Iran, qeveria bllokon internetin prej 5 ditësh për shkak të protestave

Në Iran ka hyrë në ditën e pestë të saj një vendim për ndërprerje të internetit në shkallë të gjerë që synoi shtypjen e protestave antiqeveritare. Ndërkohë të enjten u vu re rikthimi i internetit në një pjesë të vogël të territorit.

Në një seri poshtimesh të enjten, grupi i monitorimit të internetit me qendër në Londër “NetBlocks” tha se bllokimi pothuajse i përgjithshëm i internetit në Iran nisi të lehtësohej pas 113 orësh, që llogaritej në shkallë kombëtare deri në 10 për qind. Qasja në internet ra në rreth 5 për qind të shtunën dhe kryesisht mbeti në këtë nivel deri pasditen e së enjtes me orën lokale të Iranit.

Agjencitë shtetërore iraniane të lajmeve raportuan se autoritetet po rivendosin gradualisht lidhjen me internetin në disa rajone, përfshirë provincën jugore të Hormozgan-ut kur ndodhet porti kryesor ai i Bandar Abbasit.

Duke folur përpara gazetarëve në Teheran sekretari i Këshillit Suprem për Qasjen në Internet Abolhsan Firouzabadi tha se më vonë gjatë ditës së enjte autoritetet do të merrnin një vendim nëse do të rikthejnë internet, ndërprerja e të cilit i shkaktoi dëme të mëtejshme një ekonomie tashmë të dobësuar nga sanksionet amerikane dhe korrupsioni qeveritar. Ai tha se shpreson që ndërprerja të përfundojë “brenda dy ditëve të ardhshme”.

Autoritetet iraniane vendosën ta mbyllin internetin për të ndaluar aktivistët e opozitës që të komunikojnë e të postojnë imazhe në internet të protestave mbarëkombëtare që shpërthyen të premten e kaluar si përgjigje ndaj vendimit të papritur të qeverisë për të rritur me 50 për qind çmimin e subvencionuar të benzinës.

Të shtunën protestat u përhapën në më shumë se 50 qendra urbane të Iranit, sipas pamjeve filmike të verifikuara nga Shërbimi Persian i “Zërit të Amerikës”.

Shumë iranianë e shohin rritjen e çmimit të gazit si një tjetër barrë që rëndon mbi ta në një kohë të përkeqësimit të kushteve ekonomike. Monedha iaraniane ka pësuar rënie krahasuar me dollarin, ndërsa inflacioni dhe papunësia janë së fundmi për shkak të vendimi të SHBA-së për të forcuar sanksionet ekonomike që synojnë të ushtrojnë presion ndaj Teheranit për të ndaluar sjelljet malinje.

Korrupsioni qeveritar dhe keqmenaxhimi gjithashtu kanë kontribuar në situatën e vështirë që po kalon vendi.

Të enjten Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike tha se i kishte rikthyer “qetësinë” vendit pas shtypjes së protestave. Televizioni shtetëror pasqyroi më shumë imazhe nga tubimet në të gjithë vendin në mbështetje të qeverisë.

Mediat shtetërore njoftuan për arrestimin e të paktën një mijë personave, të cilët autoritetet i akuzojnë për përplasje të dhunshme me forcat e sigurisë si dhe dëmtim të bizneseve e plaçkitje.

Shumë prej protestave antiqeveritare që shihen në pamjet filmike të ditëve të para të trazirave, ishin paqësore.

Ndërprerja e vazhdueshme e internetit në Iran e bën të vështirë të verifikohet nëse demonstratat kanë përfunduar. Shërbimi Persian i “Zërit të Amerikës” nuk ka marrë asnjë njoftim të enjten për protesta në Iran.

Qeveria e Iranit nuk ka lëshuar shifra mbi numrin e njerëzve të vrarë e të plagosur gjatë protestave, por ka thënë se në mesin e të vrarëve janë disa punonjës të sigurisë.

Artikulli paraprakPresidenti Trump: Do t’i bëj publike të dhënat e mia financiare
Artikulli tjetërPas takimit në Presidencë, Gjykata Kushtetuese fshin emrin e Besnik Muçit nga faqja zyrtare, mbeten 4 anëtarë