Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka komentuar sot nëpërmjet një statusi në Facebook, mbi autenticitetin e audio-përgjimit që PD denoncoi për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Manjani shtron pyetjen pse nuk u verifikua zëri i Agron Xhafajt në audio me origjinalin.
”Krahasimi i zërit të personit me atë të audios është jetik dhe shkencërisht i njëjtë me testin e ADN. Ky verifikim nuk mund të jetë bërë sepse “origjinali” iku në Itali pa filluar proçedimi penal nga Prokuroria”, shkruan ai.
Në vijim të logjikës që shtron, ish-ministri i Drejtësi, pyet si doli në konkluzionin kryeministri Edi Rama, kur deklaroi i bindur, se audio-përgjimi nuk është autentik?
”Ka vetëm një shpjegim: duhet ta ketë të regjistruar mirë në vesh e në memorie zërin e “origjinalit”.
Postimi i plotë i Manjanit në Facebook
Mbi autenticitetin.
Që një audio apo video para se të transmetohet në publik përpunohet, kjo dihet. Nëse pyetja është a është ndërhyrë në audio apo jo, përgjigja është gjithnjë PO!
Por nuk është kjo çështja. Çështja është a u verifikua zëri në audio me origjinalin?
Krahasimi i zërit të personit me atë të audios është jetik dhe shkencërisht i njëjtë me testin e ADN.
Ky verifikim nuk mund të jetë bërë sepse “origjinali” iku në Itali pa filluar proçedimi penal nga Prokuroria.
Atëherë, si Kryeministri doli në konkluzionin se nuk është autentike?!
Ka vetëm një spjegim: duhet ta ketë të rregjistruar mirë në vesh e në memorie zërin e “origjinalit”…
Kështu që mbase duhet duhet krahasuar zëri në audio me atë që ka në vesh Rama.
Faqja e zezë!