Agjencia e lajmeve RIA e ka cituar ministrin e Jashtëm iranian të ketë thënë se, Teherani po mban bisedime me Rusinë lidhur me shitjen e “ujërave të rënda”.
“Ujërat e rënda” nuk janë radioaktive, por mund të përdoren për prodhimin e armëve bërthamore, si dhe energjisë bërthamore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 ndërmjet Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe pesë fuqive të tjera të mëdha botërore, Teherani ka përgjegjësi që të reduktojë rezervat e “ujërave të rënda”.
Marrëveshja bërthamore e lejon Iranin që të përdorë “ujërat e rënda” në reaktorin e modifikuar bërthamor, Arak.
Por, ajo duhet të shesë, ta hedhë, ose nën kushte të caktuara, ta bëjë shkatërrimin e çdo furnizimi të tepërt me “ujëra të rënda” dhe me uranium të pasuruar.