Ish-të përndjekurit politikë dënojnë sulmin e Ramës ndaj studiuesit të krimeve të komuniznit, Tufa

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ndjehet e indinjuar nga kërcënimet dhe dhunën verbale në rritje ndaj Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri dhe veçanërisht drejtorit të tij z. Agron Tufa.

Dje edhe kryeministri Rama, iu bashkua kërcënimeve të anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe falangave komuniste në politikë e media kundër ISKPK dhe drejtorit Agron Tufa duke kërkuar që Kuvendi të hetojë e ndëshkojë ata për shkak të detyrës së tyre të përcaktuar me ligj.

Kryeministri Rama si të gjithë drejtuesit e tjerë komunistë të vendit i jep vetes atribute jo kushtetuese duke përcaktuar mënyrën e studimit të historisë nga institucionet e ngarkuara nga ligji për ta bërë këtë, një shkelje flagrante kjo nga ana e tij.

Ne të përndjekurit politike antikomunistë, viktima të krimeve dhe pasojave të komunizmit, objekt i studimit të ISKPK të drejtuar nga Tufa kërkojmë nga qeveria parlamenti dhe politika të heqë dorë nga presioni, kërcënimet dhe ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura të studimit dhe shkrimit të historisë, me qëllim tjetërsimin e historisë për interesa politike e ideologjike, praktika të përdorua gjatë diktaturës komuniste.

Ne të përndjekurit politike antikomunistë vlerësojmë se puna e ISKPK dhe z. Tufa janë në respektim të plotë të ligjit dhe qëllimit të ngritjes e funksionimit të këtej institucioni me rendësi të veçantë shkencore e shoqërore, që janë zbardhja të vërtetës historike për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri.

Ne dënojmë çdo ndërhyrje presion apo kërcënim politik ndaj ISKPK dhe drejtuesve e punonjësve pasi vlerësojmë se përben një kërcënim ndaj përpjekjeve për të zbardhur të vërtetën për pothuaj gjysmën e historisë së shtetit shqiptar 50 –vjet diktaturë e krime komuniste, periudhës me të zezë, më të përgjakur e më të falsifikuar të historisë së kombit e popullit tonë.

Ne të përndjekurit politike antikomunistë vërejmë se agresorët kryesor ndaj ISKPK dhe drejtorit të tij Tufa janë në konflikt të hapur interesi me punën e këtij instituti si autorë të drejtpërdrejtë të krimeve të komunizmit apo pinjollë gjenetikë, politikë e juridikë të tyre, gjë që e bën këtë agresion të pa vlefshëm, juridikisht politikisht e moralisht.

Kuvendi i Shqipërisë nga i cili nisi agresioni ndaj ISKPK dhe z. Tufa, të cilit z. Rama i kërkon të hetojë institutin drejtohet nga ministri i fundit i brendshëm i diktaturës komuniste, Gramoz Ruçi, veprimtaria kriminale e të cilit është objekt i studimit të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri.

Objekt i studimit dhe punës së ISKPK janë edhe anëtarë të tjerë të parlamentit të njohur si autorë të krimeve të komunizmit si autorë të drejtpërdrejtë apo bashkëpunëtorë në këto krime.

Në këto kushte është edhe kryeministri Rama si pinjoll i autorit të krimeve të komunizmit dhe anëtarë të tjerë të qeverise e mazhorancës së tij.

Të ndodhur përballë kësaj situatë të ngjashme me kohën e diktaturës komuniste ne i kërkojmë qeverisë dhe parlamentit të ndalë urgjentisht agresionin politik ndaj ISKPK dhe drejtuesve të saj, të cilën e konsiderojmë qëndrim politik e ideologjik, vazhdimësi të politikave të luftës së klasave, përpjekje për të mos zbardhur krimet e komunizmit dhe autorët e tyre si dhe vazhdimësinë e falsifikimit të historisë nga komunistët, tërësisht në konflikt interesi të tyre.

I kërkojmë Partisë Demokratike, si forca kryesore opozitare në vend të qartësojë qëndrimin e sajë politik me krimet e komunizmit dhe autorët e tyre dhe të intensifikojë reagimin e saj ndaj këtij agresioni të hapur ndaj përpjekjeve për të zbardhur këto krime dhe për të rishkruar drejt historinë.

I kërkojmë institucioneve shkencore, akademikëve, opinionit publik që nuk ndjehet në konflikt interesi me zbardhjen e krimeve të komunizmit të reagojë ndaj këtij agresioni kriminal të qeverisë, parlamentit dhe mazhorancës politike ndaj misionit të zbardhjes së krimeve komuniste në Shqipëri.

Thirrja jonë shkon edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA, BE të cilëve u kërkojmë të reagojnë duke kërkuar nga qeveria dhe parlamenti zbatimin të të njëjtave standarde që vendet e tyre aplikojnë për krimet e luftës, kundër njerëzimit dhe gjenocidit, zbardhjes e ndëshkimit të tyre, krime të cilët janë konsumuar nga komunistët në Shqipëri dhe janë objekti i studimit të ISKPK.

Së fundi, ne i garantojmë ISKPK dhe drejtorit të saj z. Tufa mbështetje të plotë në misionin e tyre fisnik të zbardhjes së të vërtetës për krimet komuniste në Shqipëri .

Kryetari

Nebil Çika

Artikulli paraprakMaqedonia e Veriut vazhdon kursin properëndimor
Artikulli tjetërRama e pranon: Nuk i garantojmë dot qytetarët për sigurinë ushqimore