Ish-drejtori i Burgjeve i përfshirë në skandalin e tenderave

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, dyshohet si i implikuar në aferat korruptive në tenderat e ushqimit në burgje. Në dosjen hetimore, ndodhen dhjetëra procesverbalë me biseda të transkiptuara, të cilat tregojnë se drejtori Zoto, tashmë i dorëhequr ka qenë në dijeni të këtyre aferave korruptive, dhe se Iljaz Labi nuk bënte asnjë hap, pa miratimin e Zotos. Ndaj këtij të fundit, Prokuroria nuk lëshoi asnjë urdhër-arresti.
Por dy ditë pas operacionit të arrestimit të zëvendësit të tij Iljaz Labi dhe katër biznesmenëve Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka dhënë dorëheqjen, duke ja justifikuar largimin ministrit të Drejtësisë, Manjani, nëpërmjet një letre, ku i shkruante se ishin motivet personale dhe familjare të tij, që e çonin në largimin nga kjo detyrë.
Por në një seri bisedash të përgjuara, të tij i disponon mes të tjerave dhe një bisedë mes biznesmenëve Nexhmi Balla dhe Elidjan Laskaj, ku Nexhmiu e pyet Elidjanin se çfarë kishte bërë. Nga ana tjetër, Elidjani i thotë se sa kishte dalë nga Drejtoria e Burgjeve. “Ai”, i kishte thënë se do ta çonte lart dhe do t’i kthente një përgjigje.
Para dhjetë ditësh, Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për zv/drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Iljaz Labi, i dyshuar për “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë…”, si edhe për administratorët e 4 kompanive private, të dyshuar për “korrupsion aktiv”, gjatë procedurave të prokurimit publik për blerje ushqimesh për burgjet në Shqipëri. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në referim përcillej informacioni se disa kompani private, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, përfshiheshin në mënyrë fiktive në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas informacionit paraprak, dyshohej se këto kompani private realizonin qëllimin e tyre, duke bashkëpunuar me zv/drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve.

Artikulli paraprakAmerikanizëm jo më globalizëm
Artikulli tjetërShtyhet për në vjeshtë gjyqi ndaj Ismailaj