Ish-kreu i Policisë jep alarmin: Nga zbërthimi i ‘SKY’ priten 50 arrestime të nivelit të lartë

Ish-drejtuesi i Policisë Fatjon Softa ka komentuar arrestimet e fundit të një grupi të trafikut të drogës, ku mes tyre bënte pjesë edhe ish-zyrtari i lartë i Policisë, Erzen Breçani.

Ai u shpreh se një grupi kriminal i nevojitet mbështetje nëse ky i fundit ushtron aktivitetin kriminal në gjithë territorin, ndërsa shtoi se shpesh struktura të Policisë janë akuzuar për favorizim të grupeve me qëllime të tilla. Softa zbuloi më tej se të dhënat e zbuluara nga aplikacioni i komunikimit SKY tani pritet të sjellin rreth 50 arrestime të tjera, mes të cilëve do të ketë edhe persona në nivele të larta.

“Sot po diskutojmë emra shumë të njohur në këtë grup të arrestuarish. Breçani ka qenë drejtues i lartë, si në forcat speciale edhe më tej në Policinë e Shtetit.

Kemi pasur disa komunikime normale në distancë, por jo më shumë. Emri i tij ishte një surprizë për të gjithë.

Një person që do të ushtrojë një aktivitet që shtrihet në gjithë territorin, i nevojitet një mbështetje, që e favorizon atë në veprimtarinë kriminale. Struktura të policisë janë akuzuar për favorizim të grupeve kriminale.

Këto të dhëna kanë ardhur nga aplikacioni SKY dhe tani priten deri në 50 veta që do të arrestohen, prej tyre edhe në nivele të larta.”, tha ai.

Artikulli paraprakDaily Express: Si po e deformon ekonominë shqiptare dhe tregun e apartamenteve tregtia e drogës në Londër
Artikulli tjetërPD, Mirela Karabina: Berisha dhe Rama nuk mund ta mbajnë peng Shqipërinë dhe drejtësinë