Ish kapiteni i Tiranës ‘kërcënon’ Ramën dhe Beqen: Guxoni ti prekni pensionet dhe…

Ish-kapiteni i Tiranës, Elvis Sina, ka shpërthyer nëpërmjet një statusi në “Facebook”, pas deklaratës së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, për të ulur pensionet dhe pagat e administratës, për shkak të situatës së jashtëzakonshme nga COVID-19.

Sina e akuzon publikisht Beqajn që ka vjedhur plot 410 milionë euro, nga konçensionet e bëra në kohën kur ai ishte ministër. Sipas ish-futbollistit nëse nuk do ishin dhënë ato konçesione në kohën e ish-ministrit, sot Shqipëria nuk do të vuante në këtë mënyrë izolimin pasi sistemi shëndetësor do të ishte më i shëndetshëm. Në fund ai e mbyll duke thënë: “Ti dhe shokët e tu keni 30 vite që e keni rrjepur këtë vend me pasuri natyrore.

POSTIMI I ELVIS SINËS:

Ilir Beqaj ka propozuar para dy ditesh uljen e pensioneve si një nga masat për të përballuar krizën ekonomike që po vjen si pasojë e izolimit të ekonomisë. Dy fjalë për të: Ku e gjen ti guximin të kërkosh sakrificën e pensionistëve? Arsyeja përse u izoluam në karantinë ishte sepse sistemi ynë shëndetësor nuk e përballonte dot fluksin e të sëmurëve.

Nuk e përballonte dot sepse ti lekët e spitaleve të reja, pajisjeve shëndetësore, ilaçeve e rritjes së pagave të mjekëve dhe infermierëve i bëre kontrata konçesionare për miqtë e tu dhe shefit tënd. Ti firmose 410 milionë USD konçesione: Konçesioni i check-up – 90 milionë USD, sterilizimi – 160 milionë USD, dializa – 70 milion USD, shërbimi laboratorik – 90 milion USD.

Me këto lekë do kishim ngritur 10 spitale të reja, zgjidhur problemin e ilaçeve, dyfishuar pagat e mjekëve si edhe do dyfishonim edhe pensionet. Nuk i bëmë se ti i vodhe. Me këto lekë ndoshta nuk do kishim fare nevojë të izoloheshim sepse sistemi do ishte i shëndetshëm. Ti dhe të ngjashmit e tu që e kanë rrënuar buxhetin e shtetit, sot duhet të ishit në burg ose në shtëpi duke pritur vendimin e gjykatës.

Fakti që ky vend ende nuk ka një sistem drejtësie, nuk do të thotë që nuk ka as memorie. Guxo ti apo shefi yt të prekni lekët e pensionistëve dhe do ju vijmë në shtëpi. Të vetmit që duhet të paguajnë sot jeni ju, klasa politike dhe klientët tuaj. Ju që e keni rrjepur për 30 vite këtë vend të bekuar me pasuri natyrore. Dhe do paguani!

Artikulli paraprakNegociatat, AAK merr ministrinë e Jashtme
Artikulli tjetërKeqadministrimi, OSHEE nuk mbledh 725 miliardë lekë, a do të shkarkohen tek faturat e qytetarëve?