Ish-zv/ministrja e Ramës: Pa pjesëmarrjen e opozitës në 30 Qershor mund të ketë votime, por jo zgjedhje

Në mendimin tim, duhet të kufizohet në kohë pushteti i Kreut të Qeverisë (ekzekutivit) në dy mandate.

Duhet forcuar institucioni i Presidentit, si Kryetar i Shtetit, si i vetmi institucion mbi palët, i cili duhet të shërbejë “si amortizator“ i krizave politike dhe negociator kryesor i zgjidhjeve

Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financave në qeverinë “Rama 1” në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se kriza e sotme politike është krizë besimi dhe se kjo krizë akumulon pushtet në duart e liderëve politikë.

Beqiraj shprehet se duhet të bëhen ndryshime të thella kushtetuese, të atilla që të kufizohet pushteti i kryeministrit dhe të forcohet institucioni i Presidentit. Beqiraj mendon se, në 30 qershor mund të kemi votime, por jo zgjedhje.

Si eksperte financiare, zonja Beqiraj analizon edhe problematikën e krizës ekonomike, ku veçon produktivitetin e ulët të ekonomisë sonë dhe konkurrueshmërinë e ulët përballë vendeve të tjera.

Beqiraj argumenton, edhe pse FMN dhe Banka Botërore janë kundër kontratave koncesionare të qeverisë tonë, duke theksuar se FMN me ndryshimet ligjore të kërkuara ka imponuar një ngadalësim të procesit të dhënies së tyre, duke i vendosur organet shtetërore para faktit që duhet t’i bëjnë vetë studimet e fizibilitetit për këto kontrata, duke mos pranuar më propozime të pakërkuara.

-Znj Beqiraj, ishim mësuar t’ju shikonim me profil teknik. Së fundmi më shumë se kurrë qëndrimet tuaja publike kanë qenë tërësisht politike. Keni vendosur të merreni me politikë duke ndryshuar vokacionin tuaj për ekonominë?

– Të merresh me politikë, nuk mund të jetë nxitje e as vokacion, është proces i natyrshëm, në të cilin do të ishte mirë të përfshihen njerëz, të cilët kanë arritur pjekurinë, formimin, eksperiencën e duhur, për të qene pjesë aktive e politikëbërjes. Politika nuk mund të jetë ekskluzivitet vetëm i individëve që e kanë shpallur atë vokacion, apo qëllim në vetvete. Eksperienca ka treguar që të gjithë ata që janë përfshirë në politikë për të bërë thjesht politikë, kanë rezultuar të jenë vetëm demagogë, me shumë pak përjashtime. Nuk e kam nxitje politikën dhe as vokacion, por për sa kohë do të kem shtysën për të dhënë një mendim apo kontribut të vlefshëm, do ta bëj pa mëdyshje.

– Çfarë mendoni për krizën politike ku gjendet sot Shqipëria?

– Në këndvështrimin tim është një krizë e pastër besimi. Sistemi që kemi ngritur dhe e quajmë gabimisht “demokraci “, është në krizë të thellë besimi, pasi është provuar se është një sistem që thjesht akumulon pushtet në duart të liderëve politikë. Populli nuk beson tek partitë politike dhe pse në fjalimet e tyre liderët ngatërrojmë popullin me militantët që mblidhen në protesta dhe antimingje.

Partitë nuk besojnë tek njëra tjetra as për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve. Një krizë besimi të thellë, ka sot brenda edhe vet partive politike. Në heshtje apo në biseda informale, tek anëtarët lexohet mos-aprovimi i veprimeve dhe i vendimeve të liderëve politikë. Në kërkim të pushtetit të pakufizuar edhe të palimituar, ka qenë, është dhe do të jetë e vështirë: të jemi të organizuar në mënyrë demokratike; të ndërtojmë institucione të vërteta e të pavarura nga njëra tjetra (parlament, qeveri, gjykata), si dhe të respektojmë Kushtetutën ,ligjin bazë të organizimit shtetëror dhe shoqëror.

Shqiptarët nuk besojnë më dhe liderët politikë e kanë kuptuar këtë. Në kërkim të dëshpëruar të besimit të humbur, i cili u duhet për të ardhur në pushtet , apo mbajtur pushtetin, liderët tanë i sheh të papërtuar e të përgjëruar, në kërkim të të “vërtetave dhe historive të tyre”, ndër fajet e raporteve të shkruara nga ndërkombëtarët. Të palodhur në interpretimin e mesazheve të koduara, në fjalimet diplomatike, të pakursyer në sharjet për njëri tjetrin, intolerantë ndaj reflektimit, gjithmonë të ndarë si drejtëza paralele, shëmbëllim i njëra- tjetrës por që nuk bashkohen në asnjë pikë.

– A mendoni që zgjidhja e krizës politike do të vijë nga ndërkombëtarët?

– Asnjë risi nuk do të këtë. Si në gjithë këto 28 vite, në shëtitjet e tyre nga zyra në zyrë, do të predikojnë demokraci, qetësi, urtësi, dialog e stabilitet. Mbase do arrijnë t’i mbledhin liderët tanë edhe në një tavolinë. Do përpiqen të shuajnë zjarrin politik të radhës, me paketa e zgjidhje e përkohshme, por nuk do të mund të importojnë zgjidhje të qëndrueshme, siç nuk kanë mundur gjithë këto vite.

Zgjidhjet duhet të vijnë vetëm së brendshmi. Duhet në fakt, të turpërohemi nga kjo gjendje pa aftësie e përhershme, e cila na çon drejt ndërkombëtareve, në kërkim të zgjidhjeve për krizat tona të shpeshta. Për më tepër, ka ardhur koha të kuptojmë, se zgjidhja që duhet të ndërmarrim, as mund të presim të artikulohet dhe as mund të na serviret nga trupat ndërkombëtare të shpëtimit. Zgjidhja e vetme është rishikimi i sistemeve tona, të ashtuquajtura shtetformuese e demokratike, të cilat kanë prodhuar vetëm sulltanate, herë të majta e herë të djathta. Këtë mund ta bëjmë vetëm me vullnet të brendshëm politik.

– Pra ju shikoni si zgjidhje rishikimin e sistemit. E keni këtu fjalën vetëm për Kodin Zgjedhor?

– Jo, nuk i referohem vetëm për Kodin Zgjedhor. Nervi i demokracisë është përfaqësimi, ndërkohë që stabiliteti dhe mirëfunksionimi i saj, bazohet tek pavarësia dhe ndarja e pushteteve. Kodi Zgjedhor, duhet të sigurojë përfaqësimin, si nervi i vetëm i demokracisë dhe jo katapultimin e mbështetësve të kryetarëve. Ndërkohë, që stabiliteti dhe mirëfunksionimi i saj, kërkon sigurimin e pavarësisë së nevojshme midis pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, si dhe mekanizmat e kontrollit edhe balancës midis tyre. Në mendimin tim, duhet të kufizohet në kohë pushteti i Kreut të Qeverisë (ekzekutivit) në dy mandate.

Duhet forcuar institucioni i Presidentit, si Kryetar i Shtetit, si i vetmi institucion mbi palët, i cili duhet të shërbejë “si amortizator“ i krizave politike dhe negociator kryesor i zgjidhjeve. Këto nuk janë zgjidhje të thjeshta. Janë qartësisht në kundërshtim me interesat afatshkurtra të liderit të maxhorancës, i cili është në pushtet, por edhe në kundërshtim me ëndrrën me syhapur të liderit të Opozitës i, cili dëshpërimisht, me zjarr edhe bomba molotov, po kërkon po këtë pushtet absolut.

Por për fatin e tyre të keq, sfida me të cilën sot përballen dy liderët, është përtej asaj që ata janë mësuar të bëjnë. Edhe pse qartësisht si maxhoranca edhe opozita, kanë zgjedhur rrugën e thjeshtë, duke ripërsëritur veten, në të njëjtën zakonshmëri të konfliktit ekstrem, ka ardhur koha për të ofruar një paradigmë të re. Hapi i parë, në këtë krizë të thellë besimi, është të shohin realitetin në sy. Dy liderët, në vend që të ndryshojnë realitetin ,duke ja përshtatur atë “historive të tyre”, duhet të pranojnë atë ashtu siç është, duke ofruar zgjidhjet e kërkuara prej tyre.

– A mendoni se do të zhvillohen zgjedhjet vendore në 30 Qershor ?

– Në fakt, është zakon i politikanëve që e kanë politikën profesion, të parashikojnë çfarë do të ndodh javën, muajin apo vitin e ardhshëm dhe më pas të justifikojnë përse çfarë ato parashikuan nuk ndodhi. Profesioni im është financa dhe ekonomia. Ajo që mund të them me bindje, është që, me sistemin ekzistues, me krizën e besimit që ka kapluar vendin, pa pjesëmarrjen e opozitës, në 30 Qershor mund të ketë votime, por jo zgjedhje.

– Zonja Beqiraj, a është ekonomia shqiptare në krizë?

– Ekonomia shqiptare, ka përpara një vit të mbushur me sfida dhe jo të lehtë. Përveç ndikimit të ngadalësimit të ritmit të rritjes së partnerëve tanë ekonomik, ekonomia shqiptare përballet me probleme strukturore afatgjata, ku krizat, sjellja dhe diskursi politik kanë ndikuar ndjeshëm. Problemi i parë afat gjatë që ka kërkuar dhe kërkon zgjidhje të dakordësuar nga të gjitha palët është rritja e produktivitetit. 1 në 4 punë në Shqipëri janë në sektorë me produktivitet të ulët, siç është tregtia dhe riparimet. Më shumë se gjysma e popullsisë është e punësuar në bujqësi, sektor, i cili për shkak të fragmentizimit të tokës dhe mungesës së ekonomisë së shkallës, gjeneron rreth 1/5 e PBB në Shqipëri.

Problemi i dytë është konkurrueshmëria. Ekonomia jonë përballet me konkurrencë të lartë në tregun evropian edhe botëror. Ndërkohë që vuajmë nga një adaptim te ulët, të tekonologjive të përparuara, mungesë të ekonomisë së shkallës dhe produktivitet të ulët , sot ne konkurrojmë me kostot e ulëta që kryesisht vijnë si rezultat kostos së ulët të krahut të punës. Konkurrueshmëria jonë sot bazohet tek një monedhë kombëtare e dobët. Nëse monedha kombëtare forcohet forcohet, konkurrueshmëria jonë pëson goditje të rëndë. Konkurrueshmëria e arritur si rezultat i pagave të ulëta, apo monedhës së dobët ,nuk mund të jetë kurrsesi zhvilluese.

Shqipëria ka akoma një portofol eksportesh të padiversifikuar, që ka në përbërje produkte dhe shërbime me vlerë të ulët. Ne vazhdojmë kryesisht të eksportojmë burime natyrore të pa përpunuara dhe krahun e lire e të pa kualifikuar te punës.

Ulja në vazhdimësi e kreditimit për bizneset dhe rritja e depozitave të biznesit, tregon që më pak biznese po investojnë . Në këto kushte, rritja ekonomike jo vetëm që nuk mund të jetë gjithëpërfshirëse, por do të jetë përjashtuese. Megjithëse ka një ulje të përqendrimit të depozitave krahasuar me 2012, sërish 5% e shqiptarëve mbajnë 50% të depozitave, gjë që tregon që rritja ekonomike, prek vetëm një pjesë të vogël të shqiptarëve. Për më tepër, struktura jonë ekonomike, është shumë e fragmentizuar dhe përbëhet nga mikrobiznese. Struktura prodhuese në Shqipëri është e dominuar nga kompani shumë të vogla. Bizneset që kanë më shumë se 50 të punësuar, përbëjnë vetëm 1,1% , të totalit të sipërmarrjeve.

Ekonomia që ju përshkrova më sipër nuk ka “këllqe” të përballojë kriza politike të vazhdueshme. Ekonomia jonë nuk ka kapacitet të përballojë zjarrin, bombat molotov, gazin lotsjellës, protestat dhe antimitingjet. Ekonomia jonë ka kohë që thërret për dialog dhe për reflektim. Ka kohë që ekonomia kërkon dakordësi midis palëve, sesi do të adresohen probleme e vështira strukturore, nga të cilat ekonomia lëngon për një kohë të gjatë dhe që nuk janë zgjidhur edhe nuk mund të zgjidhen me ndryshimin e pushtetit, sa majtas -djathtas.

-Znj.Beqiraj, Kontratat Koncesionare ose ndryshe PPP janë cilësuar një rrezik për buxhetin e shtetit nga FMN? Cili është komenti juaj për to?

– FMN, Banka Botërore ka kërkuar që Qeveria shqiptare të tregojë prudencë në përdorimin e kontratave koncesionare dhe partneriteteve publike dhe private. FMN me ndryshimet ligjore të kërkuara ka imponuar një ngadalësim të procesit të dhënies së tyre, duke i vendosur organet shtetërore para faktit që duhet t’i bëjnë vetë studimet e fizibilitetit për këto kontrata, duke mos pranuar më propozime të pakërkuara. Kjo është vlerësuar si një mënyrë me anë të së cilës administrata ka mundësinë që para se të nënshkruajë kontrata koncesionare, të ngrejë kapacitetet, kryesisht në analizat financiare, në ndarjen e risqeve dhe përfitimeve, si dhe aftësitë negociuese të risqeve kontraktuale afat gjata. Pra thënë ndryshe, meqë këto kontrata krijojnë angazhime për pagesa të ardhshme nga buxheti i shtetit, FMN ka kërkuar një rritje të ndërgjegjësimit edhe përgjegjshmërisë së qeverisë, në përdorimin e tyre. Historia e PPP në Shqipëri është mishërimi më i mirë i thënies angleze “nuk ka ide apo mjete të këqija, por implementim dhe përdorim të keq të tyre”.

– Ju falënderoj!

/Botuar në Gazetën Telegraf

Artikulli paraprakRama merr tjetër goditje nga Franca: Shqipëria e mbytur në korrupsion, do të vendosim veton…
Artikulli tjetërBasha në Londër: Konservatorët britanikë, aleatë kryesorë për modernizimin e PD