Nga Ardian Vehbiu
Një vështirësi kronike në diskursin “liturgjik” kombëtarist duket se ka qenë ruajtja e kufirit konceptual mes Islamit dhe sundimit otoman në trojet shqiptare; që deri-diku i ngjan kufirit tjetër konceptual mes fesë ortodokse dhe nacionalizmit grek (dhe, në një kontekst tjetër, mes shqiptarëve etnikë ortodoksë dhe vllehëve). Ka një lloj mendësie që kërkon t’i shpërfillë këta kufij, sidomos për interesa politike; ka edhe të tjerë që mendojnë se ka argumente historike për të mos i mbajtur parasysh. Nga ana tjetër, siç e ilustron edhe shkrimi i tanishëm i E. Qesarit, ka zëra në debatet publike për të cilat distancimi nga gjithçka “anadollake” dhe “turkoshake”, si faktorë të prapambetjes shqiptare, nuk është veçse një taktikë jo dhe aq e hollë, për të stigmatizuar Islamin si një nga fetë e shqiptarëve.
Nuk është vendi këtu për të hapur debatin, nëse prapambetja e shqiptarëve – në krahasim me popuj të tjerë të Europës përfshi edhe fqinjët – ka të bëjë më shumë me sundimin osman apo me përkatësinë e një shumice të tyre në fenë Islame. Sikurse nuk është vendi as për të (ri)sjellë hipotezën se të krishterët shqiptarë sot, qofshin këta të fesë katolike, qofshin të fesë ortodokse, janë po aq produkte të sundimit osman sa edhe myslimanët shqiptarë. Këto gjëra meritojnë vëmendje serioze nga specialistët, ndërsa të miat më poshtë janë më shumë shënime e përsiatje.
Por është pak si tepër e thjeshtë, të mendosh se Islami i ka mbajtur shqiptarët mbrapa; siç është njëlloj tepër e thjeshtë të mendosh se – po sjell një shembull nga shumë – se shqiptarët e fesë ortodokse shërbyen si vektor i përhapjes së idesë komuniste dhe, më pas, i orientimit të Shqipërisë nga Blloku Lindor dhe veçanërisht nga Moska. Më duket më produktive të shihet si përkatësitë në bashkësi të caktuara fetare, me karakteristika edhe gjeografike, kanë kushtëzuar disa zhvillime ekonomike dhe kulturore të caktuara; dhe se, në më të shumtën e rasteve, dinamika e raporteve mes qendrës dhe periferive duket të ketë qenë vendimtare, në drejtimin e proceseve historike.
Në një shkrim të hershëm kemi folur për trojet shqiptare, brenda Perandorisë Osmane, si një lloj zone kufitare ose borderland, në kuptimin jo vetëm gjeografik, por edhe ekonomik, politik dhe kulturor; këtë duket se e mbështet edhe fakti – që më duket i konfirmuar – se shumë shqiptarë duket se u specializuan si mercenarë në shërbim sa të osmanëve, aq edhe të fuqive të tjera adriatike (p.sh. stratiotët), duke e përdorur luftën si një formë të mbijetesës ekonomike. Jam tunduar ta krahasoj këtë me historinë e kozakëve, në trojet e Rusisë cariste, si bashkësi gjysmë e militarizuar (Njerëz të frontierës); nëse krahasimi qëndron, edhe shqiptarët me kohë zhvilluan karakteristika të tilla që i ndihmuan, sa kohë që kishte kërkesa për angazhimin e tyre ushtarak; por që pastaj do t’i pengonin, në rrethanat kur morën përparësi konsolidimi i kombit dhe pastaj i shtetit shqiptar.
Gjithnjë nëse kjo hipotezë pune qëndron, atëherë Perandorisë Osmane i interesonte mirëmbajtja e kësaj kaste të militarizuar, që – mes të tjerash – do t’i shërbente jo vetëm për të shtypur rebelime gjithfarësh në Ballkan, por edhe në përgjithësi për të mbrojtur kufijtë perëndimorë të shtetit. Kjo mund t’i bëjë otomanët “përgjegjës” për prapambetjen relative të shqiptarëve, në artet e paqes, por nuk më duket se ka gjë të bëjë me Islamin.
Nga ana politike, elitave të kombit u është dashur të ruajnë një ekuilibër delikat, midis nevojës urgjente për t’i distancuar shqiptarët nga Perandoria Osmane, dhe nevojës tjetër – jo më pak urgjente – për të mos i alienuar myslimanët shqiptarë, me atë lloj diskursi kombëtarist anti-Islam, që ishte përpunuar nga fqinjët (veçanërisht nga grekët; shikoni edhe këtu). Rilindësit e kishin këtë parasysh, dhe ngjashëm mund të gjykohet edhe për ata që e udhëhoqën Shqipërinë në periudhën e Pavarësisë, përfshi këtu edhe Mbretin Zog; madje edhe Shqipërinë e Hoxhës. Elitat e sotme të paktën në Tiranë, për shkak të distancës kohore nga vitet e përpjekjeve për pavarësi; por edhe të thjesht injorancës dhe të një shtyse të keq-orientuar për t’i pëlqyer “Europës” dhe “Perëndimit”, duket sikur po harrojnë – po duan të harrojnë – se Islami është pjesë e identitetit kombëtar, dhe nuk mund të luftohet, aq më pak të përbuzet, pa shkaktuar frustrime, përçarje dhe rreziqe të tjera të shmangshme; njëlloj sikurse as edhe mund të lëvdohet, ngaqë “i shpëtoi shqiptarët” nga asimilimi (sllavizimi, greqizimi). [1]
Po aq i lehtë sa identifikimi i prapambetjes tonë me “Anadollin”, duket edhe identifikimi i Islamit me Islamizmin dhe Islamin politik; nëse për këtë të fundit duhet diskutuar deri edhe në nivelet më të larta institucionale (një institut a think tank i posaçëm nuk do të ishte fillim i keq), rreziku i radikalizimit nuk duhet lejuar që t’i shërbejë alienimit të myslimanëve dhe aq më pak koagulimit të bashkësisë islame rreth një force politike të caktuar[2]. Ka disa ideologë që kujtojnë se, duke u rënë kokës myslimanëve shqiptarë vend e pa vend, i afrohen Europës dhe mendësisë perëndimore; këta duhen kundërshtuar haptazi, fort, pa asnjë ndjenjë faji, dhe në forume jo thjesht fetare, por edhe mirëfilli laike.
Ka edhe ideologë të tjerë, që seriozisht mendojnë se shqiptarët do të ishin “më mirë”, po të ktheheshin “në fenë e të parëve” dhe të krishterizoheshin. Kjo tingëllon njëlloj, si të thuash se Shqipëria dhe shqiptarët do të ishin më mirë, sikur Perandoria Osmane të mos kish hyrë fare në Ballkan. Është një lloj arsyetimi që zgjedh të shpërfillë faktin se, edhe shqiptarët, edhe Shqipëria, janë produkte historike të sundimit otoman disa-shekullor të këtyre trojeve; fakt që nuk ndryshon, edhe sikur të dëshirojmë që Shqipëria do kish shkuar më mirë, po kish qenë diku afër Danimarkës.
Një nga gjërat më të rënda në mos katastrofike, që mund t’i ndodhë sot identitetit kombëtar të shqiptarëve, është induktimi dhe stabilizimi atje i ndonjë ndjenje faji kolektive, për përkatësinë islame. Përkundrazi, logjika ta do që Islami, si pjesë e identitetit të shqiptarit mysliman, të vihej edhe ai në shërbim të përparimit ekonomik, social, kulturor dhe etik të atij vetë dhe familjes, komunitetit dhe krahinës ku ai jeton. Si laik që jam, mendoj se Islami nuk mund ta pengojë integrimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë në atë model të bashkëkohësisë që synojmë; me kusht që të mbahet larg politikës (kjo vlen edhe për Krishterimin, natyrisht), por jo jetës publike. Nga ana tjetër, përpjekjet mendjeshkurtra dhe hipokrite, për stigmatizimin dhe alienimin e myslimanit shqiptar, nuk do të japin pasojë tjetër, veç faktorizimit të Islamit shqiptar në politikë.
[1] Këtu nuk po marr parasysh debatet në Kosovë dhe as problematikën e ngjashme në atë shtet, sepse debatet nuk i njoh (mirë) dhe sidomos për shkak të dallimeve aq të mëdha këtej dhe andej kufirit, sa i përket Islamit dhe trashëgimisë otomane, sa t’i bëjnë të padobishme përpjekjet për emërues të përbashkët.
[2] Këtu nuk po flas për marrëdhënien komplekse mes Islamit tradicional dhe kulturor, mes shqiptarëve, dhe Islamit “të ri”, të ardhur nga jashtë, dhe që priret të reagojë ndaj shekullarizimit të jetës publike nëpërmjet (të paktën) izolimit. Janë tema që nuk i trajtoj dot edhe sikur të dua; po mjaftohem të sinjalizoj që ekzistojnë.