The Guardian
Ish –kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta, po hetohet në lidhje me një financim korruptiv lidhur me një vizitë të Tony Blair në vitin 2012.
Prokurorët e kanë marrë në pyetje Ponta-n të martën në lidhje me akuzat se ai ka përdorur autoritetin e tij si lider të Partisë Socialdemokrate për të bindur ish–kryeministrin britanik për të vizituar Rumaninë.
Ata e akuzojnë atë se i ka ofruar Sebastian Ghita-s, një biznesmen lokal, një vend në Parlament në këmbim të pagesës prej 220 mijë eurosh për të mbuluar shpenzimet e vizitës së një politikani të nivelit të lartë. Ghita i tha agjencisë së lajmeve “Mediafax” se ky politikan ishte Tony Blair.
Prokurorët thanë se, Ponta e kishte rregulluar vizitën që ajo dukej sikur ishte iniciuar dhe organizuar nga grupe jo-politike dhe se ai ka përfituar nga mbulimi i shtypit të vizitës.
Zyra e Blair tha se ishte kontaktuar nga Fondacioni Multimedia për Demokraci Lokale për të mbajtur një fjalim dhe se kontakti u bë nëpërmjet një shoqate amerikane, Qendra për Progresin Amerikan. Blair kishte përfituar një tarifë të konsiderueshme për të dhënë një leksion mbi të ardhmen e Evropës dhe paratë kishin kaluar të gjitha në një nga shoqatat e tij të bamirësisë.
Në këmbim të sponsorizimit të vizitës, Ponta, i cili ka qenë kryeministër nga viti 2012 deri në 2015, thuhet se e ka promovuar biznesmenin Ghita brenda partisë, duke e ndihmuar të fitojë një vend në Parlament, për një mandat 4-vjeçar. Ponta dhe Ghita i mohuan që të dy akuzat.
Blair nuk është nën hetim për ndonjë krim, tha një zëdhënës i grupit të prokurorëve që po hetojnë çështjen, dhe se ai nuk ishte në dijeni të prapaskenave të vizitës së tij, raporton gazeta britanike “The Guardian”.
Ponta po hetohet për përdorim të autoritetit të tij për të përfituar para, mallra ose përfitime të tjera të paligjshme dhe si bashkëpunëtor në pastrimin e parave.
Prokurorët e vunë ish–kryeministrin Ponta nën kontroll gjyqësor – një masë e ngjashme me ndjekjen në gjendje të lirë – që do të thotë se ai duhet të njoftojë prokurorët, duhet të marrë leje për t’u larguar nga vendi, nuk mund të flasë publikisht për hetimin ose të bëjë komente publike rreth prokurorëve.
Ponta është aktualisht në gjyq për një rast tjetër korrupsioni që rrjedh nga puna si avokat që ai ka bërë nga viti 2007 deri në 2008. Ai i ka mohuar akuzat.
Lidhjet e Pontas me Ramën
Ponta u bë kryeministër në vitin 2012. Ai dha dorëheqjen në vitin 2015 përballë protestave masive që shpërthyen pas një zjarri që ra në një klub nate dhe që vrau më shumë se 30 njerëz dhe shtoi dyshimet për korrupsion. Në atë kohë, ai sapo ishte akuzuar për korrupsion për aktivitete të kryera përpara se të bëhej kryeministër. Akuzat janë për falsifikim dokumentesh zyrtarë, evazion fiskal dhe pastrim parash.
Në Shqipëri, emri i ish–kryeministrit rumun, Victor Ponta, është lidhur disa herë me atë të kryeministrit Rama nga paraardhësi i tij në qeveri, Sali Berisha.
Ponta e ka vizituar zyrtarisht Shqipërinë dhe është pritur nga Rama, ndërsa Berisha e ka akuzuar edhe për takime sekrete të zhvilluara mes tyre, në prani të deputetit socialist Taulant Balla. Edhe kryeministri Rama është pritur gjithashtu në vizitë zyrtare në Bukuresht. Më 1 mars të vitit 2015, në një konferencë të përbashkët për shtyp, ata e vunë theksin jo vetëm tek miqësia mes dy vendeve, por edhe tek miqësia personale.