Ish-drejtuesi i policisë: Pse nuk nisi procedim për dhunën ndaj gazetarit? U rrëzuan pesë tela…

Ish-drejtues i Policisë, Ismail Elezi ka komentuar sot në “Fax News” sjelljen e Policisë në protestën e fundit të opozitës. Ai tha se sjellja e qytetarëve ka qenë shumë korrekte, dhe shprehu indinjatën pse nuk ka nisur procedimi për dhunën ndaj gazetarit Bledi Kasmi.
Elezi u shpreh se është e drejta e qytetarëve që të protestojnë dhe s’kishte pse të niste procedimi penal ndaj tyre, sa kohë që ata nuk kanë përdorur asnjë mjet dhune.
“Protesta filloi shumë e qetë, nuk pati asnjë lloj incidenti. Ajo që mua më ka bërë përshtypje në këtë protestë, është goditja e një gazetari, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë.
Për mua është e ndaluar dhuna. Policia del dhe thotë që janë dëmtuar 11 policë, ndërsa unë vetë kam parë vetëm një person që është plagosur nga ana e Policisë.
Kur ka nisur procedimi penal për 31 qytetarë, pse nuk ka nisur procedim penal dhe ndaj personit që dhunoi gazetarin Kasmi. U bënë vite që unë jam pjesë e protestave, dhe nuk kam parë një lider si zoti Basha që të vijë dhe të tërheqë me vete turmën.
Unë nuk shoh ndonjë dhunë të përdorur nga ana e qytetarëve. Indinjata e qytetarëve është e ligjshme, po protestohej te një ministër i brendshëm, i cili nisi vëllanë e vetë drejt Italisë se ka qenë i dënuar për trafik droge.
Incidentin te ministria e ka bërë qëllimisht Policia pasi kordonin mund ta vendosnin përpara gardhit dhe jo ngjitur me të. Në gjykimin tim është stimuluar vetë përplasja.
Në protestë nuk kemi një thyerje xhami, nuk kemi një njeri të gjakosur, ata shtyhen trup më trup, e ku është vepra penale këtu, apo se rrëzuan pesë tela?”, u shpreh Elezi.

Artikulli paraprakDelegacioni amerikan në Korenë e Veriut: Takimi Trump-Kim mund të zhvillohet
Artikulli tjetërPara në këmbim të azilit, zyrtarë gjermanë të akuzuar për korrupsion