Irena Beqiraj: Berisha nuk lejon krijimin e një alternative të re, duke e bërë çështjen e tij kauzë të PD-së!

Irena Beqiraj ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka komentuar aksionin e opozitës, e cila tashmë është rreshtuar me Sali Berishën dhe në mbrojtje të tij, pas “goditjes” nga SPAK.

Beqiraj tha se opozita nuk mund të fitojë me mentalitetin e “luftës”, por ka nevojë të shpalosë alternativë të re dhe t’i bëjë njerëzit të votojnë për të.

“Ndoshta zoti Berisha është në kushtet, që do të përdorë çdo gjë për të mbrojtur veten. Mendoj se Rama do të vijojë të rrijë në pushtet, sa më pak njerëz të marrin pjesë në zgjedhje. Herën e fundit bëri këngë e valle. Ai nuk do të marrin pjesë njerëzit në votime, tha ose këndoni me mua ose mos merrni pjesë fare në votime. Ndërkohë, opozitës i duhet e kundërta, sa më shumë njerëz të votojnë.

Por, fushatat negative nuk i çojnë njerëzit te kutitë e votimit. Kjo e folur agresive, me këtë luftën opozitare, me grushte, nuk i çon në kutitë e votimit. E vetmja gjë që i çon njerëzit në kutitë e votimit, është kur shohin një alternativë të re. Duke e bërë kauzën e tij, një çështje për PD-në, nuk do të lejojë të ngrihet një alternativë. Do të harxhojnë të gjithë energjitë duke u marrë me zotin Berisha.

Ne na intereson, çfarë modeli ekonomik do të kemi, çfarë alternativash do të kemi? E shoh si strategji të gabuar, që nuk do t’i shërbejë as zotit Berisha dhe as grupimit për t’u ringritur. Mbetemi te modeli që flet lideri dhe grupi shkon pas. Them, po nuk më le lirinë e fjalës nuk më lë as lirinë e të menduarit. Besoj se ka aty njerëz që nuk mendojnë se kjo është e gjithë kauza”, tha ndër të tjera Beqiraj.

Exit mobile version