Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme, disa ditë pasi SPAK i komunikoi akuzën për shpërdorim detyre.
Ish-ministri Beqaj ka mbërritur në ambientet e SPAK rreth orës 09:00 i shoqëruar nga avokati i tij.
SPAK vendosi Ilir Beqajn nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, me koncensionin prej 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitalet shtetërore.
Ish-ministri socialist i shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte prej shumë muajsh me statusin e personit nën hetim dhe paraqitej çdo të premte në SPAK.
Koncensioni afro 100 milionë euro në 10 vjet siguron instrumentat kirurgjikale të personalizuar, mjete njëpërdorimëshe kirurgjikale, trajtimin e mbetejeve biologjike dhe desinfektim të sallave kirurgjikale.
Ai u miratua nga ministria e shëndetësisë në dhjetor 2015, që shpalli fitues kompaninë SaniService, por afro 8 vjet pas kësaj, SPAK-u arrestoi në gusht 2023 sipërmarrësin e koncensionit në akuzën e mashtrimit, Ilir Rrapaj dhe ish-zëvendës ministrin Klodian Rrjepaj për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash, ndërsa sot edhe ish ministri Beqaj u akuzua për shpërdorim detyre.
Ata dyshohen se kanë shkelur procedurat ligjore të dhënies së koncensionit, kanë toleruar shkeljet e njëri tjetrit, duke përshtatur dokumentat dhe treguesit spitalorë dhe financiarë me qëllimin e paracaktuar, që koncensionin ta fitonte shoku i vjetër i ish-zëvendës ministrit Rrjepaj.