Isco, në dyshim e ardhmja tek Reali

Isco është i paqartë për të ardhmen e tij te Reali i Madridit. Mediat në Spanjë shkruajnë se “Los Blancos” kanë nisur bisedimet me mesfushorin për rinovimin e kontratës. Megjithatë duket se nuk është kjo dëshira e 24-vjeçarit, i cili po vlerëson situatën e tij në “Bernabeu”. Isco kërkon të luajë rregullisht, por diçka e tillë nuk i mundësohet nga Zidane, për këtë arsye mesfushori po mendon largimin. Nga 17 ndeshje në këtë sezon, Isco ka qenë titullar në 8 prej tyre dhe kjo ka vendosur në pikëpyetje pozitën e tij te madrilenët.
Ndërkohë, drejtori Sportiv i Wolfsburg, Klaus Allofs nuk e përjashtoi mundësinë e largimit të Julian Draxler në merkaton e janarit ose në atë të verës së 2017-tës. “Ujqërit” kanë kohë që i rezistojnë ofertave nga klubet e rëndësishme europiane për talentin e tyre, por tashmë duket se janë dorëzuar. 59-vjeçari pohoi se shoqëria do ta vlerësojë ndryshe situatën e Draxler dhe do të veprojë ndryshe nga herët e kaluara, edhe nëse bëhet fjalë për të humbur shërbimet e lojtarit. Merkatot e shkuara Draxler është kërkuar me insistim nga disa skuadra angleze, si dhe Paris Saint-Germain në Francë.

Artikulli paraprakVjedhjet miliona euroshe të nënkontraktorëve të hajdutit Çela në OSHEE
Artikulli tjetërKonte mbyll merkaton