Ish-të burgosur politikë, të afërm të tyre dhe pushtetarë vendorë, kanë përkujtuar 43-vjetorin e revoltës antikomuniste në burgun famëkeq të Spaçit, në Mirditë. Ata u rikthyen në ish-burgun e Spaçit, duke vizituar qelitë ku kaluan vitet e tyre të rinisë, ndërsa në përkujtim të tyre u vendos edhe një pllakë përkujtimore.
Pajtim Lami nga Vlora është një nga personazhet që ka patur një histori rrënqethëse gjatë kohës që ka qenë në këtë burg. Ai ka qëndruar për tre ditë nën gërmadha të minierës, duke luftuar me vdekjen, ndërsa sot përlotet kur viziton këtë vend dhe kujton atë çfarë ka përjetuar.
Të tjerë të burgosur politikë thonë se edhe sot pas 25 vitesh nuk ndihen aspak të vlerësuar nga shteti shqiptar, teksa vendi ku kanë kaluar ditët më të vështira të jetës së tyre është kthyer në një gërmadhë.
Drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola thotë se është e pafalshme që simboli i diktaturës komuniste të jetë një gërmadhë në ditët e sotme. Ai ka shtuar se do të firmoset një peticion që do t’i drejtohet për miratim Kuvendit që 21 maj të miratohet me ligj si një ditë pelegrinazhi në respekt të vepres të martirëve të lirisë.
Ish-burgu famëkeq i Spaçit në Mirditë do të mbahet mend gjatë në historinë e vendit tonë për vuajtjet që kanë përjetuar me qindra të dënuar. Më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në një revoltë antikomuniste që përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të burgosurve politikë.