Ish-deputeti Klevis Balliu nga protesta e ‘Unazës së Re”, u bëri edhe njëherë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së madhe mbarëkombëtare që do të mbahet ditën e dielë më datë 2 qershor përballë zyrave të Ramës.
Balliu shprehu edhe njëherë qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar që dialog me Ramën nuk ka.
“Mirëmbrëma të nderuar banorë të Unazës së Re. Urimet më të përzemërta zonjës Kokalari që ka bërë krenar çdo shqiptar, por edhe ka faktuar Shqipëria është për në Evropë, por ne kemi qeverinë e Kabulit. Ja ku e keni zonjën që tregon se shqiptarët janë evropianë. Çdo shqiptarë pretendon të jetë në Evropë, por ne kemi një kryeministër që vetëm me Evropën nuk ka lidhje.
Ja ku e kemi sot Austrinë e cila sot është me qeveri tranzitore për një përgjim, ndërsa ky që ka vjedhur çdo gjë të mundjeshme shqiptarëve, ky nuk pranoka qeveri tranzitore.
Po kemi kohë ne të presim këtë? Sot është koha ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa.
Sa kohë kemi ne që dëgjojmë të njëjtët bij të Enver Hoxhës, po pse për këta kanë luftuar shqiptarët në ‘90 që bijtë e Hoxhës të na bëhen politikanë pastaj na bëhen oligarkë.
Si Edi Rama që na ishte me qera në 2013 dhe sot ka një vilëbunker me 6 mijë metra katrorë. Ata që mendojnë se ne bëjmë pazar e kanë shumë gabim.
Ne nuk bëjmë pazar me jetën e qytetarëve shqiptarë. Çdo ditë që ky njeri është në pushtet, është një orë e zezë për çdo qytetar shqiptar.
Përballja me këta nuk është përballje fjalimesh, ndaj ju ftoj të gjithëve që të jeni të pranishëm në protestën mbarëkombëtare ditën e dielë më 2 qershor, të shkojmë aty të përballemi”, u shpreh Balliu.