Ish-kryebashkiaku i Leskovikut: Policia hakmerret pse bëra denoncim për kërcënim me jetë

Ish-kryetari i Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda, ka reaguar menjëherë pas lajmit se është proceduar penalisht nga Policia e Korçës për shitje tokash, duke e cilësuar këtë padi si hakmarrje të pastër politike. Në një prononcim për “News24”, Guda deklaroi se gjithçka vjen pas presionit të bërë gjatë kësaj fushate nga strukturat e Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë Korçë.
“Njoftimi mediatik për proçedim penal ndaj meje erdhi menjëhere pas fushatës së ashpër elektorale për zgjedhjet e parakohshme vendore të Bashkisë Kolonjë. E gjitha është një hakmarrje e pastër politike, e cila vjen pas presionit të bërë gjatë kësaj fushate nga strukturat e Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë Korçë, elementë të së cilës duke më kërkuar të rrija rrehat më kanë komunikuar se në lidhje me personin tim ka disa çështje për t’u sqaruar. Gjithashtu, pjesë e këtij presioni ka qenë edhe konfrontimi fizik ndaj meje mesnatën para datës së zgjedhjeve, ku jam kërcënuar me jetë nga persona të paidentifikuar me fytyrë të mbuluar dhe me pistoletë, ngjarje për të cilën kam bërë dhe denoncimin përkatës”, u shpreh Guda.
Guda gjithashtu në reagimin e tij tha se, pret nga drejtësia që të zbardhë çështjen, që është një proces i montuar politikisht. Momenti pas një viti nga lënia e detyrës dhe menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme vendore për Bashkinë Kolonjë, që është bërë ky proçedim penal më japin gjithë arsyet se kjo është një hakmarrje dhe shantazh politik. Duke lënë veten time në dispozicion të drejtësisë për zbardhjen e këtij proçesi të montuar politikisht, garantoj gjithë qytetarët e Leskovikut se asnjë rast nuk i kam tradhtuar, por më i vendosur se kurrë do jem me ta kundër kësaj qeverie armike për vdekje të votës së lirë dhe kundërshtarëve të saj politikë”, deklaroi Guda.
Policia e Korçës bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, nisi procedimin penal për ish-kryetarin e Bashkisë së Leskovikut Fatmir Guda, pasi akuzohet për shitjen e tokave të Bashkisë në kohën kur mbante postin e kryetarit. “Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Gudajt “Procedimi ndaj tij filloi pasi, ky person kur ka qenë me detyrë Kryetar i Bashkisë Leskovik, dyshohet të ketë shitur toka (truall) në pronësi të Bashkisë Leskovik, duke vepruar në kundërshtim me ligjin. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Shpërdorim detyre”, thuhet në deklaratën e Policisë së Korçës.
Është për t’u çuditur fakti se Policia e Korçës ka proceduar ish-kryebashkiakun vetëm dy ditë, pasi përfunduan zgjedhjet në Kolonjë, ku Guda ishte për fushatë në Leskovik, ku ka bërë fushatë për kandidatin e opozitës.

Artikulli paraprakBanorët e Mbrostarit protestë para Gjykatës së Fierit për lirimin e protestuesit
Artikulli tjetërVendimi i Gjykatës: Balla dënohet si shpifës me 10 milionë lekë gjobë