Ish-ministrja e Ramës, në protestë me banorët kundër nxjerrjes së naftës

Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka qenë e pranishme sot në zonën e Zagorisë, ku është rreshtuar në protestën e banorëve kundër kompanisë SHELL.
Teksa përfaqësuesit e kompanisë kanë qenë në një dëgjesë publike, Kumbaro është shprehur se zona e Zagorisë nuk duhet të cënohet nga kërkimet për naftë.
Ajo është paraqitur në takim me një listë pyetjesh për kompaninë, duke thënë se ç’pimet për naftë në këtë zonë nuk duhet të realizohen. Nga ana tjetër kundër puseve të naftës në këtë zonë është shprehur para pak minutash dhe kryeministri Edi Rama, i cili duket se ka pritur mediatizimin e çështjes për të pasur një sqarim.
“Është një vlerësim i bërë me nxitim, është i sipërfaqshëm dhe mungojnë shumë elementë studimorë për zonën. Të gjitha zonat që ju përmendni në studim janë zona të mbrojtura, ajo që më la të pakënaqur është mënyra e cekët që ju keni vlerësuar trashëgiminë kulturore”, është shprehur më tej ish-ministrja e Kultutës Mirela Kumbaro.
Gjatë punës së saj si ministre Kumbaro ka qenë mjaft e kontestuar, për shkak të disa ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura, duke favorizuar biznese private.
Banorët e zonës së Zagorisë janë organizuar në një protestë kundër planeve të kompanisë SHELL për kërkim nafte dhe gazi.

Në fshatin Nivan të kësaj krahine, përfaqësues të kompanisë do të zhvillojnë një dëgjesë publike, e cila po kundërshtohet nga banorët.
Nga ana tjetër Bashkia Libohovë kërkon që kjo dëgjesë të kryhet me kompaninë.
Kërkimet për naftë në Zagori janë kundërshtuar nga banorët dhe shoqatat ambientaliste, pasi kjo zonë është shpallur Park Kombëtar me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Një tjetër dëgjesë për të njëjtën çështje dështoi më parë këtë mëngjes në Poliçan.
Për kërkimet që pritet të nisin në Zagori ka pasur sot një reagim të ashpër dhe arkeologu Neritan Ceka.
“Forumi ka kohë që flet, pasi në këtë qeverisje keni heshtur. Ne po humbim monumente. Kudo ka agresion dhe një mungese kompetence totale e pjesës së pushtetit për të mbajtur monumentet. Tani më thoni se kush merret me monumentet e kulturës. Forumi a mund të ketë një zë për komplekset e tilla? Në rastin që po flasim është në rrezik jo vetëm Zagoria, por e gjithë zona e Gjirokastrës.
Kishat më të bukura dhe afresket më të mrekullueshme, i ke në këtë zonë. Kemi prishur më shumë kisha se sa në komunizëm. Po humbim monumentet e kulturës. Ata banorë kanë të drejtë, por nuk duhet të flasin barinjtë për monumentet. Ky forum duhet të zgjerohet për alarmin që kemi. Le të mblidhet çdo muaj. Lëmë një datë dhe një orë për të shqyrtuar këto probleme. Për Zagorinë duhej të ishte kërkuar një raport arkeologjik”, tha Ceka.

Exit mobile version