Ish-të përdjekurit: Kulla e Prek Calit të rindërtohet

Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë, Dega Malësi e Madhe ka reaguar për prishjen e kullës së prijësit legjendar, Prek Cali. Përmes një deklarate për shtyp, kreu i Shoqatës, Luigj Gega, e cilësoi vepër kriminale shembjen e kullës së udhëheqësit të kryengritjes antikomuniste të Kelmendit të vitit 1945. Gega u shpreh se, atë që nuk e bëri pushtuesi dhe regjimi komunist, e bënë sot pas 27 vitesh disa njerëz të veshur me pushtet. Ai deklaroi se, në vend po instalohet sërish komunizmi.
Kryetari i Shoqatës të ish-të Përndjekurve Politikë të Malësisë së Madhe kërkoi që sa më parë autoritetet përkatëse t’i kthejnë nderin kësaj zone, duke rindërtuar kullën e rrënuar. Më tej, kreu i Shoqatës kërkoi që kulla e Prek Calit të shpallet Monument Kulture dhe të mbrohet nga shteti. Gega i ka bërë thirrje edhe Këshillit Bashkiak Malësi e Madhe që të japë sqarime mbi këtë krim.
Kulla e Prek Calit u prish një javë më parë, teksa kishte nisur rikonstruksioni i saj me paratë e dërguara nga bashkëatdhetarët që jetojne në Amerikë. Fadromat e Inspektoratit Ndërtimor rrafshuan në fshehtësi kullën e prijësit të krahinës së Kelmendit, heroit të rezistencës antikomuniste, Prekë Cali. Me një vendim arbitrar, eskavatorët e IKMT-së kanë shkuar në Vermosh dhe kanë shembur shtëpinë e Prek Calit, udhëheqësit të kryengritjes antikomuniste të Kelmendit të vitit 1945. Siç duket trashëgimtarët e diktaturës që tani janë në pushtet, ende nuk e harrojë atë kryengritje dhe sot kanë vendosur që të bëjnë edhe veprime të tjera. Ata jo vetëm që nuk kanë lënë rikonstruktimin e banesës së Prek Calit, por kanë vendosur ta rrafshojnë.
Reagimet e banorëve kanë qenë të shumta, por ndërhyrja e policisë ka bërë që eskavatori i IKMT-së të bëjë shembjen. Banorët kanë thënë se, veprimi i bërë sot i ka vrarë ata për së dyti, pas masakrës që bënë komunistët në 1945.
Të mbledhur në rrënojat e kullës, banorët e cilësuan vrasje për së dyti të Prek Calit dhe turp kombëtar, atë që ndodhi në këto troje. “Falënderoj shumë diasporën që ka investuar për të ndërtuar shtëpinë e Prekë Calit, por nëse janë bërë ndërtimet pa leje nga pushteti vendor dhe janë dhënë fondet, se kush e ka rrëzuar ne nuk mund ta përcaktojmë, se fadromist mund të jetë kushdo. Këtu është dashur të merret një vendim. Si mund të merret vendimi pas 27 vitesh demokraci të rrëzohet një muzeum në tokën e Vermoshit ku varet harta e gjithë Shqipërisë”, u shpreh një nga banorët.
“Prekë Calit i kanë ardhur mushqit me flori dhe nuk ka pranuar të shesë Vermoshin, as Kelmendin. Kurse sot këtyre politikanëve të famshëm që kemi ne, gjysmën e këtyre parave dhe të shesin Shqipërinë. Kështu janë këta. Ne dënojmë shumë gjestin e djeshëm. Edhe si shoqatë e të persekutuarve, edhe si mbarë populli i Vermoshit dhe Kelmendit, është gjëja më e keqe që ka ndodhur tani e 100 vjet. Enver Hoxha ia hoqi një kat, por nuk e shembi krejt. E ka shfrytëzuar”.
“Kjo është vrasja e dytë që i bëhet Prekë Calit dhe kullës së tij prej regjimit komunist. Prej këtyre nuk kemi pritur të mira dhe as nuk presim”.
“Jemi të vrarë nga kjo që na ndodhi pa dijeninë tonë, se po ta dinim nuk e kishim lënë. Do ta mbrojmë me çdo kusht. Mos të nisen më me ardh këtej, me dhunu për së dyti Prekë Calin”. Megjithëse banorët tentuan ta bllokojnë prishjen e kullës, por ishte e pamundur për ta, pasi aksioni u mbështet nga forcat e Policisë së Shtetit. Veprimi u ndërmor me argumentin se, punimet po bëheshin pa leje, por rrafshimi i kullës jo vetëm është një akt i shëmtuar, por hedh poshtë miliona lekë të dhuruara nga bashkatdhetarët në diasporë, që këtë kullë e shihnin dhe vlerësonin si identitet të krahinës së tyre.

Artikulli paraprakMasakra në Shkozë mes lotëve dhe dëshpërimit
Artikulli tjetërFaqja e pare