Isa Sakja: Rikuperuam 7076 vota diferencë nga viti 2015

-Si e priti anëtarësia kandidimin e Isa Sakjes?
Anëtarësia e PD duke qenë se unë jam kryetar i PD së degës, mirëpriti kandidimin tim dhe u shndërrua në një ekip gjigant që fushatoi për katër javë rresht derë më derë, zemër më zemër qytetari, sepse për ne qytetari është i pari. Në këtë sfidë ne patëm edhe një plus tjetër shumë të madh; faktin që në listën e kandidatëve për Kuvendin e Shqipërisë ishin 4 djem, drejtues të PD në qytet, përfaqësues familjesh qytetare të qytetit. E gjithë anëtarësia kishte motivimin maksimal për të çliruar qytetin nga krimi dhe përfaqësuesit e saj, sepse u ndje e vlerësuar nga propozimet përfaqësuese.

-Sa vota u rikuperuan në Bashkinë Kavajë në krahasim me zgjedhjet e kaluara?
Kemi rikuperiar 7076 vota diferencë nga viti 2015 plus 28. Jashtë çdo modestie ndjehem krenar për strukturën e Partisë Demokratike Kavajë, për Forumin Rinor të degës Kavajë, për Lidhjen e Gruas së PD Kavajë. Të gjitha energjitë pozitive, në një periudhë muaji të shenjtë të Ramazanit, pjesa më e madhe e tyre me agjërim, kanë punuar mbi 20 orë në ditë për fitoren. Besoj se sakrifica e tyre sublime u shpërblye me një fitore që përveçse ka simbolikën e saj të padiskutueshne, me rikthimin e Kavajës në shtratin e saj normal të vlerave, është një betejë e fituar mundimshëm me krimin, drogën dhe investimet e tij.

-Si u zhvillua fushata, a pati presione dhe tentativë për blerje votash në zonën tuaj, duke pasur parasysh se nga kush mbështetej rivali juaj?
Ne zhvilluam një fushatë pozitiviste, mbështetur në zbërthimin e një programi për Kavajën me zhvillim të qëndrueshëm, program i punuar nga ekspertët më të mirë të Partisë Demokratike dhe që më pas u pasurua me mendimet e sygjerimet e qytetarëve të ftuar në dy javët e para të fushatës në bashkëbisedime në çdo lagje të qytetit. Unë personalisht i jam pafundësisht falenderues anëtarësisë së PD Kavajë që u unifikua në një bashkim eksperiancash dhe energjie rinore në këtë fushatë. Punuam të gjithë për një qëllim dhe fituam. Bashkia Kavajë hyri në mënyrë jo natyrale në zgjedhje si pasojë e betejës së Partisë Demokratike për ligjin e dekriminalizimit. Nuk dua të përsëritem në fakte të keqnjohura mbi atë çka përfaqësonte ish-drejtuesi i Bashkisë, pasi ligji e ndëshkoi atë. Por duke patur parasysh këtë fakt, mendoni pak se çfarë rrugësh presioni, dhune dhe sa para është hedhur që Bashkia Kavajë të mos fitohej nga ne.

-Ju thatë që do ja ktheni Bashkinë qytetarëve si është drejtuar deri më tani ajo?
Bashkia Kavajë është konceptuar keq nga ish-drejtuesit. Ajo i konsideronte qytetarët si vartës të saj; zhvillonte politika diskriminuese në varësi të bindjes politike të qytetarëve, duke shkelur çdo normë dhe etikë. Për motive politike qytetarët janë larguar nga puna, u është hequr ndihma ekonomike, janë taksuar, u janë vënë gjoba politike. Kjo politikë ka çuar në mbylljen e shumë bizneseve sidomos në fushën e ndërtimit, ku ish-drejtuesit kanë ndërtuar një sistem monopoli me dy-tri firma të familjarëve të tyre. Mungesa e profesionalizmit dhe kulturës drejtuese kanë krijuar një klimë mbytëse terrori ndaj bizneseve, duke çuar në mbylljen e vendeve të punës. Ne do ta hapim Bashkinë për qytetarët: do të krijojmë një klimë miqësore me biznesin dhe do të ndërmarrim politika lehtësuese fiskale për idetë novatore te të rinjtë për biznes, të grave kryefamiljare dhe të gjithë atyre që pubesihbe familjare. Ne kërkojmë dhe do të angazhohemi në një përmirësim cilësor të jetës së qytetarëve, do të investojmë aty ku ata jetojnë dhe nuk do të shpërdorojmë për projekte fasadë. Qytetari do të dëgjohet me vëmendje, do t’i zgjidhet çdo hall brenda limiteve që lejon ligji. Kam zgjedhur që unë dhe stafi im të jetë 24 orë në shërbim të tyre. Jemi qytet me lidhje sociale të forta, që i respektojmë këto lidhje. Në respekt të kësaj tradite, por edhe të parimeve të mia, unë do të jem kryetari i të gjithë qytetarëve, të majtë apo të djathtë, sepse kjo është në kuptimin tim për detyrën e kryetarit, ajo që duhet të bëjë një kryetar bashkie që zgjidhet që të drejtojë në mënyrë transparente dhe me një llogaridhënie po kaq transparente.

Artikulli paraprakNdreca, terror me bandën e tij të armatosur në Ministri
Artikulli tjetërRikthimi i Kavajës