Ish-diplomati, Mustafaj: Rama mban peng negociatat për anëtarësim në BE me Tahirin

Java që vjen do të jetë vendimtare për Shqipërinë sa i përket procesit të integrimit, pasi do të mësojmë çfarë do të ndodhë me hapjen e negociatave me BE-në. Deri më tani asgjë nuk dihet me siguri. “Tv Klan” ka raportuar se të martën vendi ynë do të marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian. Pra, pritet të kemi një rekomandim pa kushte për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Kjo do të komunikohet nga Federica Mogherini dhe Johanes Hahn, të cilët do vijnë për vizitë në Tiranë. Por ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka treguar sot bisedën që pati zhvilluar me një diplomat të akredituar në vendin tonë. Ai i kishte thënë se një vend anëtar i BE-së është kundër hapjes së negociatave për shkak të Saimir Tahirit.
Ish-ministri i Brendshëm po i bëhet një barrë e rëndë Shqipërisë, tha Besnik Mustafaj, duke iu referuar bisedës me diplomatin e akredituar në Tiranë. Tahiri akuzohet nga opozita dhe prokuroria si i përfshirë në trafikun e drogës me grupin e Habilajve. Emri i ish-ministrit të Brendshëm përmendet edhe në raportin vjetor të Fredoom House. Refuzimi i PS-së në Kuvend ndaj kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Tahirit, e zhbëri përparimin në luftën kundër kanabisit gjatë vitit 2017 vlerëson ndër të tjera Freedom House.
“Bllokimi i kërkesës së Prokurorisë me vota parlamentare, shoqëruar me agresion verbal nga ana e Ramës ndaj prokurorëve që bënë kërkesën konsiderohet fenomen veçanërisht negativ për shkak se cënon pavarësinë institucionale të Prokurorisë nga politika’, thuhet në raport.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan Donald Lu, u shpreh para një jave se besonte që Tahiri ishte pranë ndjekjes penale për çështjen për të cilën akuzohet. “Shikoni Saimir Tahirin, ish-ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Nuk jemi pranë përfundimit të çështjes, por është pozicioni i Qeverisë së SHBA dhe i Ambasadës së SHBA se çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova…”, tha ambasadori Donald Lu.
Ndonëse paraprakisht është raportuar se rekomandimi për hapjen e negociatave do të jetë pa asnjë kusht, për shkak të progresit të vettingut, Reformës në Drejtësi dhe luftës kundër kanabisit e krimit të organizuar, mbetet për t’u parë si do të rrjedhin gjërat në hapësirën dymujore nga dhënia e rekomandimit deri tek marrja e vendimit përfundimtar prej Këshillit Europian. A do ta kushtëzojnë vendet skeptike hapjen e negociatave me arrestimin e Saimir Tahirit? Mbetet të presim!

Artikulli paraprakNëse Flamuri të ka sharë nga mami, tregoju shqiptarëve se çfarë i ke bërë ti mamit tënd
Artikulli tjetërDyshimet që ish-Presidenti Nishani ka për vizitën e Mogerinit në Tiranë