ISIS tek droga, Berisha apel NATO-s

Ish Kryeministri Berisha paralajmëroi dje se siguria kombëtare është në rrezik ndërsa i bëri thirrje NATO-s si dhe Bashkimit Evropian të ndërhyjnë në mënyrë urgjente pasi rrjeti famkeq terrorist ISIS ka lidhje me parcelat e drogës në Shqipëri. “Sot unë dua të jap alarmin, të shpreh shqetësimin tim më të madh për dramën në të cilën është zhytur Shqipëria. Sot, siguria kombëtare është më e kërcënuar se kurrë në historinë e këtij vendi nga kohërat e luftërave e deri tani. Shqipëria është shndërruar në Kolumbinë e dikurshme, jo të sotme të Europës. Kanabisi, arat e deputetëve, politikanëve dhe ministrave, kanë mbuluar vendin nga Pogoni deri në Vermosh. Asgjë nuk kërcënon më shumë sigurinë e këtij vendi sesa kanabisi. Pra, edhe një herë jap alarmin se kjo situatë është më kërcënuesja për sigurinë kombëtare dhe unë, i them shqiptarëve, i them Aleancës së Atlantikut të Veriut, Bashkimit Europian se në Shqipëri ISIS do të ketë minierat e floririt në kanabisin e kriminelëve shqiptarë, e bandave shqiptare” u shpreh Berisha.
Ish kryeministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar se Shqipëria po shndërrohet në një vend që po financon shtetit islamik. “I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar ta marrë këtë në mënyrën më serioze, të mos injorojë këtë fakt. Zotërinj, a e lexuat shtypin italian se çfarë shkruante? Shkruante se aeroporti i Ishmit ishte për transport armësh.  Kambanat bien për të gjallët jo për të vdekurit, këto kambana bien për Shqipërinë. Keni kaluar nga mushkonjat nëpër aeroporte në mushkonja për trafiqe kriminale, qoftë kanabis, qoftë kokainë, qoftë armë. Edhe një herë u them se kurrë s’ka qenë më e kërcënuar siguria kombëtare e këtij vendi, se një vend anëtar i NATO-s s’mund të bëhet kurrë kërcënim për aleatët e vet me kanabisin. Kemi detyrime të mëdha ndaj shqiptarëve dhe aleatëve tanë, sepse në dhjetëra miliardë, dora e zezë e ISIS s’ka asnjë pengesë që të shtrihet. Dhe pastaj çfarë do të thoni ju aleatë të NATO-s që financoni shtetin më të kobshëm të kohërave, aktet më terroriste, çfarë do të thoni ju që ngritët një sistem aeroportesh për të transportuar armë, para drogë e çdo gjë? A nisi kjo me mushkonjat dhe përfundoi me aeroportin e Ishmit, aeroportin “Saje qorri”? A e dini ju që po ndërtohen aeroporte të tjera apo jo? Ja u them unë që po. Po ndërtohen aeroporte të tjera për trafiqe kriminale. Çfarë shteti jemi ne që eksportojmë vdekje për aleatët tanë. Dalin këtu në mënyrën më të neveritshme e shpifëse dhe flasin se paska patur dhe më parë. Po, kishte, por kishte një luftë dhe kjo luftë bëhej. Pyesni autoritetet italiane, pas moratoriumit të skafeve dhe luftës ndaj trafiqeve, Italia hoqi kontrollin e hapësirës ujore në Shqipëri. Por ju besoni gënjeshtrat tuaja sepse ju nuk fluturoni me presh mbrapa, ju fluturoni me para mbrapa” tha Berisha.
Vendi, tha ish kryeministri,  është më i kërcënuar se kurrë. “Është bërë përpjekje e jashtëzakonshme për ta anëtarësuar vendin në NATO dhe tani bëhemi kërcënim dhe rrezik për NATO-n, për Italinë, për Greqinë, bëhemi kërcënim dhe rrezik për vendet dhe aleatët tanë, ndërsa ju dilni e lexoni këtu statistika të paqena dhe mashtruese fund e krye. Kryearkitekti kësaj është Edi Rama! A nuk jeni ju promovues legalizimesh të kanabisit? A nuk jeni ju që në ato zona ku u bënë rekrutimet janë plot kanabis sot? E keni shumë të qartë këtë ju, por nuk ka rëndësi pasi mjafton që bosët e krimit të mbushin thasët me paret e drogës. Ju po luani me ekzistencën. Nuk po marr anën tjetër, të vrasjeve që kryhen nga kanabisi, dy vrasje vetëm këtë javë dhe të tjera të pashpallura e të fshehura. A e dini ju që policia juaj është shndërruar në polici kanabiste, e tëra” tha Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve “që të mos mashtrohen nga kjo politikë, se absolutisht mbjellin helmin, pasi kanabisi është helm, por nuk është vetëm helm biologjik, është helm politik, është helm social dhe asgjë s’do ju rrënojë më shumë. “Shihni Bolivinë si është shndërruar nga droga. Droga i ka rrënuar vendet dhe nuk i ka zhvilluar ato, në çfarëdo sasie që të jetë prodhuar. Unë ju garantoj ju që viti tjetër do të jetë viti i lulëkuqeve, opiumit. Se e keni dhe në trashëgimi ju këtë apo keni harruar kohën kur Enver Hoxha nxirrte nxënësit e shkollave nëpër ara për të mbjellë lulëkuqet se i duheshin për bimë mjekësore derisa komuniteti ndërkombëtar i vuri lakun në fyt. Por sot jemi vend i hapur, nuk jemi më vend i mbyllur” tha Berisha.
Berisha tha se kanabis është mbjellur edhe më parë, por ai u reduktua në mënyrë maksimale në atë shkallë sa Italia hoqi mbrojtjen dhe kontrollin bregdetar në Shqipëri. “Sa leje për skafe janë dhënë? 1500 leje për skafe. Kur mediat e huaja shkruanin se po përgatitej flotilja e skafeve për transportin ilegal të emigrantëve unë e quajta sinqerisht një fantazi. Por kur më vonë mora vesh se janë dhënë leje për 1500 skafe u tërhoqa dhe kërkova ndjesë me veten time.
“Edhe një herë i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, që me urgjencë të marrë në analizë gjendjen e drogës në Shqipëri, sepse ky vend në rast se nuk ndërhyhet me urgjencë në këtë situatë ju garantoj se shumë shpejt do të jetë një financues i madh i terrorizmit ndërkombëtar, i ISIS në radhë të parë. Se edhe tre apo katër vite më parë po të na pyesnin nëse do e imagjinonim që do të kishte shqiptarë që do të shkonin të luftonin për ISIS, jo do të thonim. Po ja që shkuan dhe shkuan jo pak, por me qindra dhe ja që shkojnë edhe tani madje. Pra, kjo është një emergjencë kombëtare dhe e dënoj me ashpërsinë më të madhe.
I bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, ta shqyrtojë këtë situatë në mënyrën më serioze çështjen e drogës në Shqipëri, një rrezik i madh për Shqipërinë vend anëtar i saj, por një rrezik real dhe për vende të tjera.  I bëj thirrje BE, Komisionit Evropian të shqyrtojë në mënyrën më serioze çështjen dramatike të drogës në këtë vend. Duhet ta dini se në Xibrakë ajo ngarkesa që u kap ishte e fundit, dy anije të tjera me ngarkesa kokaine kanë hyrë në Shqipëri. Sigurisht kur janë të lidhura me qeverinë janë të mirëseardhura. Janë të provuara këto që them unë.
I bëj thirrje SHBA-ve, vendi që ndofta shpenzon më shumë se kushdo tjetër në luftën kundër drogës që të shqyrtojë me emergjencë dhe të marrë filmimin e fundit të autoriteteve italiane.  I kërkoj kryetarit të Parlamentit që ky filmim të mos mbetet në dorë, por t’i bëhet i ditur Parlamentit shqiptar, sepse përgjegjësia për vendin nuk është vetëm i një grushi njerëzish. Përgjegjësia për vendin është e përfaqësuesve të qytetarëve, është e vetë qytetarëve ndaj dhe ju takon të kërkojmë filmimin dhe ta bëjmë publik. Të mos dëgjojmë këtu një lumë mashtrimesh dhe trillimesh njëra pas tjetrës” tha Berisha.

Skandali, qeveria shkurtoi 47% të shpenzimeve për Urgjencën

Me tone të ashpra reagoi dje ish kryeministri Berisha në lidhje me skandalin e vdekjes së nënës dhe foshnjës së palindur ndërsa deklaroi se tragjedia erdhi si pasojë e kushteve skandaloze në spitalore. Berisha denoncoi faktin se vetëm dy javë më parë me aktin normativ të buxhetit u shkurtuan 47% të shpenzimeve për Urgjencën. “Së fundi, dua të ndalem në një moment. Në këtë vend kalohet nga një lajm dramatik në një lajm tjetër dramatik, nga një lajm i keq në një lajm tjetër të keq. Pak ditë më parë një nënë dhe një foshnje në kohën e saj të lindjes humbet jetën. E dhembshme për çdo vend kjo. Përfytyroni pak Shqipërinë e 20 viteve më parë. Një nënë si ajo, në rast se do të nisej nga Kalaja e Dodës apo Skrapari, asaj do t’i duheshin shumë e shumë orë për të mbërritur në maternitetin e parë kompetent. Sot pas 20 vitesh kjo nënë, në mes të Tiranës përshkruan udhëtimin e vdekjes me shtatë orë e gjysmë. A ishte kjo inkompetencë e mjekëve? Absolutisht jo, se mjekët janë kompetentë. Unë nuk them se çdo mjek me të parën bën diagnozën, por kur grupohen është shumë e vështirë t’u shpëtojë diagnoza pa bërë. A ishte kjo mungesë humanizmi? E pamundur. Nuk mund të besoj që një mjek të mos kishte ndjeshmërinë e duhur ndaj një nëne dhe një foshnje. Çfarë ishte kjo atëherë? Kjo ishte një shpartallinë e sistemit të Urgjencës. Nga kush? Nga një xhahil që vjedh ditë e natë, që s’ka ndërmend asgjë tjetër vetëm të vjedhë dhe vetëm të vjedhë. A e dini se shumica e imazherisë nuk funksiononte? A e dini që vetëm dy javë më parë, me aktin normativ të buxhetit shkurtuat 47% të shpenzimeve për Urgjencën? Por natyrisht jo për Urgjencën tonë sepse ne këtu i kemi ca lidhje për të mos ta pësuar, por për Urgjencën e atij qytetarit të thjeshtë. Votuat ju këtu se ja u solli. A është ky një krim more. A e dini se këta që vodhën 300 mln me ndrikull Nushin dhe me muratorin e kompanisë së sterilizimeve s’kanë rritur një qindarkë rrogat e mjekëve prej tre vitesh? Në kohën time u rritën 150%.  ” tha Berisha.

E nisët si mazhorancë e qelbësirave, po përfundoni si mazhorancë e plehrave!

“Thirrja ime e fundit është kjo: Ngrihuni, mos përfundoni mazhorancë e plehut. E nisët si mazhorancë e qelbësirave, po përfundojnë si mazhorancë e plehrave!”. Kjo ishte thirrja e ish-kryeministrit Berisha drejtuar mazhorancës dje ndërsa hodhi akuza të rënda ndaj lidhjeve të Ramës me trafikun e drogës, largimin e investitorit libanez etj. “Njeriu që ja mbathi, nuk ja mbathi rastësisht. Ja mbathi sepse kishte frikë nga vetja e tij. Ja mbathi se e dinte që e vërteta do të dalë këtu për çdo çështje. Ja mbathi se e dinte që do të riprodhoheshin në këtë sallë deklaratat e tij të tri viteve më parë para shqiptarëve dhe para këtij Parlamenti. Këto deklarata ishin të kundërta me ato të sotmet pasi ka marrë 4 milionë euro ryshfet. E akuzova konkretisht me shifër konkrete. Asnjë fjalë nuk tha. Po çfarë na tha? Na tha se ka ngritur kontrollin. Urdhëroni, ja ky është kontrolli. Hodhët 1.5 km naftë mbi det. Asnjëri deri më sot nuk e di se kush e hodhi, se ç’u bë dhe ky është kontrolli. Në Zvërnec të Vlorës, anija me bitum. Hetimi vazhdon thotë ky po përgjegjës nuk ka. Ky është kontrolli?!  Gjalica e Fierit, çdo javë vjen në këtë gjendje të mjeruar (tregon foto), nuk dihet nga kush, ja pra ky është kontrolli. Plehrat, ja ku i keni, kanë mbytur zona të tëra si asnjëherë më parë. Po groposni njerëz të gjallë në plehra.  Këtu unë fola me fakte, dhashë prova të qarta dhe zotëria në vend se t’i hidhte poshtë shpifi dhe nuk tha asgjë. I thashë dhe i them prapë këtu, se më datën 27.09.2013 me urdhër të tij është vendosur prishja e kontratës me kompaninë “OMNIX” në lidhje me pjesën e pronarit të ligjshëm. Më datën 22 shkurt 2014 është zgjidhur tërësisht kontrata dhe këtë e ka bërë Al Kapone, Edi Rama. Këtyre nuk iu përgjigj. Procesi gjyqësor, nuk hyj në themelet e tij, por hyj në detyrimin shtetëror për të apeluar çdo vendim gjyqësor kundër shtetit. Nuk u apelua. Po pse? Sepse urdhëroi Edi Rama, sepse mori ryshfetin përndryshe do të mbronte interesin e shtetit. Foli këtu për kanabisin. Fatmirësisht raportet dhe të dhënat janë aty.  Nga janari në shkurt, në dy muaj në brigjet italiane janë kapur 7636 kg kanabis sativa. Vetëm javën e fundit janë kapur 5 ton kanabis. Më 2012, raporti tregon se në 12 muaj kaluan gjithsej 7000 kg. Pra, keni kaluar në dy muaj shumë më tepër se sa në 12 muaj, keni kaluar në një javë thuajse kuotën vjetore të 2012” tha Berisha.  Ish kryeministri iu referua konkretisht të dhënave nga raportet ndërkombëtare në lidhje me drogën duke hedhur poshtë pretendimet e PS mbi trafikun e drogës gjatë qeverisjes së PD. “Meqë përmende raporte, ato janë këtu fatmirësisht. Çfarë thotë raporti i Brukselit: “Gjatë vitit 2011 Shqipëria arriti rezultate të rëndësishme në luftën konstante ndaj krimit, drogës biznesit ndërkombëtar të saj. Shqipëria vazhdon të arrijë suksese në programin e saj për reduktimin e prodhimit dhe tranzitimit të drogave dhe për sigurinë e një kontrolli efektiv të kufijve. Masat e ndërmarra për modernizimin e pajisjeve dhe shtimin e trajnimeve siguruan arritje cilësore në standardet e sigurisë së shërbimeve”. Raporti i DASH: “Raporti i vitit 2012: Në muajt e parë të 2012 Shqipëri kapi pak a shumë të njëjtën sasi të një viti më parë. Më vonë u kapën gjithsej 4728 kg marijuanë të përpunuar apo 30% më pak se 2010 sepse çrrënjosja më 2010 dhe rritja e vetëdijes publike për dëmet e saj, uli në mënyrë domethënëse prodhimin e marijuanës”. Raporti 2013: “Shqipëria ka realizuar rritjen e konsiderueshme në kapjen e drogave dhe arrestimin e trafikantëve”. Pra, nëse ju dilni këtu dhe gjeni mbrojtje duke falsifikuar raportet e qeverisë amerikane ju qofshi se në mënyrë absolute jeni të pashpresë, ju nuk fusni dot drogën në thes. Në gjithë ekspozenë time unë fola me dokumente, fola me fakte dhe ai nuk reagoi. Është kthyer si ato plakat që e nisin dhe e ngrysin ditën me thashetheme, si një njeri bosh që s’ka një koncept, i lidhur me krimin, që gënjen e mashtron, që beson se vetëm në këtë mënyrë mund të kapërcejë skandalet e njëpasnjëshme që bën qeveria e tij” tha Berisha ndër të tjera.

A.Shahini

Artikulli paraprakPlehrat kalojnë me 63 votat e deputetëve të Ramës
Artikulli tjetërReferendum për plehrat