Ishin dy ngeli një, sherri i Rudinës me Patozin

Rruga e Astrit Patozit dhe e Rudina Hajdarit duket të jetë e ndarë! Nëse në fillim u duk se ata do të krijonin të dy së bashku Bindjen Demokratike, ku nuk munduan as përgëzimet e ndërsjellta në rrjetet sociale, me zyrtarizimin e Patozit në krye të Partisë së re, duket se mundësia që Hajdari të bashkohet është e paktë.

Kjo u shfaq dhe në daljet televizive të të dyve gjatë ditës së djeshme, ku shpjeguan pozicionet që do të mbajnë. Pas regjistrimit të Bindjes me urgjencë në Gjykatë dhe brenda orësh edhe në KQZ, Astrit Patozi ka deklaruar se ftesa për Rudinën mbetet e hapur, ndërsa tha se ka pasur dakordësi mes të dyve për krijimin e një force të re politike, po duket se ndarja erdhi në momentin kur do të vendosej për liderin.

“Jo. Bindja Demokratike ka lindur me qëllimin e mirë që të jetë ndryshe nga të gjitha forcat e tjera politike, që të mos jetë parti e liderit. Ndryshe, ne nuk do të ekzistonim fare në tregun e ideve. Nuk mund të kishim kryetar përpara se të kishim partinë. Ne duam të bëjmë të kundërtën e asaj që bëjnë partitë kryesore.

Kam konsideratën më të lartë dhe vlerësimin maksimal për zonjën Hajdari. Ne mendojmë se e rëndësishme është ideja dhe qëndrimi, jo njeriu. Kemi pasur dakordësi shumë të madhe për nevojën që ka Shqipëria për një politikë të re. Ne e konsiderojmë gabim politik djegien e mandateve.

Kemi shumë qëndrime të përbashkëta, por ky projekt politik ka nevojë për dëshirë dhe çdo njeri bën llogaritë e veta. Zonja Hajdari është e ftuar dhe do të ketë vendin e saj te Bindja Demokratike. Ajo ka qenë frymëzuese e idesë që Shqipëria ka nevojë që forcat politike të shkojnë në zgjedhje”, u shpreh Patozi.

Mirëpo disa orë më vonë Hajdari ka deklaruar se Patozit i uronte suksese, por se ajo do të ndiqte rrugën e saj. Nuk dihet pse ka ndodhur kjo tërheqje e Hajdarit disa ditë pasi deklaroi në Kuvend se grupimi i saj kërkonte që të ishte pjesë e zgjedhjeve lokale.

Tashmë me refleksionet e ditëve të fundit, dhe me marrjen e kryesimit të Bindjes nga Patozi, Hajdari thotë se nuk do që t’i marrë me nxitim hapat që do të ndërmarrë. Ajo thekson se tani e tutje do të jetë e fokusuar te grupi parlamentar i demokratëve në Kuvend, ndërsa një nga kauzat kryesore do të jetë ajo për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Zotit Patozi i uroj suksese, por do vazhdoj rrugën time. Kam folur hapur me krijuesit, por nuk kam pasur asnjë lloj roli në krijimin e kësaj partie. Lajmet dolën se unë isha shprehur hapur, isha pro mosbojkotimit të zgjedhjeve. Isha pro dhe të formimit të një forumi politik që do përfaqësonin demokratët.

PD dhe partitë e tjera kanë zgjedhur një mënyrë anti-kushtetuese dhe jo të përshtatshme të një vendi që kërkon të futet në BE.
Çdo gjë tjetër e shikoj pak të vështirë nuk dua që gjerat të ndodhin shpejt, duhet të jemi të matur. Nuk kam pasur asnjë rol në këtë parti politike”, u shpreh Hajdari.

Përçarja mes grupimit të Patozit, dhe deputetëve të rinj të opozitës nga radhët e PD-së është evidente, pasi asnjë prej tyre nuk ka pranuar që të jetë pjesë e kësaj force të re politike.

Nuk dihet se cilat kanë qenë negociatat mes Patozit dhe Hajdarit, po një gjë është e sigurt: Rrugët e tyre u ndanë edhe më parë sesa të bashkoheshin.

Exit mobile version