Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi është zyrtarisht i pandehur.
Roshi u paraqit sot në SPAK bashkë me avokatin ku iu komunikua akuza “shpërdorim detyre” lidhur me një kallëzim që KLSH kishte bërë ndaj tij për parregullsi me tenderat në Bashkinë e Kavajës.
Ish-kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u kallëzua në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku sipas dy kallëzimeve të ndara Rroshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative.
Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme, në vitin 2017 është regjistruar procedim penal për këtë kallëzim për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, por pa autor. Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar pushimin e hetimeve ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, por Gjykata e Posaçme vendosi që çështja t’i kalojë SPAK.
Nga ana tjetër kujtojmë që më 17 maj SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.