Ipeshkvijtë e Shqipërisë në mbështetje të protestuesve

Ipeshkvijtë e Shqipërisë mbajnë qëndrim për gjendjen e Kukësit, pas protestave të ditëve të fundit për taksën e Rrugës së Kombit. Në një deklaratë të djeshme për shtyp – “me shpresë se do të japim kontributin tonë si pjesëmarrës në jetën sociale dhe shpirtërore të vendit”, siç shkruajnë – ata theksojnë:

“Së pari, mbështesim çdo nismë civile që kërkon të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve. Është e drejtë e çdokujt që kur i duket e arsyeshme, të protestojë e të thotë fjalën e tij, vetëm apo i mbledhur së bashku me të tjerë.

Së dyti, ne dënojmë si moralisht të papranueshme çdo sjellje dhune ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe ne bëjmë apel që ajo të shmanget në çdo nismë të ligjshme për kërkimin e të drejtave personale apo komunitare. “Kisha nuk mund të pranojë dhunën …. sepse dhuna sjell gjithmonë dhunë dhe prodhon në mënyrë të pashmangshme forma të reja të shtypjes dhe të skllavërisë, më të rënda se ato që ajo pretendonte të çlironte” (Papa Pali VI).

Së treti, ne u bëjmë apel institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë. Jemi të vetëdijshëm se rrugët, apo çdo objekt që ka të bëjë me të mirën e përbashkët, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe kjo duhet bërë. Por gjithashtu, sikurse e kemi shprehur edhe në letrën tonë për Krishtlindjet e vitit 2017, duhet kujdes ndaj personave, grupeve shoqërore dhe zonave që janë më në nevojë. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që hendeku i krijuar midis të pasurve dhe të varfërve të ngushtohet, sidomos i atyre të zonave të thella e periferike”./Radio Vatikani

Exit mobile version