Ish- Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Lalla, me shumë vonesë deklaroi pardje në një studio televizive, se ambasadoria e BE-së, Vllahutin, i kishte kërkuar arrestimin e ish- kryeministrit Berisha. Deklarata e tij më kujtoi vitet e para të qeverisjes së Ismail Qemalit, kur qeveria ishte formale dhe Shqipërinë e drejtonte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Madje ai komision i bëri gjyqin edhe Ismail Qemalit dhe e detyroi të jepte dorëheqjen, madje, jo para Kuvendit, që e zgjodhi kryeministër, por, para Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Sjellja e diplomates Vllahutin, e jo vetëm e saj, në qeverisjen e Ramës, ka marrë kompetenca, që nuk ja jep asnjë ligj i brendshëm, apo ndonjë ligj ndërkombëtar, e duket që ka vepruar si kryeprokurore e Shqipërisë, në shekullin e XXI. Mjerim politik. Qeverisje e dështuar! Përse i komandojnë diplomatët e huaj institucionet e Shqipërisë, edhe pas një shekulli ? Kjo ndodh, sepse drejtuesit e institucioneve në Shqipëri janë të “kapur”, ashtu si duhet pranuar, se edhe disa diplomatë janë të “kapur”, apo “paguhen”, që të godasin kundërshtarët politikë të qeverisë, për të mbajtur gjatë pushtetin. Kam pershtypjen se Shqipëria, pas zgjedhjeve të 25 prillit, e kongreseve partiake, në PS dhe në PD, do të futet në një fazë te re zhvillimi dhe zhvillimet, do të heqin disa “petë lakrori”!