Iordanescu do fitoren ndaj Shqipërisë

Nga barazimi ndaj Zvicrës te sfida e fundit në grup kundër Shqipërisë, që mund të vlejë kualifikimin për më tej. Te Rumania, pas asaj pike të marrë ndaj përfaqësueses helvete në “Parc Des Princes”, e kanë hedhur vështirimin te ndeshja e së dielës ndaj kombëtares kuqezi që do të zhvillohet në Lyon. Barazimi me Zvicrën ka lënë pasoja, sespe disa lojtarë në fund të ndeshjes kanë patur probleme fizike. Ky fakt e shqetëson jo pak trajnerin e përfaqësueses ballkanase, Anghel Iordanescu, i cili në prononcimin e tij për mediat bëri të ditur se, përballë Shqipërisë do të bëjë disa ndryshime në formacion nëse futbollistë si Rat, Pintilli e Stancu nuk arrinë të riaftësohen në kohë nga dëmtimet respektive.
“Morëm një pikë ndaj Zvicrës dhe jemi në lojë për kualifikimin. Tashmë gjithçka varet vetëm nga ne. Duhet të fitojmë me çdo kusht ndaj Shqipërisë edhe pse e dimë që nuk do ta kemi të lehtë. Do të bëjmë ndryshime në takimin e fundit në grup, nëse nuk arrijmë të rikuperojmë të dëmtuarit. Razvan Rat ka disa probleme muskulore dhe do të jetë shumë e vështirë që ai të jetë gati  pas vetëm 3 ditësh.  Gjendja e Pintillit është akoma edhe më serioze dhe me shumë gjasa do të mungojë ndaj Shqipërisë. Edhe Stancu ndien lodhje fizike, por ai gjithsesi ai ka më shumë mundësi për t’u riaftësuar në kohë. Kemi në skuadër futbollistë pa eksperiencë në eventimente të mëdha ndërkombëtare, dhe ky fakt ndikon negativisht te ne. Vetëm një lojtar nga 23 futbollistët e grumbulluar ka marrë pjesë më herët në një kampionat Europian”.
Ndaj Zvicrës, Rumania kaloi në avantazh me sulmuesin Bogdan Stancu, ndërkohë që barazoi shifrat në pjesën e dytë futbollisti me origjinë shqiptare Admir Mehmedi. Të dy golat që ka realizuar në këtë europian përfaqësuesja ballkanase i ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.

Artikulli paraprakRumania, tre titullarë në dyshim
Artikulli tjetërBerisha dhe Abrashi: Nuk e meritonim humbjen!