Inzagi zgjedh pasardhësin

Filipo Inzagi në 360 gradë. Cili është sulmuesi më i fortë? Kë zgjedh mes Milanit dhe Lacios së vëllait të tij Simone? Cila është jeta prej trajneri? Ish-bomberi, aktualisht në krye të stolit të Venecias, rrëfehet në një intervistë të gjatë, për emisionin në “Tiki Taka”, në rrjetin “Mediaset”. “Milik dhe Ikardi më kanë mahnitur në këtë fillimsezoni, por më i miri mbetet Higuain, edhe pse Juventusi është i detyruar që të rikonfirmohet. Pengje nga aventura me Milanin? Jo, të gjitha eksperiencat të bëjnë më të fortë”.
-Pipo, sulmuesit e mëdhenj duhet të jenë gjithmonë në fushë. Si e interpretoni mungesën e Higuainit kundër Interit?
Sulmuesit e mëdhenj luajnë gjithmonë. Nëse një trajner ka një bomber në artilerinë e tij, duhet që ta hedhë në lojë. Pak kohë më parë ishte në modë “9 fals”, por unë mendoj se kjo është një mënyrë për të mbuluar faktin se nuk ke asnjë sulmues zone të vërtetë në grup. Higuain kundër Inter vërtet nuk luajti, por në vend të tij Juventusi i besoi Manxukiçit, një tjetër bomberi madhështor.
-Ikardi, Higuain dhe Milik, cila është analiza juaj mbi ta?
Ikardi është përmirësuar në vazhdimësinë që ka gjatë ndeshjes. Sezonin e kaluar ai dinte të shënonte gola, por nuk kishte atë vazhdimësi rendimenti në lojë që ka sivjet. Kundër Juventusit më mahniti, sepse i vetëm vuri në vështirësi mbrojtjen bardhezi, prandaj mund të them, se është në rrugën e duhur për t’u shndërruar në një bomber të madh. Pastaj Higuain… Gonzalo më pëlqen shumë. Te Napoli ishte i avantazhuar, sepse të gjithë luanin për të. Për mendimin tim, ai është sulmuesi më i fortë i Serisë A, por tani duhet t’i tregojë vlerat e tij edhe te Juventusi, pavarësisht se e ka nisur mjaft mirë. Ndërsa Milikun nuk e njihja mirë, ndonëse e pranoj që edhe ai më ka habitur. Fizikisht është një forcë e natyrës, por në të njëjtën kohë ka një shpejtësi të çmendur në ekzekutim. Përgëzime Napolit, sepse ka bërë me të vërtetë një blerje të madhe. Mendoj se Milik, së bashku me Gabiadinin mund të plotësojnë boshllëkun e lënë nga Higuaini. Pa Higuainin, të gjithë sulmuesit e Napolit do të shënojnë më shumë sesa kanë arritur një vit më parë.
-Alegri la jashtë Higuainin kundër Interit dhe u sulmua. Cilat janë mendimet, logjika që përdor një trajner përpara një ndeshjeje?
Që kur kam nisur të bëj rolin e trajnerit kam kuptuar se është shumë e thjeshtë të gjykosh nga jashtë. Duhet ta vlerësosh skuadrën ditë pas dite. Unë për shembull, këtu te Venecia, kam luajtur tri ndeshjet në 7 ditët e fundit dhe kam ndryshuar shumë dhe shpesh në formacion, sepse doja që të gjithë djemtë të ndiheshin të rëndësishëm. Padyshim që, pasi përfundon takimi, është normale që të ngresh dyshime sesi do të kishte shkuar ndeshja nëse do të kisha hedhur në fushë një lojtar në vend të një tjetri. Prandaj, nëse Alegri nuk vendosi të hedhë në fushë Higuainin ka pasur arsyet e veta, ndonëse gjithsesi, në fund, “Pipita” do ta mbyllë sezonin me të paktën 50 prezenca në fushë.
-Keni luajtur edhe me Juventusin… Si i kujtoni ato vite?
Në Torino jam ndier mirë. Në vitin tim të parë fituam kampionatin dhe më pas shënova në finalen e Superkupës së Italisë, përveçse luajtëm edhe finalen e Champions-it. Të gjithë tifozët e skuadrave ku kam luajtur më kujtojnë me mall dhe kjo më bën të lumtur. Por, më pas, Milani më ndoqi me këmbëngulje dhe në moshën 28-vjeçare iu dorëzova lajkave të kuqezinjve, ndonëse edhe te Juvja gjithçka shkoi bukur.
-Keni luajtur tri finale të Champions-it me Milanin. Cilat janë kujtimet?
Ajo e vitit 2003 ishte fantastike, sepse u përballëm me Interin në gjysmëfinale, ndërsa në finale me Juven. Dridhem kur kujtoj se çfarë ishte në ato kohë futbolli italian. Në finalen e Stambollit (2005) isha në tribunë, por i dëmtuar, po kështu edhe kundër Bokas (Kupa Interkontinentale) dhe i humbëm të dyja. Por më pas, në vitin 2007, fati deshi që të përballeshim sërish me ato, në të dyja finalet, ku unë shënova 4 gola gjithsesi, dhe të fitonim ndaj tyre.

Artikulli paraprakKarlos Baka shpëtimtari i Milanit
Artikulli tjetërDortmundi fitore me goleadë, ndaj Wolfsburg