Ish-zv.ministri i Ramës i bashkohet protestës

Protesta e opozitës njohu ditën e 24 të qendresës qytetare, ndërsa mbështetja për të ka ardhur duke u rritur tani jo më vetëm nga pjesa e elektoratit të djathtë, por edhe nga të majtët dhe personalitete të politikës dhe medias afër saj.
Ish-zv.ministri i Mbrojtjes të Ramës dhe një nga analistët mediatikë i është bashkuar dje protestës në çadrën e lirisë, duke dhënë një mesazh kuptimplotë se më e rëndësishme se rreshtimi në kampe është ngritja e zërit të ndërgjegjes qytetare.
“Sot mes jush, si çdo ditë, ka jo vetëm demokratë dhe mbështetës të opozitës, por edhe qytetarë, madje edhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët ndajnë me ne kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndajnë me ne kauzën e dekriminalizimit.
Sot, këtu na nderon me praninë e tij një përfaqësues i spikatur i mendimit dhe veprimit politik të së majtës, që është gazetari Dritan Hila.
Ju e mirëpritët dhe ndoqët çdo mesazh të tij dhe reaguat me inteligjencën, me mençurinë dhe me vetëdijen politike që karakterizon qytetarët shqiptarë dhe kjo është e pamanipulueshme nga çdo politikan apo çdo media manipulatore.
Duartrokitët dhe mbështetët mesazhet e z. Hila dhe ju të gjithë e kuptoni që ai nuk është këtu për të mbështetur Partinë Demokratike, ai nuk është këtu për të mbështetur thjesht dhe vetëm opozitën apo aksionin opozitar në vetvete, nuk është këtu aspak për të mbështetur Lulzim Bashën, por është këtu për të mbështetur kauzën kombëtare dhe europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e dekriminalizimit të politikës”, tha Basha.
Për kryetarin e opozitës, prania e një politikani dhe analisti si Hila në çadrën e protestës vetëm se provon se kjo çadër i ka kaluar tashmë kufijtë e saj. “Unë dua ta falënderoj me shumë mirënjohje. Dua t’i them se me praninë e tij sot këtu dëshmon shpirtin e vërtetë të këtij sheshi të lirisë, të kësaj tende të lirisë, shpirtin e vërtetë të këtij themeli, të Republikës së re.
Në këto 24 ditë, ne kemi parë e kemi takuar shumë qytetarë dhe anëtarë të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Në këto 27 vite të pluralizmit politik, socialistët shqiptarë kanë qenë kundërshtarët tanë në çdo palë zgjedhje.
Në çdo palë zgjedhje jemi ndeshur me ta dhe kemi fituar ose kanë fituar ata. Por ne nuk kemi harruar për asnjë çast se pavarësisht prej përplasjeve apo platformave politike, na bashkonte shqetësimi i drejtë se: ku po shkonte vendi. Pavarësisht prej zgjidhjeve që shikonim për problemet e vendit, na bashkonte të qenit shqiptarë.
E pra sot, socialistët shqiptarë që kanë patur dhe kanë guximin të jenë pjesë e këtij bashkimi të madh popullor dhe nuk janë të paktë në numër, por janë shumë dhe janë këtu ditë për ditë, dhe demokratët shqiptarë, dhe çdo qytetar shqiptar, i bashkon një shqetësim shumë i madh. Dhe ky është shqetësimi i kriminalizimit total të politikës. Ky është shqetësimi i kriminalizimit total të vendimmarrjes së institucioneve shqiptare”, tha Basha.

Basha: As Basha nuk e ndal dot më protestën

Kryetari i opozitës deklaroi se tashmë as ai vetë nuk do të mund të ndalë protestën në sheshin e lirisë. Ai ka rrëzuar të gjitha dyshimet se largimi i ministrave të Ramës mund të ndikojë tek protestat. Ai u shpreh se kjo lëvizje nuk do të ndalet deri në garantimin e plotë të zgjedhjeve të lira përmes qeverisë teknike.
“Ne e dimë se Saimir Tahiri shërbeu denjësisht për kriminalizimin e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, çka solli kanabizimin e vendit dhe ngritjen e kriminelëve në fron. Ne e dimë se, Ilir Beqaj, shërbeu përulësisht për krimin më të rëndë, shpenzimin e parave të taksapaguesve shqiptarë që duhet të shkonin për shëndetin e të sëmurëve, e pacientëve, e familjarëve tanë, e fëmijëve tanë në xhepat e dy apo tri oligarkëve të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin.
Por ne po kështu, të gjithë e dimë se këta të dy dhe ata dy të tjerët janë shërbëtorë të njeriut që është në krye të kupolës së krimit dhe korrupsionit në këtë vend.
Ndaj flijimi i tyre, largimi i çirakëve, jo vetëm nuk na shtendos nga qëndrimi që kemi mbajtur, por na inkurajon për t’i shkuar deri në fund betejës që kemi nisur. Tani në teorinë e konspiracionit, të shkarkuarit, ju kanë thënë disa gazetarëve dje se na shiti Ed Rama ke Lul Basha, na shiti te Lul Basha, që Lul Basha të ndalë protestën.
E kuptoni se sa mbrapa janë apo jo?
Kujton se Lul Basha është në gjendje të ndalë këtë protestë? Nuk e kuptojnë që kjo lëvizje nuk ndalet e nuk do të ndalet, derisa Republika e vjetër e krimit, e korrupsionit, e drogës, e paligjshmërisë, e antikushtetueshmërisë, Republika e vjetër që i trajton zgjedhjet si një mundësi për të kapur pushtet dhe jo si tempullin e shenjtë të demokracisë, do të bjerë deri në kullën e fundit.
Republika e re, për të cilën jemi mbledhur këtu, është në fakt integrimi i vërtetë europian i Shqipërisë, sepse Republika e re, është dhe do të jetë e tillë, vetëm kur të kemi demokraci të vërtetë, që do të thotë, zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme dhe Po, z. Hila, Po, të gjithë ju qytetarë që doni një sistem zgjedhor që ju përfaqëson ju dhe jo kryetarët e partive në Parlamentin e ardhshëm shqiptar, fuqizimi i qytetarit, kufizimi i pushtetit, janë parime të shenjta, mbi të cilat janë ndërtuar vendet e Europës Perëndimore, vendet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë ndërtuar mbi këto parime dhe garantojnë progres, pikërisht sepse në këto vende, qytetari është Zot i fateve të tij, brenda Kushtetutës dhe ligjit dhe pushtetari është shërbëtor i qytetarit, brenda Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Basha.

Kapja e shtetit nga krimi i organizuar

Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri me kapjen e shtetit nga krimi i organizuar është një rast i paprecedent për rajonin e Ballkanit. “Kjo është gjëma e madhe dhe unike në Ballkan e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Nga krimi i organizuar që duke kapur shtetin, duke kapur qeverinë e Edi Ramës, duke kapur Partisë Socialiste përmes të ashtuquajturës ‘Rilindje’, që nuk është gjë tjetër veçse maska e krimit mbi një formacion politik shqiptar, ka agjësuar procesin politik dhe bashkë me të edhe mundësinë e qytetarëve për vendimmarrje.
Pasojat e kësaj ndihen kudo. Ndihen në radhë të parë në institucionet shqiptare, në bankat e Parlamentit që duhet të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, por kur janë ulur tash katër vjet, njerëz, që nuk përfaqësojnë jo nivelin më të lartë siç duhet të përfaqësojnë, jo nivelin mesatar, por as nivelin më të ulët. Janë njerëz që përfaqësojnë llumin e shoqërisë, njerëz të dënuar për trafiqe, për drogë, për prostitucion, për vrasje. Njerëz që nuk i lidh asgjë me politikën, njerëz që madje nuk i lidh asgjë as me Partinë Socialiste të Shqipërisë, kundërshtarin historik të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Ata njerëz janë sot në bankat e Parlamentit dhe janë sot kryetarë bashkish sepse i solli Edi Rama për pushtetin e tij dhe për fatin e tij personal. Për të marrë pushtetin politik u lidh me krimin e organizuar. Për të mbajtur pushtetin politik është gati që bashkë me krimin e organizuar dhe drogën të prishë institucionin fondamental të demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ju e dini këtë fare mirë, shqiptarët e dinë këtë fare mirë.
Ndaj u mblodhën më 18 shkurt në bashkimin më të madh popullor, në lëvizjen më të madhe, për të marrë një vendim të madh, një vendim të rëndësishëm. Vendimin për të mos u larguar nga ky shesh, derisa të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të thotë domosdoshmërisht dhe pa asnjë kusht, largimin e Edi Ramës si kryeministër i qeverisë shqiptare”, tha Basha.

Garanci për Republikën e re

Ato nuk mund të shartohen me njëra-tjetrën. Duhet të vdesë njëra, që të lindë tjetra. Nuk mund të qëndrojnë përbri njëra-tjetrës. Po kështu, në Republikën e re, mazhoranca dhe opozita do të kenë të drejta dhe detyrime të reja. Në Republikën e re, opozita e re do të ketë rolin e shenjtë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit të mazhorancës së re, përmes të drejtave institucionale, përmes një Parlamenti që funksionon, përmes një Kushtetute që mundëson kontrollin dhe balancën reale të pushtetit, përmes një përfaqësimi të vërtetë të qytetarëve që do të thotë; jo noter i kryeministrit, por noter i qytetarëve dhe ditë për ditë, përballë kryeministrit e përballë ekzekutivit. Kjo është detyra e Parlamentit të ri në Republikën e re. Përndryshe, papërgjegjshmëria, makutëria dhe korrupsioni do të bënin në atë Republikë të re, të njëjtën që kanë bërë me Republikën e vjetër.
E kanë mbuluar vendin me drogë, kanë shkatërruar ekonominë, kanë shkatërruar shpresën e shqiptarëve, duke shkatërruar konkurrencën në ekonomi dhe tashmë konkurrencën në politikë. Sot, në këtë ditë të bukur, në këtë vend të bekuar nga Zoti, po shpaloset një skandal i mynxyrshëm, që tregon çfarë ndodh kur vendi i dorëzohet qeverisjes së papërgjegjshme të lidhur me krimin dhe mafian.

Exit mobile version