Me afrimin e datës së zgjedhjeve më 11 maj, kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik në qarkun Tiranë, Irsida Shehi, ka reaguar mbi një nga çështjet më delikate të procesit zgjedhor: anonimatin e votës. Ajo ka bërë thirrje që qytetarët të lirohen nga frika dhe komplekset që janë kultivuar ndër vite nga subjekte politike të cilat, sipas saj, kanë ndikuar mbi vullnetin e lirë të individit.
Shehi nënvizon se vota është e shenjtë dhe e fshehtë, dhe askush nuk ka të drejtë ta tjetërsojë apo të ushtrojë presion mbi qytetarin për zgjedhjen e tij politike. Në një vend ku për vite me radhë frika është përdorur si mjet kontrolli, është koha që qytetarët të zgjedhin me bindjen e tyre, dhe jo me presionin e të tjerëve.
Kandidatja thekson se këtë vit, me ndihmën e SPAK dhe ngritjen e Task Forcës për krimet zgjedhore, është krijuar një mburojë më e fortë për qytetarët. Do të funksionojë edhe një platformë për denoncime, si dhe një numër emergjence, për të garantuar që çdo qytetar të votojë i lirë dhe i mbrojtur nga çdo formë ndërhyrjeje apo intimidimi.
“Sot, më shumë se kurrë, është momenti që qytetarët të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Vota nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një përgjegjësi që duhet ushtruar me ndërgjegje të plotë,” – përfundon reagimi i saj.
Reagimi i plotë i Irsida Shehit:
“Anonimati i votës
Një nga shqetësimet kryesore që ndjek çdo fushatë dhe sidomos ditën e votimit është anonimati i votës apo ndryshe fshehtësia e saj. Si një vend ku më thjeshtë është të veprosh nëpërmjet frikës sesa nëpërmjet asaj që vetë do, subjektet politike, kryesisht ato që janë mësuar që vullnetin e individit ta tjetërsojnë, e kanë tepër të lehtë ta përdorin si mjet për të arritur qëllimin përfundimtar. E duhet të pranojmë që ka funksionuar më së miri.”
“Mirëpo si çdo vend që ecën përpara, ne qytetarët duhet të shkëputemi nga frikëra të paqena dhe të kuptojmë se asnjë votë nuk shikohet nga askush që qëndron jashtë kutisë së votimit. Asnjë person nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vullnetin e asnjë individi. Se vota ka rëndësi jetike dhe ndikon te ty personalisht ndaj nuk mund ta udhëheqë dikush tjetër për ty.”
“Dhe sot kjo mbrojtje bëhet më e fortë me ndihmën e SPAK. Me ngritjen e Task Forcës për krimet zgjedhore do jetë dhe një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjence e cila të ndihmon pikërisht, që ditën e votimit, të shkosh si një njeri i lirë, me mendjen tënde, për të votuar atë që ti mendon se është alternativa e duhur. Ndaj më 11 maj le t’i largojmë këto komplekse dhe të vendosim vetë fatin tonë.”