“Ish numri dy i qeverisë as i (pa) penduar dhe as përballë drejtësisë!”

Nga Aranit Muraçi

Ish i ngarkuari me punë të posaçme i qeverisë për të përballuar krizën që shkaktoi tërmeti dhe Covid-19, i shpallur pas “misionit” në kërkim nga policia dhe drejtësia, pranoi nga arratia se; është goditur psikologjikisht. I goditur si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, dhe jo prej akuzave të drejtësisë, ai publikut që priste reagimin dhe shfajësimin e tij i tha se i kishte humbur disi edhe kujtesa.

Cilido që ka sadopak kulturë juridike e di shumë mirë që, ashtu si të tjerët, edhe ish i ngarkuari me punë të posaçme nga qeveria në kohëra të vështira, ka vetëm një rrugë, për tu mbrojtur para drejtësisë: Të dalë para saj! – “Në të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; ndarë nga ligji dhe drejtësia ai është më i keqi – thoshte Aristoteli në antikitet kur shoqëritë hodhën themelet e para të nocionit të shtetit dhe ndarjes së pushteteve.

Ish i ngarkuari me punë i qeverisë, i cili duhet thënë se harroi detyrën dhe mori në qafë mijëra qytetarë të izoluar nga pandemia, duke u dhënë ‘paga solidariteti’ biznesmenëve si në asnjë vend të botës dhe duke lënë për të paktën tre muaj pa asnjë qindarkë mijëra punonjës të cilët mbijetonin me atë pagë (për shkak të informalitetit ose për shkaqe të tjera dhe jo për fajin e tyre) në vend të fajësimit të institucioneve të drejtësisë dhe të kryetarit të SPAK, duhet minimalisht, edhe të kishte reflektuar, edhe të ishte penduar.

Ish i ngarkuari me punë për të ndihmuar qytetarët që të përballonin dy nga krizat më të rënda që kaloi Shqipëria pas ‘97 duhet tiu kërkonte minimalisht falje të gjithë atyre që “lapsi i të ngarkuarit me punë të posaçme prej qeverisë” i braktisi nga paaftësia ose padrejtësia e tij, në kohë të vështirë e mbijetese.

Sa për drejtësinë, pikërisht, sepse u braktisën në kohë të vështirë shumica dërrmuese e qytetarëve, ndryshe nga ish i ngarkuari me punë për të përballuar krizën gjatë pandemisë, e kanë ende memorien të freskët. Me memorien e tyre të freskët duke qenë se nuk kanë alternativë tjetër ata dhe partnerët ndërkombëtarë, që kanë investuar, do të mbështesin në shumicë dërrmuese institucionet e reja të drejtësisë.

I ngarkuari dikur me punë për të nxjerrë qytetarët nga kriza e pandemisë dhe e tërmetit, por i zhytur pas tyre në një krizë të thellë juridike, minimalisht para se të ‘shfajësohej’ në publik mund të zgjidhte njërën nga dy alternativat, si në çdo shoqëri demokratike; ose të rreshtohej me ata të cilët e pranojnë dhe punojnë me drejtësinë ose me kundravajtësit që e shkelin dhe e minojnë atë.

I ngarkuari dikur me punë i qeverisë ndoshta sheh një të drejtë dhe këmbëngul tek ajo. “Nuk jam unë më i korruptuari, por ka të tjerë që drejtësia nuk i ka kapur ose nuk i ka prekur ende”. Por kush ka sadopak kulturë juridike e di që një pretendim i tillë nuk është argument juridik por politik: Është njësoj si një i kapur ose një i dënuar për trafik droge të pretendojë se ka trafikantë shumë më të mëdhenj se ai që drejtësia ende nuk i ka kapur, prandaj dhe atij i lind e drejta të mos e pranojë akuzën, as sistemin dhe kështu që nuk gjen arsye të mbrohet.

Për fatin e tij të keq, nga arratia, duke “u shfajësuar” ai u vu në rreshtin e gabuar. Sigurisht, të pakënaqurit gjatë dy krizave të fundit janë më të shumtë, janë shumica dërrmuese e qytetarëve të ndershëm të cilët mezi presin ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja të drejtësisë. Janë ata të cilët mbështesin dhe inkurajojnë një sistem drejtësie të pavarur ku duhet të marrë fund pandëshkueshmëria ndaj çdo abuzuesi të mundshëm./Liberale.al

Exit mobile version