“Inxhinieri denoncoi mungesën e vlerave të të droguarit prej ideologjisë komuniste”- Refleksionet e publicistit nga SHBA: Ngre lart figurën e Enver Hoxhës dhe…

Nga Thanas L. Gjika  

– Ese për analistin ing. Mërgim Korça –

 Ing. Mërgim Korça, në letrat shqipe, është një nga analistët vërtet të lirë të periudhës paskomuniste, i cili me veprat e tij ka zgjeruar dhe zgjeron horizontin e lexuesve, ka hapur dhe hap rrugë të reja për zgjidhje problemesh të mbetura pezull para shoqërisë sonë të djeshme e të sotme. Ai ka shkruar shumë artikuj nëpër forume e gazeta të ndryshme, shumicën e të cilave i ka botuar dhe në tri përmbledhjet e mirëpritura ‘Histori të Pashkruara’ (268 fq, 2005), ‘Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike’ (247 fq, 2008) dhe ‘Çështja Kolaboracionizëm e të tjera, t’i Gjykojmë’ (515 f, 2014). 

Ish-pushtetarë të regjimit komunist, si Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, Liri Gega, Liri Belishova, Rahman Parllaku, etj., i vuri në shënjestër, për bëmat e tyre të turpshme e kriminale, duke zbuluar mendësinë e tyre çnjerëzore, të shfytyruar prej ideologjisë komuniste. Në anë të kundërt me të tillë politikanë, ai portretizon dhe ish kryetarin e grupit komunist të Shkodrës, Zef Malën, me të cilin pati rast të njihej më 1954, pasi ai kishte dalë prej burgut.

Komunisti Malaj, kishte njohur në burg kundërshtarë të ideve të tij politike, klerikë dhe antikomunistë, si Xhevat Korça. Mbas bisedave me ta, ky ish- komunisti i hershëm u kthjellua dhe kuptoi thelbin antinjerëzor të doktrinës komuniste, gjë që nuk mundën ta bënin shumica e ish- komunistëve të dënuar prej diktatorit, si; Liri Belishova, Todi e Liri Lubonja, Fadil Paçrami, etj., etj.

Dëmi më i madh i ideologjisë komuniste që zbatoi diktatori Hoxha, sqaron analisti, ishte krijimi i njeriut të ri socialist, një qenie e pamoralshme, e paskrupull, që ta bën të keqen dhe nuk kërkon kurrë të falur, qenie që ka marrë pushtetin në Shqipëri dhe nuk pyet për hallet e popullit, por si e si të pasurohet për vete.

Edhe Dritëro Agolli, poeti i talentuar e shumë i lëvduar në kohën e diktaturës dhe të tranzicionit, i mbiquajturi “Patriarku i Letrave Shqipe”, kritikohet për mungesën e zgjerimit të këndvështrimit të mendësisë së tij, për mungesën e moralit.

Në kongresin e X-të të PPSh-së, ky deputet kritikoi ashpër “katër fajet e rënda”, si edhe bëmat e partisë së tij, por si anëtar i ish-Komitetit Qendror të saj, ku kishte milituar me vite, ai nuk kërkoi të falur për ato që kishte bërë vetë gjatë diktaturës dhe për më keq, u kthye në vitet e tranzicionit në një mbrojtës i politikës së Partisë Socialiste, bijës së PPSh-së, pra mbeti një penë që punoi për lëvdimin e politikës së gabuar të partisë; PKSh-së, PPSh-së, PSSh-së.

Në të njëjtën kohë Mërgimi, nuk ka lënë pa kritikuar dhe gabime të pushtetarëve të pas komunizmit, si presidentët Alfred Moisiu e Bamir Topi, zv/Kryeministrin e Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, etj.

Vlerat e Mërgimit analist, nuk qëndrojnë vetëm në analizat kritike. Ai është po aq tërheqës edhe kur vlerëson shkrimtarë të shquar, si; Gjergj Fishta, Visar Zhiti, shkencëtarë si Dr. Edor Kabashi, këngëtaren soprano, Ermonela Jaho, burra shteti e atdhetarë të përkryer, si Luigj Gurakuqi, dhe të mëvonshëm, si Safet Butka, Prenk Cali, etj., etj.

Shkrimet e Mërgimit të ngjallin respekt e simpati, për bijtë e familjes princore të Mirditës, si Gjon Markagjoni dhe djemtë e tij, dhe për më të vuajturin midis tyre, Gjon Markagjonin e Ri, të cilët ai i vlerëson me shumë respekt, për ndershmërinë, moralin e pastër shqiptar e, burrërinë e tyre. Respekt e dashuri ngjallin te lexuesi, edhe shkrimet ku ai vlerëson klerikë martirë, si Pater Anton Harapi, Pjetër Mëshkalla, Patër Xhovani Fausti, etj.

Në këtë vazhdë është edhe shkrimi recensional i publikuar këto javë në media prej Mërgimit, për vëllimin me kujtime të botuara më 2015, shkruar më 1966, prej Xhelal Staraveckës, me titull; “Përpara Gjyqit të Historisë” dhe botuar prej djalit të tij Naim Staravecka. Mprehtësia e artikullshkruesit, shfaqet këtu përmes zbulimit të kundërvlerave të vëllimit, ku ai tregon mungesën e vlerave të të droguarit prej ideologjisë komuniste, ish- komunistit Xhelal Staravecka, i cili ngre lart figurën e Enver Hoxhës, për vlera të paqena, sikur të ishte një ideolog e strateg i madh dhe jo siç ishte në të vërtetë, shërbëtor i Josif Broz Titos e Stalinit.

Një nga figurat më të dashura e më të respektuara për Mërgim Korçën, është ajo e Baba Rexhepit (1901 – 1995), klerik mysliman, i arratisur prej Shqipërisë diktatoriale, themelues dhe drejtues i Teqesë Bektashiane në Taylor, MI, USA. Ai e vizitonte rregullisht familjarisht dy herë në javë, Babanë e nderuar dhe nuk druhet të tregojë, se në botëkuptimin e vet, ka ndikim të ndjeshëm prej predikimeve të këtij Babai, sidomos prej mësimit themelor, sipas të cilit, egoizmi është burimi i gjithë të këqijave njerëzore.

Baba Rexhepi, ishte një nga të përndjekurit e diktaturës komuniste shqiptare, i cili duke vijuar jetën e një kleriku të ndershëm në USA, kishte arritur dhe në disa mendime të vetat, për të dëshmuar thelbin e së keqes, që i erdhi Shqipërisë. “Së pari, – thoshte ai, – prej krimeve të përbindshme që filluan që gjatë Luftës Antifashiste, pastaj prej luftës së pa princip kundër besimeve fetare dhe më tej, prej ngritjes në kult e bindje të verbër, ndaj udhëheqjes personale të diktatorit. Kur humbet ndjenja e moralit, – theksonte Baba Rexhepi, – u hapet rruga gjithë të këqijave të kësaj bote”.

Si një moto për mentalitetin e secilit, i vlerëson Mërgimi fjalët e këtij predikuesi: “I ndershëm është’ ai që i ndryshon mendimet e tij, për t’i njësuar me të vërtetat. Kurse i pandershëm është’ ai, që i ndryshon të vërtetat, për t’i njësuar ato me mendimet e tij…! Mua nuk më takon gjë tjetër, veçse të mëshiroj dhe të fal, kurse shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës e, të vendosë duke u bazuar në drejtësi”.

Fusha ku shkëlqen me dritë verbuese mprehtësia analitike e Mërgim Korçës, është fusha e historisë së Shqipërisë, e periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, përmes një vargu polemikash me profesorë e akademikë, pra me përfaqësuesit e niveleve të larta të shkencave historike shqiptare. Pa pasur formimin shkollor të një historiani, por duke ecur në rrugën e tij autodidakte, përmes leximesh të shumta në gjuhët që zotëron, ndihmuar prej logjikës së tij të fortë, ndershmërisë dhe bindjeve solide demokratike, Mërgimi hartoi një varg analizash polemike, me akademikët Kristo Frashëri e Arben Puto, me profesorin Paskal Milo, etj.

Ai vë në dukje se vlerësimet që këta personalitete dhe të tjerë, kishin dhënë gjatë kohës së diktaturës, për ngjarjet e ndryshme të popullit shqiptar, ishin të gabuara, për shkak të politizimit. Kurse vlerësimet që po këta persona, vijonin t’u jepnin atyre ngjarjeve edhe mbas vitit 1992, njësoj si në kohën e diktaturës, për Mërgimin dëshmonin, se ata kishin mbetur skllevër të mendësisë komuniste, se u mungonte kuraja për të pranuar, se dikur kishin gabuar.

Kur fakte të rinj ishin bërë të njohur dhe kur ishin botuar interpretime ndryshe, qëndrimi i njëjtë i këtyre akademikëve dhe kolegëve të tyre, në radhë të parë buronte nga mungesa e karakterit, nga prishja e ndërgjegjes, që këta studiues e kishin pësuar gjatë regjimit komunist.

Variantet e Kolaboracionizmit dhe qëndrimi që duhet mbajtur ndaj tyre

Një nga temat më të rrahura në shkrimet e analistit Korça, është çështja e kolaboracionizmit, interpretimi i të cilit, e ndan atë prej gjithë atyre, që e kanë përdorur dhe interpretuar para tij. Sqarimi i tij për kolaboracionizmin shqiptar, përbën një nga sfidat më të mëdha që ky analist, u ka bërë studiuesve tanë të historisë së Shqipërisë. Kurse studiuesve të etnologjisë shqiptare, ky analist i ka bërë të skuqen, me analizën e hollësishme që ai i ka bërë kapitullit “VRASA” të Kanunit të Maleve.

Liderët e PKSh-së / PPSh-së, literatura politike dhe ajo shkencore e kohës së diktaturës komuniste dhe pas saj, e shpallën dhe e luftuan dukurinë kolaboracionizëm, bashkëpunim me pushtuesin, si të keqen më të madhe të kohës së Luftës së Dytë Botërore, si gogol për të manipuluar popullin dhe për të fshehur bëmat e tyre të ulta.

Veprimtarë të spikatur të çështjes kombëtare, të cilët shumë e shumë vjet që nga Rilindja, punuan për të mirën e atdheut, duke rrezikuar jetën dhe duke shkrirë pasurinë e tyre, gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të shpëtuar ç’ mund të shpëtohej nën pushtimin italian, ose atë gjerman, pranuan të bashkëpunonin me pushtuesin, duke marrë detyra të larta qeveritare, të cilat i ushtruan për një vit, ose diçka më gjatë, por si rregull, vetëm në interes të vendit.

T’i fusësh në një “thes”, qeveritë që u krijuan gjatë pushtimit, si qeverinë e Shevqet Vërlacit (prill 1939 – dhjetor 1941) me qeverinë e Mustafa Merlika Krujës (dhjetor 1941 – janar 1943), apo me Këshillin e Regjencës, që krijoi Parlamenti Shqiptar gjatë pushtimit gjerman (tetor 1943 – tetor 1944), me përfaqësues; Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Pater Andon Harapin dhe Fuat Dibrën, është miopi shkencore dhe poshtërsi politike.

Është miopi shkencore dhe poshtërsi politike, sepse qeveritë e vërteta kolaboracioniste, si ajo e Vërlacit, e pranuan bashkëpunimin, thjesht për interesa kolltuku, kurse Qeveria Merlika dhe Këshilli i Regjencës, e pranuan bashkëpunimin me pushtuesin, për të mirën e atdheut dhe jo për interesa kolltuku. Anëtarët e këtyre qeverive, biografinë atdhetare të të cilëve, Mërgimi e shpalos me fakte, dëshmon qartë se ata vunë peng nderin dhe atdhetarinë e tyre, për të mirën e kombit dhe jo për përfitime personale.

Mbështetur në fjalorë të ndryshëm dhe në të dhëna historike nga historia e shteteve të ndryshme të Europës, si Franca, Danimarka, Norvegjia, etj., që përjetuan pushtimin e huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore, Mërgimi shtjellon termat; “kolaboracionizëm” dhe “kuisling”, si koncepte dhe duke u mbështetur në të dhëna konkrete historike, arrin të sqarojë se në Shqipëri, nuk kemi pasur asgjë të ngjashme me Kuislingun e Norvegjisë dhe se në jetën shqiptare, duhet të dallojmë dy lloje kryesore kolaboracionizmi:

  1. Kolaboracionizëm për të mirën e atdheut dhe
  2. Kolaboracionizëm, për interesa egoiste personale pushtetdashëse.

Dhe këtu analisti Mërgim Korça, nuk ka fare parasysh një kolaboracionist të caktuar por, duke u mbështetur në materiale arkivore, në artikuj e fjalime të udhëheqësit kryesor të PKSh-së, shpalos qartë e bindshëm se; Enver Hoxha, me kërkesat e tij për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, botuar në plenume të PKSh-së dhe me nënshtrimin total ndaj Bashkimit Sovjetik të diktatorit Stalin dhe ndaj Kinës së Mao Ce Dunit, nuk ka qenë gjë tjetër, veçse një kolaboracionist për interesa egoiste personale, për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e, në çdo rrethanë.

Përfundimi i Mërgim Korçës, është i kuptueshëm nga të gjithë: historianët duhet t’i dënojnë parimisht të dy palët e kolaboracionistëve, si; Mustafa Merlikën, Pater Anton Harapin, Lef Nosin, të cilët regjimi komunist i dënoi me pushkatim sepse, bashkëpunuan me pushtuesit fashistë ose nazistë, për të mirën e atdheut, si edhe Enver Hoxën, që bashkëpunoi për 40 vjet, thjesht për interesat e tij egoiste pushtetdashëse, me Josif Broz Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin, duke e vënë Shqipërinë nën diktatin e tyre komunist antishqiptar.

Por, e gjithnjë ka një “por”, në analizë të fundit, të nxirren përfundime, se kush bashkëpunoi për t’i shërbyer vëndit e, kush për interesa, fillimisht grupi e, në vazhdim, interesa thjeshtë personale!

Disa konkluzione

Ing. Mërgim Korça, është një përfaqësues i intelektualit shqiptar atdhetar e modern. Dje, me veprat e tij inxhinerike, ai i zgjidhi shumë probleme mekanikës bujqësore shqiptare, në kohën e vështirë të diktaturës. Sot, duke shfrytëzuar mundësitë që i jep jeta e lirë në SHBA-ës, ai ka krijuar një tërësi veprash me vlerë, rezultatet e të cilave, duhet të merren parasysh prej atyre që po rishikojnë dhe do të rishkruajnë historinë e Shqipërisë.

Ky analist, bie në sy për njohuri enciklopedike, punë prej studiuesi sistematik, kujtesë te veçantë, guxim, etj; veti që i ka vënë shumë mirë në dukje dhe hartuesi i parathënies së librit të dytë, profesor Ardian Ndreca.

Mërgim Korça, si e ka karakterizuar dhe poeti e shkrimtari i njohur, ish-i dënuari politik, Visar Zhiti, tek parathënia e librit të tretë; “U fut fuqishëm dhe i sigurt në fushën e shkrimeve analitike, me bagazh të plotë dijesh dhe përvojë të njëmendët, jo si një trill i vonë i tij, që ia siguronin kushtet e lirisë, por u ndje i thirrur nga koha, për të thënë të vërtetën, aty ku ajo nuk dihej, ishte e mbuluar apo ishte e harruar, me qëllim ose jo, të zbulonte të panjohura me rëndësi kombëtare, që i japin dinjitet historisë sonë, atje ku ajo ishte bjerrur”.

Vlerësimi i tij me titullin “NDER I KOMBIT”, të cilin e ka merituar prej kohe, do të ishte thjesht një nder që qeveria e sotme shqiptare, i bën vetes dhe jo vetëm këtij inxhinieri dhe analisti, që kurdoherë ka hapur rrugë të reja, për ekonominë dhe mendësinë shqiptare.

Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, këto 25 vjet tranzicion, ka kryer krahas disa punëve të mira edhe një krim kombëtar, një punë anti-kulturë, duke mos treguar asnjë interes, për veprat që shkruajnë e botojnë, bijtë e shquar të diasporës së re shqiptare, si; Prof. Sami Repishti, Mërgim Korça, Eugjen Merlika, Pëllumb Kulla, Lek Pervizi, Ruben Avxhiu, etj., etj.

Sipas meje, ajo duhet të krijojë sa më parë një grup pune, për të realizuar një kolanë me vepra të zgjedhura, prej penave të spikatura që janë shquar gjatë këtyre 25 vjetëve, duke sjellë mendime të rinj për evoluimin e mendësisë shqiptare paskomuniste dhe për të korrigjuar gabime të ndryshme që i janë bërë historisë sonë kombëtare, nga të huajt dhe nga historianët tanë të politizuar.

Botimi i kësaj kolane në disa mijëra kopje dhe shpërndarja e saj në mbarë vendin, do të ndihmonte lexuesin e gjerë, sidomos studentët e degëve të shkencave humanitare, për t’i shfrytëzuar si literaturë plotësuese, për një formim më të shëndoshë shkencor. Memorie.al

Artikulli paraprakMes shqetësimeve për Rusinë dhe luftën në Ukrainë, lituanezët zgjedhin presidentin e ri
Artikulli tjetërDita e Infermierisë/ Drejtuesi i Urdhrit: Infermierët largohen për shkak të pagave të ulëta dhe kushtet e punës