IREX: Gazetarët nën presion nga grupet kriminale dhe policia

Organizata IREX arrin në përfundimin se gjendja e medias në Evropë dhe Euroazi, nuk ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas Indeksit për Aftësinë e Medias që të luajë rolin e saj jetik si pushteti i katërt në një vend, përmbajtja e njëanshme, autocensura, ndikimi i Kremlinit dhe rënia e të ardhurave, kërcënojnë lirinë e medias në 21 vende në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, sipas analizës së IREX-it.
Në një sistem që i ndan vendet në katër kategori, Shqipëria dhe Kosova janë në grupin e tretë që i ka arritur pothuajse të gjitha objektivat për të pasur një media të lirë, por mund t’u duhet më shumë kohë që të arrijnë një ndryshim të qëndrueshëm.
Ndërsa Maqedonia është në një grup më poshtë, mes vendeve që i arrijnë objektivat vetëm minimalisht dhe ka pësuar rënie nga një vit më parë. Indeksi i saj është 1.62. Kategoritë që merren në shqyrtim në raportin që IREX e bën në bashkëpunim me USAID-in, janë liria e fjalës, shkalla e profesionalizmit, larmia e burimeve të lajmeve, menaxhimi i biznesit dhe mbështetja e institucioneve.
Indeksi mesatar për Shqipërinë është 2.55, i pandryshuar nga vjet, ndërkohë që për të arritur të gjitha objektivat duhet të ketë një indeks prej të paktën 3.01.

Liria e fjalës

Në raport thuhet se në vitin 2015, media në Shqipëri arriti me sukses të shmangte disa përpjekje për të ndryshuar kuadrin ligjor në dizavantazh të lirisë së shprehjes. Raporti përmend si shembull nismën e qeverisë për të ndryshuar Kodin Penal duke shtuar si shkelje të Ligjit “Shpifjen kundër një zyrtari të lartë ose të zgjedhur shtetëror”, që parashikonte një dënim deri në tre vjet burg.
Në raport thuhet se ky lloj legjislacioni do të ishte një hap prapa përsa i takon kuadrit të lirisë së shprehjes. Nga ana tjetër konsiderohet si pozitiv, reagimi i fuqishëm i medias dhe shoqërisë civile që e detyruan qeverinë ta tërheqë nismën.
Një tjetër çështje që shkaktoi debat ishte nisma parlamentare për t’iu imponuar ligjërisht administratorëve të portaleve elektronike, përfshirë faqet elektronike të gazetave, që të mos botojnë komente të lexuesve që prekin reputacionin e dikujt. Projektligji synonte të paraqiste amendamente për Kodin Civil. Megjithëse ka mendime që kjo çështje mund të zgjidhet përmes rregullave të brendshme të organeve të medias, ekziston shqetësimi se kjo është e vështirë të realizohet kur mungon një organizëm për të monitoruar zbatimin e Kodit të Etikës së Gazetarit.
Raporti vlerëson si hap pozitiv miratimin e Ligjit për “Njoftimin publik dhe konsultimin”, që detyron ata që hartojnë ligjet që të fillojnë procesin e njoftimit dhe konsultimit me publikun, para se të dërgohet variant përfundimtar në Parlament.
Megjithatë, sipas IREX-it, kuadri i përgjithshëm kushtetues dhe ligjor që mbron lirinë e shprehjes, mbetet një nga tiparet themelore në median e Shqipërisë.
Duke analizuar, procesin e licencimit, një nga problemet është kriza politike që ka paralizuar Autoritetin e Medias Audiovizuale, për shkak të konfliktit politik mes dy palëve politike, duke pasur parasysh strukturën dypartiake, që në vend që të sigurojë pavarësinë e ka bërë këtë institucion viktimë të presioneve politike.
Paneli arriti në përfundimin se hyrja në treg për organet e medias mbetet e lirë. Krimet kundër gazetarëve janë të rralla, por ndodhin ndonjëherë, shpesh në formën e presioneve dhe kërcënimeve nga grupe kriminale, keqtrajtim nga policia dhe fyerje nga ana e zyrtarëve të qeverisë ose politikanëve. Në raport përmendet mes të tjerash rasti i deklaratës së protestës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë për sjelljen ofenduese të Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares së “TV Klanit”, Erisa Zyka.
Në raport përmenden edhe kërcënimet ndaj gazetarit investigativ, Artan Hoxha.  Raste të tjera ishin sjelljet kërcënuese dhe agresive të dy deputetëve kundër një gazetari të “Top Channel”-it dhe një kameramani të televizionit “ABC”, si edhe kërcënimi ndaj gazetares së “Gazetës Shqiptare”, Aurora Koromani. Unioni ka denoncuar edhe raste të tjera kërcënimi dhe dhune ndaj gazetarëve lokalë.
Raporti arrin në përfundimin se Radio Televizioni Shqiptar mbetet krejtësisht i pareformuar, pasi Këshilli Drejtues i RTSH-së për më shumë se një vit nuk arriti të zgjidhte drejtorin e Përgjithshëm, për shkak të ndërhyrjeve të partive politike. RTSH-ja vazhdon, sipas pjesëtarëve të panelit, të funksionojë si televizion i çdo qeverie që është në pushtet.
Më 2015-ën, numri i çështjeve gjyqësore kundër medias dhe gazetarëve vazhdoi të ishte i ulët.
Në vitin 2015, organet e medias njoftuan për keqësimin e qasjes tek informacioni nga institucionet publike. Qasja ndaj informacionit është gjithashtu e vështirë në zonat që iu nënshtruan reformës administrative. Sipas ligjit për qasje në infomacion dhe institucione publike, rreth 80 për qind e informacionit duhet të jetë në dispozicion të gazetarëve dhe qytetarëve, pa pasur nevojë që ta kërkojnë. Megjithatë zyrat e informacionit nuk përgjigjen në mënyrë të përshtatshme, pasi dhënia e informacionit konsiderohet si privilegj dhe jo si detyrim ligjor.
Një nga problemet e tjera është zbatimi i standardeve për paprekshmërinë e pasurisë intelektuale.

Profesionalizmi në gazetari

Raporti kritikon ashpër standardet profesionale dhe arrin në përfundimin se gazetaria në Shqipëri i plotëson vetëm pjesërisht normat e pranueshme. Gjendja është edhe më e keqe në median lokale. Një tjetër problem sipas panelistëve është se gjithnjë e më shumë po hiqet dorë nga parimi i verifikimit të lajmeve me dy burime.
Hyrja në treg e Rrjetit për Gazetari Investigative në Ballkan (BIRN) në mars 2014, shihet si një zhvillim pozitiv.
Konkurrenca për të nxjerrë të parët lajmin, konsiderohet si një nga rreziqet për standardet pasi shihet shpejtësia dhe jo saktësia e lajmit. Media nuk vuan pasoja nga raportimi i pasaktë.
Po ashtu, presioni politik ul standardet e gazetarisë dhe çka e keqëson gjendjen është se disa pronarë mediash kanë lidhje të forta politike, çka ka sjellë si rezultat shfaqjen e gazetarëve partiakë, duke paraqitur një nivel tjetër të raportimit të njëanshëm. Megjithëse ekziston Kodi i Etikës, standardet nuk zbatohen mjaftueshëm. Problemi keqësohet sepse nuk ka një institucion që do të kërkonte zbatimin e standardeve etike dhe pasoja për ata që i shkelin vazhdimisht.
Panelistët bien dakord gjerësisht se autocensura është një praktikë shumë e përhapur tek gazetarët, kryesisht e drejtuar nga interesat e pronarëve të medias. Përndryshe gazetarët druhen se humbin vendin e punës.
Ky përfundim përputhet edhe me përfundimet e një ankete të BIRN-it.
Përveç autocensurës. Gazetarët dhe media janë të lirë të mbulojnë çdo lajm, sidomos në Tiranë.
Rrogat e gazetarëve janë të pamjaftueshme për standardet e jetesës. Nga ana tjetër mospagimi i gazetarëve për periudha të gjata kohore është tani një sëmundje kronike.
Media private duket më e përparuar sesa ajo publike, përsa i takon gazetarisë investigative, por investigimet mbeten sipërfaqësore, veçanërisht përsa i takon mbulimit të ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.
Si përjashtime përmenden emisionet “Fiks Fare” dhe “Stop”.

Larmia e mediave

Përsa i takon larmisë së medias, raporti thotë se organet e medias janë të shumta dhe të larmishme, duke mbuluar gjithë spektrin politik.
Pas një dominimi prej vitesh të televizioneve që e dobësoi shtypin e shkruar, në dekadën e tretë shtypi përballet me konkurrencën e rrjeteve sociale, ku mbizotëron Facebook.
Nuk ka pengesa të natyrës politike në këtë drejtim, por sfida e vazhdueshme është ana ekonomike dhe mungesa e infrastrukturës. Ka grupe sociale që nuk i përballojnë shërbimet e medias private përmes platformave me kabëll dhe dixhitale.

Menaxhimi i medias dhe institucionet mbështetëse

Vështirësitë ekonomike e kanë detyruar median të përforcojë përpjekjet për të përmirësuar menaxhimin e brendshëm, si për shembull planifikimi i shpenzimeve për stafin, teknologjinë ose programet e bazuara tek burimet specifike financiare. Këto përpjekje kanë bërë të mundur që ato të përmirësojnë gjendjen financiare.
Ndërsa gjendja e medias së shkruar përshkruhet me terma fataliste, ndërsa televizionet kombëtare dhe ato lokale po investojnë shumë në teknologji moderne. Një shembull që përmendet është “Top Channel” me studiot e reja moderne.
Shpërndarja e reklamave nga institucionet publike vazhdon të bëhet në përgjithësi në bazë të klientelizmit politik.
Shoqatat e botuesve dhe pronarëve të medias ekzistojnë prej kohësh, por aftësia e tyre për të lobuar qeverinë ose Parlamentin është pothuajse joekzistente. Mungesa e ndikimit të tyre i detyrohet faktit që nuk funksionojnë si biznese të mirëfillta, por janë në shumicën e rasteve nisma individuale të pronarëve dhe jo misionerë të shtypit të lirë dhe janë të lidhur me median për shkak të fitimeve që mund të nxjerrin.

Exit mobile version