Ish-ministri shpërthen ndaj Ramës: Vërtetë mendon se do mbyllësh gojët e të tjerëve?!

Pas padisë së sotme të vajzës së bashkëshortes të kryeministrit Edi Rama, Rea Xhillari për 7 portale dhe për gazetarin dhe analistin Artur Zheji, të cilët i akuzon për shpifje lidhur me lajmin e para pak ditëve se ajo dhe ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj janë në një bashkëjetesë.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish ministri i drejtësisë Ylli Manjani.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manjani shkruan se, “asnjë Kryeministër më parë, as zyrtar i shtetit, madhe as kur Ai vetë shërbeu prej 12 vitesh Kryetar Bashkie nuk ka bërë kaq padi e masa të tjera represive sa ç’bën sot”.

Sipas tij, fjala e lirë është baza e demokracisë, ndërsa e pyet kreun e qeverisë nëse mendon se me këto padi do të mbyllë gojët e të tjerëve?…

Reagimi i plotë i Ylli Manjanit:

Metamorfozë mbipushteti.
———————
Qartësisht, në mënyrë të përsëritur e ndaj disa personave Kryeministri i vendit ka ndërmarrë veprime administrative dhe ligjore anti lirisë së shprehjes.

Kemi në krye të Qeverisë zyrtarin me rekorde të jashtëzakonshme masash represive e kërcënuese ndaj kujtdo që guxon të shprehë një opinion jo vetëm në media, por edhe në faqet personale të Facebook.

Fakt është që ai vetë raporton shifra padish civile që ka ngritur në gjykatë ndaj shumë njerëzve në politikë dhe jo vetëm.

Asnjë Kryeministër më parë, as zyrtar i shtetit, madhe as kur Ai vetë shërbeu prej 12 vitesh Kryetar Bashkie nuk ka bërë kaq padi e masa të tjera represive sa ç’bën sot!

Asnjë!

Madje vite më parë ai na këshillonte të mos bënim padi ndaj gazetarëve edhe kur shpifjet ishin ashiqare!

Edhe ndaj Tij, kur ishte kryetar Bashkie shpifej shumë rëndë sesa sot, por nuk bënte padi.

Ndërsa sot padit, pa kriter e për çdo gjë.

Dhe e bën me krenari këtë gjë. Madje me më shumë krenari sesa kur policia njofton ndonjë kapur droge apo krimineli…

Natyrisht nuk raporton thirrjet në polici që u janë bërë gazetarëve dhe jo vetëm, për t’i prezantuar se “keni shqetësuar Kryeministrin…”

Kjo tregon se Kryeministri është i bindur në sjelljen e tij represive ndaj lirisë kushtetuese të cilitdo për të parur një opinion dhe për ta shprehur atë.

Kryeministri nuk ka asnjë shqetësim për asnjë shkelje tjetër ligji, vetëm fjalën e lirë nuk e duron e për pasojë nuk e lejon.

Liria e shprehjes është në themel të shoqërisë demokratike.

Pyetja është: vërtetë mendon Ai që do mbyllë gojët e të tjerëve?!

Në Shkodër thonë: fjalt e hallkut e brimat e gardhit nuk mbyllen kurrë…

Artikulli paraprakKocka që Rama po i hedh për zgjedhje, Topit, Klanit, Vizionit dhe Digitalb
Artikulli tjetërRevolta popullore/ Zbardhet skenari për bllokimin e akseve rrugore