“Ishte i çalë dhe mezi ecte. Rojet silleshin shumë ashpër me të”- Kujtimet e ish-të burgosurit politik: Përfaqësuesi më i njohur i vllehëve të Korçës i dënuar me burgim të përjetshëm…

Nga Reshat Kripa 

Pjesa e shtatë

“Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!

  (Viktor Hygo, “Njeriu që qesh“)

INI E COPËTUAR          

                                                          Kushtuar familjes dhe shoqërisë,

                                                                      Autori

                                                                      Kujtime

BURGU I VLORËS 

Më 12 Dhjetor 1951, u transferuam në burgun e Vlorës. Rrugën nga dega në burg e bëmë në këmbë të shoqëruar nga një skuadër policësh.. Na vunë në rresht. Ne të tre na vendosën në mes, që të mos binim në sy të turmës, që na shikonte me kureshtje. Rruga kalonte nga shtëpia e Nerit dhe times.

Kur kaluam pranë shtëpisë së saj, ajo ishte në shesh pushimin e shkallëve. Kishte hedhur vështrimin në qiell dhe nuk e di se çfarë mendonte. Nuk më pa. Unë e vështroja me mall. Por ajo vazhdonte në ëndrrën e saj. E ndoqa me sy deri sa kaluam kthesën e rrugës dhe ajo u zhduk nga vizioni im.

Para portës time, Genci po luante me disa shokë të tij. Më pa dhe vrapoi brenda. Unë ikja dhe ktheja kokën prapa. Pashë nënën që doli te porta. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Godina e konsullatës më zuri pamjen. Pas pak u futëm në burg.

Burgu ishte një godinë e vjetër dykatëshe, që kishte shërbyer si i tillë me kohë. Pasi kaloje një portë të madhe dykanatëshe, sipër të cilës kishte një qemer në formë harku prej guri, hyje në korridor. Në të djathtë ishte një dhomë që shërbente për qëndrimin e policëve. Fill pas saj, në distancë dy metra larg njëra-tjetrës, ishin dy zgara hekuri me nga një portë të vogël secila, nga ku qarkullonin njerëzit. Në dy anët e këtyre zgarave bëheshin takimet e të burgosurve me familjarët.

Pas tyre, majtas, ishte dhoma numër një ose infermieria ku shërbente mjeku i njohur, Jani Melo, një i dënuar politik edhe ky. Djathtas ishte dhoma numër dy, ku vendoseshin përkohësisht të burgosurit e rinj. Pas saj ishte dhoma numër tre ose dhoma e të dënuarve me vdekje. Ata i mbanin të lidhur. I nxirrnin një herë në ditë, në orën 8.00  një nga një për të kryer nevojat personale. Akoma kam parasysh fytyrën e bukur të një djaloshi nga Dukati. Ishte sikur shikoje fytyrën e një engjëlli. Ishte dënuar pasi kishte vrarë të motrën me të dashurin e saj. Forca e zakonit e kishte shtyrë në krim. Një ditë nuk e pashë më. E kishin ekzekutuar. Ata që kishin qenë në atë dhomë, tregonin se muret e saj, ishin mbushur me emrat e të dënuarve.

Në të majtë të korridorit ishin shkallët që të shpinin në katin e parë, ku kishte katër dhoma me të dënuar ordinerë. Poshtë shkallëve ishte qelia e ndëshkimit. Nëpërmjet një porte tjetër dilje në oborr, që në dy anët ishte i rrethuar nga një mur i lartë në skajet e të cilit, ishin truprojat ku qëndronin natë e ditë policë të armatosur. Dy anët e tjera i kishin zënë godina e burgut dhe katër dhoma të tjera, ato me numër katër, pesë, gjashtë dhe shtatë. Ngjitur me dhomën numër pesë, ishte një dhomë e vogël pa numër, gati si birucë, ku qëndronte përfaqësuesi më i njohur i vllehve sarakaçanë të Korçës, Ndini Janua. Ishte dënuar me burgim të përjetshëm të rëndë. Atë e nxirrnin vetëm një herë në ditë, sa për nevojat personale. Ishte i çalë dhe mezi ecte. Rojet silleshin shumë ashpër me të. Vdiq në burg pas disa vitesh.

Fillimisht na vendosën në dhomën numër dy. Pas tre ditësh na shpërndanë në dhomat e tjera. Mua më vendosën në dhomën numër pesë. Atje gjeta Dinon. Kjo më gëzoi. Të paktën kisha një njeri të njohur. Ishim dymbëdhjetë persona në atë dhomë, me dimensione 4 X 4 metra. Secilit nga ne i takonte 60 centimetra vend. Dy orë në ditë në mëngjes, dilnim në oborr. Gjatë kësaj kohe duhej të kryenim nevojat personale, të laheshim, të takonim shokët e dhomave të tjera dhe të shëtisnim duke i ardhur oborrit rrotull. Kjo ishte ritmika e ditës.

                                                                      * * *

Ishte dita e caktuar për takim me familjarët. Prisja me padurim kush do të vinte. Përgjegjësi i të burgosurve foli emrin e Myrtezait. Kur u kthye, e pyeta kush kishte ardhur

– Mamaja. – tha me një zë që dridhej. – Shiko ç’më ka sjellë nga Alketa.

Alketa ishte vajza e ëndrrave të tij. Më tregoi një libër. Në faqen e brendshme ishte shkruar:

Nga thellësia e shpirtit tim,

Po të dërgoj këtë kujtim,

Kudo që të vesh, nga do që të shkosh,

Shoqen e dashur mos ta harrosh! 

Myrtezai fluturonte nga gëzimi. Ky shënim më kujtoi Nerin. A do të kujtohet të më dërgojë ndonjë shënim? Po përse të më dërgojë? Unë me të nuk kam patur asnjë lidhje. E doja, por prej saj, nuk kam patur asnjë premtim. A mund të quhet dashuri një gjë e tillë?

Dëgjova që thirrën emrin tim. U drejtova për te hekurat. Nga ana tjetër e tyre pashë Fatushen. Ajo më pa ashtu të zbehtë dhe të dobët dhe filloi të qajë. Nuk e mbante dot veten. Unë u preka tepër, por u mundova të mos e tregoj veten. Fillova t’i flas, t’i them se isha mirë dhe gjëra të tjera të tilla. Më në fund e mblodhi veten dhe filloi të më flasë për njerëzit e familjes. Më foli për babanë e nënën, që kishin merak për mua, Për Agimin që kishte filluar kursin për topograf, për Besnikun që ndodhej në kampin e Urës Vajgurore dhe për motrat e martuara që më përqafonin me mall.

Takimi mbaroi. Ai kishte lënë mbresa te unë. Kur më pa Dinua, më tha:

– U trondite? Është takimi i parë. Të gjithë e kemi kaluar një çast të tillë.

Jorgos, nuk i erdhi njeri as atë ditë dhe as gjatë gjithë kohës që ndenji në burg. I ati ishte zemëruar me të birin, për veprimin e tij. Ky qëndrim do të influenconte më vonë në marrëdhëniet babë e bir.

Një ditë, ndërsa bënim shëtitjen e zakonshme në oborr, erdhi për kontroll një major i Ministrisë së Brendshme. E shoqëronte Fadil Kapesyzi, Zv/Kryetari i Degës. Kur na pa ne të treve i tha Fadilit:

– Po këta fëmijë pse i keni mbajtur këtu?

Fadili u mendua pak dhe pastaj u përgjigj:

– Atë kishim ndër mend edhe ne, por këta e bënë vetë me qëndrimin e tyre.

Shprehje tipike e një sigurimsi.

Në burg ndodhej edhe një italian, inxhinier Terrasini. Kur na pa aq të vegjël, iu drejtua Vendigjar Hamzarajt:

– Ju shqiptarët keni një fjalë të urtë që thotë se burgu është për burrat. Këta komunistët e kthyen edhe në burg për fëmijë. Nuk merret vesh se kush është burrë dhe kush fëmijë.

                                                                    * * *

Në dhomë Dinua kishte librin e parë të metodës së gjuhës frënge “Première annèe“. Fillova të marr mësimet e para të asaj gjuhe, që në atë kohë, njihej si gjuhë ndërkombëtare. Mësuesi im i parë u bë Dinua. Akoma i kam parasysh historitë zbavitëse të asaj metode, historitë e  “La famille Richards“ dhe personazhet e saj Roger dhe Collete. Dinua më tregoi edhe historinë e grupit të tyre. Kishin qenë katër persona, së bashku me Lonin, një shokun e klasës së tyre. Ai kishte qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe ishte ai, që i kishte denoncuar. Këtë gjë ata nuk e dinin dhe kishin rënë viktimë e paditurisë së tyre.

Burgu ndryshonte shumë nga gjendja në sigurim. Por edhe atje kishte oficerë xhahilë, që e rëndonin gjendjen e të burgosurve. I tillë ishte toger Nauni. Megallomania dhe arroganca e tij ishin të padurueshme. Kënaqësia e tij ishte të torturonte ata që dënoheshin me izolim në qelinë e ndëshkimit.

Një herë në ditë bëhesh kontrolli i dhomës nga ana e oficerit të rojës. Ai vinte me një hekur të rëndë dhe godiste me të dyshemenë, duke na detyruar të ngrinim dyshekët. Kjo bëhej për të parë se mos gërmohej ndonjë tunel për arratisje. Ky kontroll zakonisht bëhej ditën. Kurse toger Nauni, vinte pas mesit të natës, na zgjonte nga gjumi dhe fillonte nga kontrolli. Kjo nuk mjaftonte, por ishin edhe ironit e tij që shoqëronin këtë kontroll:

– Avash, avash se mos zgjoni zotërinjtë!

Kaluan tetë muaj. Një natë ndjeva një dhimbje të fortë në fund të barkut, në krahun e djathtë. Dhimbja ishte e padurueshme. Dinua trokiti me forcë në portë. Roja i brendshëm erdhi dhe pyeti me fodullëk:

– E more, ç’dreqin keni që trokisni?

– Duam mjekun se kemi një njeri të sëmurë. –  u përgjigj Dinua.

Ai u largua, por doktorin nuk e lajmëroi. Pritëm edhe pak kohë dhe Dinua trokiti përsëri, kësaj here më me forcë. Roja erdhi mjaft i nevrikosur

– A keni ndjenja? – i tha Dinua. – Kemi një njeri shumë të sëmurë dhe duam mjekun.

Roja u largua dhe pas pak u kthye së bashku me doktor Melon dhe toger Naunin, që atë mbrëmje ishte oficer roje. Doktori më vizitoi dhe konstatoi se ishte apandesit akut. Duhej ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale, përndryshe rrezikohej jeta. I kërkoi toger Naunit të më shpinin në spital. Por ai me një indiferentizëm të theksuar tha:

– As mos e shkoni ndër mend. Natën nuk e lejon rregullorja lëvizjen e te dënuarve.

Doktori nguli këmbë në kërkesën e tij, por ishte njësoj sikur t’i flisje një shurdhi.

– Merre shtroje në infermieri. – tha më në fund togeri.

Dinua me tre shokë më ngritën në krahë dhe më çuan në infermieri. Pastaj u larguan. Nuk i lejonte njeri të qëndronin. Infermieria kishte vetëm emrin të tillë. Nuk kishte të paktën një ilaç për të qetësuar dhimbjet. Doktori filloi të më bënte kompresa me ujë të ftohtë në vendin e dhimbjes. Për fatin tim, pas disa orësh dhimbja pushoi. Megjithatë, doktori më mbajti në infermieri për disa ditë, që të merrja veten mirë.

Në këtë kohë erdhi urdhri për transferimin e një pjese të burgosurve në kampet e punës së detyruar. Në listë ishin edhe emrat tanë. Doktori nguli këmbë që unë të qëndroja, bile për këtë bisedoi edhe me komandantin e burgut. Por unë nuk doja. Shokët e mi do të iknin. Dinua gjithashtu. E ç’të bëja unë vetëm aty pa ata? Përveç kësaj shpresoja që duke dalë në kamp, do të mund të takohesha me Besnikun, për të cilin ndjeja një mall të madh. Më në fund, këmbëngulja e ime fitoi. Të nesërmen do të niseshim.

Nisja u bë afër mesditës. Kur makina kaloi pranë shtëpisë time, hodha vështrimin dhe një herë andej, por nuk pashë njeri. Në mendje më shkoi nëse do të kisha fatin të kthehesha ndonjëherë apo jo?

URA VAJGURORE 

Rreth orës 15.00 mbërritëm në kampin e Urës Vajgurore. Ndërtohej aerodromi i parë ushtarak i Shqipërisë. Kampi shtrihej rreth dyqind metra në të majtë të rrugës nacionale, që të shpie në Berat. Kur mbërritëm ne, të burgosurit ishin në punë. U kthyen pas tre orësh. I shikoja kur hynin në kamp duke u numëruar te porta dy nga dy. Prisja me padurim të shihja Besnikun. Kisha një mall të madh. Kishim më shumë se dy vjet që nuk ishim takuar.

Më së fundi, e pashë. I thirra dhe vrapova drejt tij. U përqafuam me një mall të jashtëzakonshëm. Një çast të tillë mund ta provoj vetëm ai që i ka përjetuar vetë ato ndjenja.. Në atë kohë m’u duk sikur isha në familje. Ai më zëvendësonte tim atë, që nuk e kisha pranë për t’u konsultuar sa herë që kisha nevojë. Takova edhe Lavdoshin me disa shokë të tjerë. Filluam të bisedojmë. Interesoheshim për gjithçka. Për familjen dhe problemet e saj. Për arrestimin dhe qëndrimin në sigurim. Ishte ambienti që të shtynte të interesoheshe për këto probleme.

Besniku hante bukë me Namik Manxharin dhe Bekim Agajn nga Smokthina. Punonin dhe rrinin në një kapanon. Mua më caktuan në një brigadë tjetër me Jorgon dhe Myrtezanë. Ishim më shumë se dymijë vetë në kamp.

Pas dy ditësh dolëm në punë. Punonim në betonimin e pllakave të betonit që mbulonin fushën. Furnizonim betonierën me rërë të larë, çakëll, çimento dhe ujë, ose transportonim betonin me karro dore në distancë, deri në njëqind metra. Puna ishte e lodhshme. Ajo zgjaste dhjetë orë në ditë, sidomos gjatë verës, kur dita ishte më e gjatë.

Në Urën Vajgurore punonin edhe disa civilë, kryesisht personel inxhiniero – teknik. Midis tyre ishte edhe një topograf, një djalë i moshës rreth njëzetepesë vjeç. E quanin Skënder Janina. Një ditë, ndërsa mundohesha të shtyja karron që ishte më e madhe se unë, afrohet dhe më pyet:

– Nga jeni?

– Nga Vlora.

– Si ju quajnë?

I thashë emrin. Më shikoi me habi dhe më pyeti:

– Çfarë e ke Agimin?

Unë u mendova një herë. T’ia thoja apo jo? Kisha frikë nga ndonjë provokim. Megjithatë i thashë shkurt:

– Vëlla.

U largua pa më thënë asnjë fjalë. E pashë që u drejtua te oficeri që na shoqëronte dhe diçka bisedoi me të. Pastaj u largua. Të nesërmen erdhi me një letër që ia dha oficerit. Ai e lexoi dhe m’u drejtua:

– Do të shkosh të punosh si figurant me topografin.

Kështu shpëtova nga puna e rëndë me karro dore. Skënderi më tregoi se mezi i kishte mbushur mendjen komandantit të kampit, që i kishte dhënë shkresën. Ai kishte mbaruar kursin e topografisë me Agimin dhe kishin punuar një kohë së bashku. Ishte një njeri i shkëlqyer. Atë që bëri për mua nuk do ta harroj për tërë jetën. Puna ishte e lehtë. Mbaja latën, ndërsa ai punonte me instrument. Më mësoi edhe mua përdorimin e tij. Ndonjëherë, në prezencë të tij, më linte t’i jepja unë kuotat, pastaj i kontrollonte në se ishin mirë.

Pas dy muajsh erdhi në kamp si operativ i sigurimit, toger Ademi një përbindësh i vërtetë. Edhe fytyra e tij tregonte se ç’kriminel ishte. Kur isha fëmijë, kisha parë një film gjerman ku përshkruhej aktiviteti kriminal i një mjeku. Për çudinë time, ky mjek, kishte një fytyrë engjëllore. Kurse fytyra e togerit tonë ishte si ajo e një satanai. Një ditë, ndërsa punoja, u afrua dhe më pyeti:

– Përse je dënuar?

– Agjitacion dhe propagandë.

Më vështroi sikur do të më hante të gjallë.

– Nesër do të shkosh të punosh në brigadë, –  tha dhe u largua.

Skënderi shkoi dhe bisedoi me komandantin e kampit. Por paradoksi i kohës ishte se fjala e togerit të sigurimit, ishte më e fuqishme se ajo e komandantit të kampit. Të nesërmen fillova përsëri të shtyj karron. Në vendin tim caktuan një të dënuar ordiner për vjedhje. /Memorie.al

Exit mobile version