Ish-Presidenti, Bujar Nishani u bën thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës pasditen e sotme.
Në një reagim në Facebook, ish-kreu i shtetit shprehet se shpëtimi i shqiptarëve vjen nga izolimi i të keqes.
“Kur opozita denoncoi avionët e drogës, Edi Rama e mohoi dhe ja doli ti mashtrojë shqiptarët deri ditën kur një prej avionëve të trafikut u rrëzua. Kur opozita denoncoi kanabizimin masiv të gjithë vendit e kthimin e Shqipërisë në narkoshtet, Edi Rama e mohoi dhe arriti ti mashtrojë shqiptarët deri ditën e arrestimit të bandës së Habilajve-Tahiri.
Kur opozita denoncoi grabitjen masive të zgjedhjeve përmes grupeve kriminale dhe parave të drogës, Edi Rama e mohoi dhe arriti ti mashtrojë shqiptarët deri ditën e daljes së përgjimeve. Sot opozita po ngre zërin fort dhe po i paralajmëron shqiptarët, se prej Edi Ramës shqiptarëve do t’ju rikthehen vizat dhe izolimi prej Evropës siç e provuan në 50 vjet.
Nëse shqiptarët mashtrohen përsëri prej Edi Ramës “se kjo nuk do të ndodh”, duhet të kuptojnë vetëm një pasojë. Liberalizimi nuk rikthehet më kur atë e heq. Nuk merret më askush vetëm me një shtet. Shpëtimi i shqiptarëve vjen nga izolimi i të keqes. Të bashkohemi sot të gjithë në protestë!”, shkruan Nishani.
Opozita zhvillon në orën 20:00 protestën e nëntë kombëtare në Tiranë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës si kryeministër, të cilin e cilëson “përdhunuesin serial të zgjedhjeve”.