Në Rumani askush nuk do ta dëshironte pozicionin e Anghel Iordanescut pas humbjes 1-0 me Shqipërinë, rezultat që e nxori Rumaninë jashtë Euro 2016 që në fazën e grupeve. Trajnerit të shekullit të futbollit rumun iu drejtua një pyetje thumbuese, nëse ishte kjo disfata e shekullit për Rumaninë. Përgjigjja e 64-vjeçarit ishte e ashpër.
“Ju gazetarët gjithmonë tentoni t’ia prishni imazhin futbollit. Nuk besoj se keni qenë gjithmonë konstruktivë në jetën tuaj. Për mendimin tim dhe për të qenë i ndershëm, humbje gjithmonë është humbje dhe ne jemi të keqardhur për atë që ndodhi. Patëm shumë raste shënimi. E nisëm ndeshjen mirë, e kontrolluam lojën, por për shkak të një gabimi në fazën mbrojtëse pësuam gol”, u shpreh Iordanescu.
Iordanescu është i bindur se ndeshja do të kishte marrë tjetër rrjedhë nëse Rumania do të konkretizonte të paktën një nga rastet e shumtë për shënim.
“Në pjesën e dytë ne u përpoqëm të impononim stilin tonë të lojës dhe të kishim zotërimin e topit. Për fat të keq, nuk arritëm të shënonim. Nëse kjo do të ndodhte, do të kishim tjetër ndeshje. Përsa i përket pyetjes suaj nëse ishte ky turpi i shekullit për futbollin rumun, le të më gjykojë shtypi rumun më mirë”, përfundoi trajneri i Rumanisë.