Federiko Marketi e njeh mirë Igli Taren. Ishte ai që e transferoi te Lacio, duke i dhënë shansin e jetës, por praktikisht edhe ai që i tregoi se nuk ishte më në planet e bardhekaltërve. Por gjithsesi ai ruan respekt për të dhe thotë se është lëvizja e duhur për Milanin.
NJOHJA- “Unë kam qenë një vit pushim dhe kisha shumë dëshirë për t’u rikthyer në fushë. Humba edhe Kombëtaren në atë kohë dhe kisha frikë se mos nuk e gjeja më nivelin tim. Tare ishte vendimtar, bashkë me presidentin Lotito. Pas largimit të Muslerës, më treguan se isha i duhuri. Tare kishte durim. Nuk e shihja fushën e lojës prej një viti dhe në 2-3 ndeshjet e para isha i shokuar. U zhbllokova më vonë”.
INTELIGJENT- “Në pamje të parë, Tare duket një person shumë i mbyllur. Por sapo të njeh është një njeri që di të njohë anën personale të atletit. Nuk të gjykon vetëm në aspektin sportiv. Lojtarët kalojnë momente të vështira dhe sigurisht që ai më ka qëndruar afër. Kam qëndruar për vite me radhë te Lacio, edhe pse kam pasur momente ku kam diskutuar me të për merkaton. Është një person inteligjent që kupton nga futbolli dhe me vitet është përmirësuar. E meriton këtë shans”.
RRITJA- “Duhet të them që ka mësuar shumë gjëra duke menaxhuar situata të ndryshme dhe duke qenë korrekt. Nuk mund të them që s’ka pasur edhe ndonjë diskutim të ashpër, por gjithmonë përfundonte mirë dhe me synimin për të zgjidhur problemin”.
PËRJASHTIMI– “Klubi dhe trajneri donin një profil më të ri, siç ishte Strakosha, dhe për mua nuk kishte më hapësira. Tare më qëndroi afër edhe pse e dinte që në nivelin profesional u godita. Por mendoj që e zgjidhi situatën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai ishte i qartë me mua që në fillim. Tare dhe Lotito më mbrojtën kur nisa aventurën me Lacion, edhe pse bëra gabime”.
MILANI- “Lacio ishte një klub i rëndësishëm, ku ka presion. Por Tare ia doli që të zgjidhte mirë problemet dhe ta menaxhonte situatën. Te Milani duhet të fitosh trofe. Sigurisht që do të ketë presion, por ai do ta jetojë si një stimul më shumë”.