Irlandë, aksion të gjerë kundër mafies shqiptare të drogës

Garda Speciale në Irlandë po kryen një sërë operacionesh të fshehta kundër anëtarëve të mafies shqiptare që vepron atje dhe që kanë arritur deri më tani, të çojnë rreth 1 milion euro kanabis, e konfiskuar ditët e fundit. Një hetim i veçantë i ‘Herald’ ka zbuluar se gangsterët shqiptarë kanë pastruar paratë nëpërmjet bizneseve të larjes së makinave nëpër Dublin.
Në bastisjen më të fundit në zonën e Parkut të Westbrook të Balbriggan, në veri të Dublinit, oficerët e policisë kanë konfiskuar rreth 360 mijë euro kanabis, ndërsa në dy aksione të tjera janë sekuestruar sasi të mëdha kanabisi.
Në operacionin e gjerë janë angazhuar edhe organet inteligjente si dhe policia elitë kundër trafikut të drogës dhe organet e krimit të organizuar. Gangsterët shqiptarë sipas mediave irlandeze shesin një kg rrëshirë kanabisi nga 5 mijë euro në 3 mijë euro, më lirë se shitësit e tjerë.
Nga ana tjetër, hyrja në lojë e gangsterëve shqiptarë ka rritur tensionet në rrugën e Dublinit për shkak se kriminelët irlandezë mendojnë se ata janë duke i “hequr nga puna”.
Sipas një vlerësimi të Gardës, sasia e drogës që qarkullon në rrugë është rreth 20 mijë euro, varësisht nga pastërtia. “Ata janë duke zhvlerësuar këdo”, tha një burim natën e fundit. “Ata në fakt pretendojnë të jenë shtetas italianë dhe janë duke i pastruar paratë nëpërmjet bareve të vogla dhe lavazheve të makinave. Fara e keqe që po shitet aktualisht kultivohet në vendin e tyre dhe ata e sjellin këtu të paketuar me vakum dhe gati për ta shitur”.
Faqja irlandeze shkruan se mafia shqiptare është një nga organizatat më të frikshme të krimit në Evropë, pasi shumë prej anëtarëve të saj janë shumë profesionistë, me disa ish-rekrutë nga ushtria shqiptare, kosovare apo ruse.

Exit mobile version