Irani kërcënon me rritjen e nivelit të pasurimit të uraniumit

Irani po e rrit nivelin e pasurimit të uraniumit përtej niveleve të lejuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që vendosi kufizime ndaj programit bërthamor të vendit.

Teherani e njoftoi këtë ndryshim të dielën. Agjencia Reuters tha se Irani mund ta rrisë nivelin e pasurimit në 5% për të prodhuar karburant për termocentralet.

Britania i bëri thirrje Iranit të “ndalë menjëherë dhe të zhbëjë” të gjithë hapat që nuk janë në përputhje me marrëveshjen, sipas së cilës pati pranuar kufizimet ndaj programit të tij bërthamor, në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Franca deklaroi se lëvizja e Iranit është një “shkelje” e paktit ndërkombëtar, ndërsa Gjermania i bëri thirrje Teheranit “të ndalë dhe kthejë mbrapsht të gjitha aktivitetet jo në përputhje” me marrëveshjen e nënshkruar katër vite më parë. Bashkimi Evropian tha se palët nënshkruese që vazhdojnë t’i përmbahen paktit, pas largimit vitin e kaluar të Shteteve të Bashkuara, janë duke shqyrtuar zhvillimin e një takimi emergjence për të vendosur për reagimin që do të pasojë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, një kundërshtar i hershëm i Iranit, tha se “pasurimi i uraniumit bëhet për një qëllim të vetëm – për krijimin e bombave bërthamore”.

Javën e kaluar, Irani njoftoi se e kishte tejkaluar kufirin e uraniumit të pasuruar prej 300 kilogramësh, por zyrtarët, përfshirë Ministrin e Jashtëm Mohammad Javad Zarif, thanë se Teherani ishte gati t’i respektonte përsëri kufizimet e vendosura nga marrëveshja, nëse do të merrte ndihmën ekonomike nga vendet e tjera të përfshira në marrëveshje.

Presidenti iranian Hassan Rouhani kohët e fundit tha se vendi i tij do të fillojë pasurimin e uraniumit në nivele më të larta, nëse nuk lehtësohen sanksionet nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së vitit 2015.

Marrëveshja e ndalon Iranin të prodhojë uranium të pasuruar mbi nivelin 3.67% dhe e lejon të mbajë vetëm 300 kilogramë nga ky lloj materiali në rezervat e vendit.

Exit mobile version