Jose Mourinho u jep një “shuplakë” kritikëve që bënë përgjegjës portugezin për tri humbjet radhazi brenda një jave të Manchester United, me City-n në derbi me Fejnoordin në Europa League dhe me Watfordit në javën e 5-të të Premier Leagues. Pas fitores 3-1 me Northampton në Kupën e Ligës, 53-vjeçari me stilin e tij unik, ironizoi ata që e kanë sulmuar në këtë fillim sezoni, duke i quajtur “Einstein” të futbollit.
“E di që bota është plot me “Einstein”. Këta “Einstein” provuan të fshinin 16 vite të karrierës sime dhe të eliminonin historinë e pabesueshme të klubit për tre rezultate negative. Por kjo është e reja e futbollit që është mbushur me “Einstein”, u shpreh Murinjo.
Mourinho më pak i siguroi tifozët e “Djajve të Kuq” se, rezultatet nuk do të mungojnë, ndaj ata duhet të jenë si gjithmonë në krah të skuadrës. “Unë e kuptoj shumë mirë që fansat janë të zhgënjyer me rezultatet e javës së kaluar. Por unë jam i sigurtë se, në ndeshjen e shtëpisë me Leicesterit ata do të jenë aty për ta na mbështetur siç kanë bërë gjithmonë”, tha ai.
Manchester United renditet në vendin e pestë në Premier League në kuotën e 9 pikëve, 6 më pak se Manchester City që kryeson me pikë të plota.
Kriza e Junajtid
Tri humbje radhazi kanë turbulluar ujërat në kampin e Mançester Junajtid dhe trajneri Zhoze Murinjo është kritikuar shumë për këtë ecuri. Mirëpo, ai është nga ata trajnerë që merr përgjegjësitë shumë rrallë dhe kërkon ta gjejë fajin te tjetri. Pak ditë më parë tha se, fajtor për humbjen ndaj Uatfordit ishin gjyqtarët, ndërsa tani ka sulmuar ish-trajnerin e “djajve” Luis Van Gal. Ai ka thënë se futbollistët e tij kanë mësuar një mënyrë loje të çuditshme dhe i duhet kohë për të ndryshuar stilin.
“Ecuria e dobët e Junajtid është për fajin e Van Galit. Lojtarët janë të fiksuar pas një loje të çuditshme”, ka thënë Murinjo. Kjo deklaratë e trajnerit portugez ka bërë xhiron e botës, por të gjithë e kritikojnë portugezin që mundohet të gjejë problemet tek të tjerët.
Ata i kujtojnë Murinjos se një nga problemet kryesore të Mançesterit është loja e dobët e Pogbasë, i cili u transferua te “djajtë” gjatë kësaj merkatoje, duke u shndërruar në lojtarin më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Kur u prezantua si trajner i Junajtid, Murinjo e vlerësoi Van Galin për punën e bërë, por tani që është në vështirësi e ka kritikuar. Të gjithë po presin reagimin e trajnerit holandez, Van Gal.