Ish-deputeti i PD, Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për Mini-Shengenin ballkanik. Mustafaj u shpreh se Mini-Shengeni i duket një nismë e marrë e Edi Ramës, i cili po vepron kundër interesit të opinionit publik.
“Ajo që kemi parë, në takimet e liderëve politikë ballkanas, kemi parë rrënimin e mini-shengenit ballkanik. Kjo nismë është një nismë, që ka opinionin publik kundër. Unë besoj se Rama e bën nga marrëzia, për të qenë protagonist, Rama vuan shumë nga kompleksi për të qenë në qendër të vëmendjes. Rama në të gjitha versionet zgjedh interesin personal mbi interesin e përgjithshëm. Opinioni është kundër, kurse nisma vazhdon. Nuk besoj se Shqipëria përfiton ekonomikisht nga kjo nismë”, tha Mustafaj.
Në lidhje me situatën politikë në Kosovë, Mustafaj deklaroi se duket se mollë sherri mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së është presidenti. Ai shtoi se Kosova rrezikon zgjedhjet e parakohshme.
“Me sa kam arritur të mësoj unë nga mediat, problemi i pazgjidhur është Kosova, kjo sepse LDK do presidentin. Të gjithë thonë në Kosovë se Isa Mustafa donte t’i përgatiste vetes një post. Unë kam përkrahur LDK-së, por me keqardhje them se Lidhja Demokratike të Kosovës po gabon. Kosova do shkojë në zgjedhje të parakohshme mendoj dhe LDK ka jo pak faj. Unë ndihem i trishtuar nga kjo që po ndodh në Kosovë.
Të dyja partitë kishin nevojë për njëra-tjetrën. Padyshim që Vetëvendosje ka nevojë për një parti si LDK, parti e qendrës së djathtë, e cila ka qenë në qeveri, ka eksperiencë dhe është pjesë e familjes europiane. Edhe LDK ka nevojë për VV. Mungesa e marrëveshjes, penalizim për LDK. Vetëvendosje duhet të mësojë të ndajë fushën. MË habit mos-reagimi i Vjosa Osmanit”, u shpreh Mustafaj.
I pyetur se përse Kurti mund të ketë refuzuar dy ftesat e njëpasnjëshme të presidentit Thaçi, Mustafaj tha se kjo mund të jetë një lëvizje diplomatike e kreut të VV-së.
“Kjo është një ftesë proceduriale. Presidenti thërret kryetarin e partisë me më shumë vota. Mendoj se Kurti ka dashur të fitojë pak kohë, ndoshta vërtete nuk është, por nuk di se çfarë mund të ketë më të rëndësishme për Kurtin sesa krijimi i qeverisë. Besoj se lëvizja e Kurtit është diplomatike. Dy ftesa për pak orë nuk janë aq serioze”, u shpreh më tej Mustafaj.