Ish-të burgosurit politikë protestuan dje para Parlamentit kundër qeverisë për dëmshpërblimet. Gjatë protestës, ish-të burgosurit politikë tentuan të lidhen me zinxhirë para Parlamentit në shenjë indinjate ndaj qeverisë për mosmbajtjen e premtimeve për marrjen në shqyrtim të dosjeve të vonuara që i lë ata jashtë skemës së dëmshpërblimit. Veprimi është ndalur nga policia, ndërsa ish-të përndjekurit paralajmëruan përshkallëzim të protestave.
Ish-të burgosurit kanë tentuar të lidhen me zinxhirë para Parlamentit në shenjë indinjate për mos marrjen e asnjë kësti financiar për vitet e qëndrimit në burgjet e diktaturës. Ata u shprehën se protestojnë që qeveria t’u njohë vitet e burgut të bërë gjatë diktaturës, të arkivuara në afër 150 dosje që mbahen të bllokuara që prej vitit 2007 për mos dorëzimin në kohë pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Protestuesit kërcënuan se do të përshkallëzojnë protestat e tyre nëse qeveria nuk miraton me urgjencë ndryshimet ligjore. Zyrtarisht janë 1343 dosje të vonuara që presin ndryshimet ligjore që të merren në shqyrtim nga Ministria e Mirëqenies Sociale përmes Institutit të Riintegrimit të ish-të Dënuarve Politikë gjatë regjimit komunist. Krahas 150 ish-të burgosurve politikë në listën e gjatë të atyre që nuk kanë përfituar asnjë këst dëmshpërblimi janë edhe të dënuarit në kampe, si dhe trashëgimtarë të viktimave të diktaturës.
Revolta e proteste për dëmshpërblimin e viteve të burgut, të kryera në kohën e regjimit komunist ka shpërthyer edhe më parë. Pak kohë më parë, katër prej tyre janë lidhur me zinxhirë në monumentin e ngritur pranë Kryesisë së Kuvendit, në nderim të kaluarës së tyre.
Ky gjest, sipas ish të burgosurve politikë, nënkupton faktin se vazhdojnë të jenë akoma të burgosur politikë edhe në demokraci. Ankesat e tyre janë se nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin por edhe për faktin se nuk janë pyetur për ligjin për të përndjekurit.