firmën e sekretarit të këtij shteti dhe kishte depozituar dokumenta të rremë për të përfituar një kontratë me vlerë 18 milion euro për ndërtimin e segmentit të Unazës së Madhe “Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja”. Investigimet mediatike sugjeronin se kompania pas firmës amerikane ishte “Gener 2”, fituese e kontratës koncesionare Thumanë-Kashar.
Urdhri i firmosur nga ministrja Belinda Balluku e sapoardhur në detyrë u kundërshtua në gjykatë nga shoqëria koncesionare dhe në përfundim të gjykimit, Gjykata Administrative e Apelit vendosi ndryshimin e vendimit të shkallës së parë që linte në fuqi urdhrin për ndërprejrjen e procedurës dhe detyroi Ministrinë e Infrastrukturës së Energjisë të vijonte veprimet administrative për t’i përcjellë Këshillit të Ministrave për miratim draft-kontratën e koncesionit. Vendimi i gjykatës nuk kishte si qëllim dhënien e orientimit për të udhëzuar qeverinë që të miratonte draft-kontratën koncesionare, por përcaktonte detyrimin e ministrisë për ta përcjellë në Këshillin e Ministrave propozimin dhe ky organ do të vendoste nëse kontrata do të miratohej ose jo. Vendimi nuk u ankimua në Gjykatën e Lartë nga pala e shtetit.
Vendimi i Gjykatës Administrative i marrë në korrik të vitit 2021 u vu menjëherë në lëvizje nga Shërbimi Përmbarimor dhe pas kësaj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjië informoi koncesionarin se në programin buxhetor afatmesëm nuk ka fonde të planifikuara për këtë kontratë koncesionare.
Pas disa takimeve kompania “Gener 2” propozon një Studim të ri Fizibiliteti për ndërtimin e rrugës me fonde të veta ku të ardhurat më pas do të mblidheshin nga tarifa dhe jo nga buxheti i shtetit. Pasi palët ranë dakord, qeveria miraton kontratën më 22 maj të vitit 2022.
Procedura e ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Këshilli i Ministrave i cili e ka autorizuar atë për të negociuar një Studim të ri Fizibiliteti është në kundërshtim me ligjin “Për Partneritin Publik Privat”, i cili specifikon se në rastet kur ndryshojnë kushtet thelbësore të kontratës që nuk parashikohen në dokumentacionin e tenderit, kërkohet zbatimi i një procedure të re të dhënies së koncesionit.
Termi “kushtet thelbësore” i referohet në veçanti elementëve të cilët do të kishin bërë të mundur që ofertuesit e tjerë në garë të dorëzonin një ofertë financiare të ndryshme.
“Vendimi i gjykatës lidhet me vazhdimin e procedurës, e cila ishte shpallur fituese në kushtet që ishte shpallur procedura e prokurimit. Ndryshimi thelbësor i kushteve të kontratës, i transferimit të risqeve nga privati te shteti, apo ndryshimi i normave dhe kohëzgjatjes – të cilat do të bënin që ofertuesit të jepnin oferta të ndryshme po të ishin në dijeni të kësaj situate – do të kërkonte një procedurë të re prokurimi dhe jo ndryshim kontrate. Nuk e dimë nëse një tjetër kompani do të propozonte një tarifë më të ulët duke lehtësuar xhepin e kalimtarëve që kalojnë aty. Për më tepër procedura duhet të kalonte në të gjitha fazat fillestare, që nga Komisioni i Dhënies me Koncesion, miratimi nga Autoriteti Kontraktor marrja e miratimit nga Ministria e Financave dhe më pas te Këshillit të Ministrave për procedurën e miratimit të bonusit të pikëve në garë.” – sqaron Stringa.
Gjendja e rrugës nga fillimi

Edhe pse ka nisur që prej datës 4 janar aplikimi i pagesës, rruga nuk ka përfunduar tërësisht. Në hyrje dhe dalje të segmentit mungon ndriçimi, ndërsa izolimi me barriera akustike në zonat e banuara nuk është bërë i plotë.
“Problemet me disnivelin e urave janë për shkak të kuotave që ka dhënë inxhinieri dhe janë gabime teknike, por paraqesin rrezik për mjetet që qarkullojnë me shpejtësi të lartë. Ndërsa çarjet vijnë sepse punimet janë bërë në mënyrë të nxituar dhe nuk është ngjeshur si duhet bazamenti i rrugës. Nëse nuk respektohet koha e hedhjes së asfaltit është abuzuar në cilësinë e punimeve për shkak se ngjeshja e shtresave të rrugës është proces që duhet respektuar, në të kundërt ka degradim dhe shembje të pjesshme.” – thotë inxhinieri Romeo Nazarko.
Në datën 4 janar 2024 shoqëria koncesionare “G2 Infra” njoftoi nisjen e aplikimit të pagesës për automjetet që kalojnë në këtë aks. Drejtuesit kanë mundësi të zgjedhin rrugën alternative të vjetër për në Thumanë, por sinjalistika e vendosur përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe aksit Thumanë- Lezhë, nuk orienton si drejtuesit e mjeteve për të përdorur rrugën alternative. Përgjatë autostradës Tiranë-Durrës tabela që orienton kalimtarët për të shkuar në Shkodër dhe Prishtinë ndodhet pasi kalon nyjen dalëse për në rrugën e aeroportit, ndërsa tabela që njofton për pagesën në rrugë është disa metra më poshtë.
Sipas projeksioneve të hartuara në kontratën koncesionare mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe koncesionarit “Gener 2”, parashikohet që rruga të gjenerojë vitin e parë të ardhura totale nga tarifa në vlerën 26.85 milion euro, duke i korrespoduar një trafiku prej afërsisht 29 mijë mjetesh në ditë, të dhëna që sipas asaj që ka raportuar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë periudhës së testimit të rrugës, janë kaluar me 1 mijë mjete më shumë. Pavarësisht kësaj, Ministria e Infrastrukturës dhe as kompania koncesionare nuk vuri në dispozicion të “shteg.org” informacion zyrtar mbi fluksin e kalimit të mjeteve në këtë aks./shteg.org